Wesner: Mbështetja e USAID për KLSH nuk do të mungojë

866
Në takimin e zhvilluar mes Kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj dhe Dennis Wesner, Zyrtarit të Përgjithshëm për Zhvillimin pranë USAID, Wesner theksoi rëndësinë e KLSH si institucion kushtetues. Gjatë takimit ai u shpreh se SHBA-të janë të interesuara për të luftuar korrupsionin ne Shqipëri. Wesner në këtë bisedë theksoi: “Mbështetja jonë për KLSH nuk do të mungojë”, duke nënvizuar kështu rëndësinë që ka bashkëpunimi i KLSH me institucione të tjera, si Avokati i Popullit, ILDKP, etj. Nga ana e tij, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj vlerësoi projektet e realizuara nga USAID-i në Shqipëri dhe shprehu dëshirën dhe vullnetin për të bashkëpunuar me USAID-in në projekte që do të propozohen nga kjo agjenci. Duke bërë një panoramë të punës së institucionit në katër vitet e fundit, ai veçoi rekomandimet e dhëna nga KLSH për përmirësimin e qeverisjes, si propozimi për vendosjen e një tavani për borxhin publik, për pagesën e borxheve të prapambetura bizneseve, rekomandimet për sektorin e energjisë dhe të hidrokarbureve, propozimin për miratimin e një ligji për përgjegjësitë materiale të nëpunësve publikë, me qëllim që të luftohet efektivisht anti-kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, etj. Kryetari i KLSH-së cilësoi se të gjitha rekomandimet e dhëna nga KLSH kanë qenë në linjë me rekomandimet e FMN-së. Leskaj tha se KLSH është në fazën e transformimit dhe modernizimit, duke pasur si model SAI-et më të zhvilluara europiane. Në këtë drejtim, institucioni ka synuar transparencën e plotë, duke vendosur një raport të ri me shoqërinë civile (janë nënshkruar në këto vite më shumë se 20 marrëveshje bashkëpunimi), duke u hapur dhe qenë pro-aktiv ndaj medias dhe publikut, ka ardhur me botimin e 51 librave, me zhvillimin e analizës së punës së institucionit nën frymën e INTO-Saint (vetëvlerësimi i integritetit) dhe në praninë e medias, etj. Bujar Leskaj në këtë takim përmendi që në kuadër të bashkëpunimit me OJF-të, u përfundua projekti «Forcimi i Ligjit përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së» që Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) realizoi me financim të USAID-it, nëpërmjet programit «Assist-Impact». Në raportin final të projektit janë trajtuar çështje të rëndësishme që lidhen me zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga KLSH, referuar auditimeve të vitit 2014. Ne si institucion,- vijoi Leskaj -vlerësojmë rekomandimet e QTIL dhe jemi duke hartuar një plan veprimi të detajuar për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga kjo OJF. Kryetari i KLSH-së më tej u ndal në bashkëpunimin e rritur ndjeshëm me SAI-et e rajonit dhe me ato europiano-perëndimore, si dhe me institucionet e BE-së. Një shembull në këtë drejtim është projekti IPA 2013 (me vlerë 2.1 milion euro), komponenti i 1irë, që KLSH ka fituar që në vitin 2014 dhe që lidhet me forcimin e kapaciteteve të auditimit të jashtëm publik. Po kështu Wesner shprehu gatishmërinë për të mbështetur KLSH në Auditimet e Performancës. Bujar Leskaj i bëri një përmbledhje të auditimeve të Performancës të realizuara deri tani nga KLSH, duke theksuar se institucioni është i hapur dhe çdo propozim i USAID-t është i mirëpritur. Të dyja palët ranë dakord që bashkëpunimi të jetë konkret dhe në fusha me interes reciprok. Kontrolli i Lartë i Shtetit do t’i propozojë USAID-it projekte konkrete dhe të qarta me kohëzgjatje 1-2 vjeçare. Bashkëpunimi mes KLSH dhe USAID-it do të jetë i drejtpërdrejtë ose nëpërmjet OJF-ve, projekte në të cilat KLSH do të mbështesë organizata të shoqërisë civile që kanë fituar projekte nga USAID, në fusha që lidhen me aktivitetin e KLSH-së. Gjithashtu, Leskaj e ftoi Wesner që të auditojnë KLSH nëpërmjet projekteve që financojnë, duke theksuar që institucioni është i hapur dhe mund të auditohet në fusha që janë me interes për USAID-in dhe publikun e gjerë. Në takim morën pjesë gjithashtu Elina Koçi (USAID), Ermal Yzeiraj, Drejtor Departamenti dhe Irena Islami, Drejtore Drejtorie (KLSH).
Sigal