Vullnet Mato/HAKA E GRAVE

516
Sigal

– Tregim –

     Kisha shkuar në Korçë për të takuar disa miq të hershëm dhe për të çuar në bibliotekën e qytetit pesë kopje të romanit tim të fundit. Pasi mbarova punë me librat, hyra në kafen “Kursal” që kisha  frekuentuar prej kohësh. Teksa po kërkoja ndonjë tryezë bosh, vura re dy sy të mëdhenj, me një vështrim të vrarë prej kali, që nuk po më ndaheshin. Personi mjekërrosh ma bëri me dorë të shkoja te tryeza e tij, ku ndodhej krejt i vetëm. U afrova instinktivisht dhe e përshëndeta me kokë, duke e kundruar me vërejtje, si njeri krejt të panjohur për mua.

    -Ke të drejtë të mos më njohësh, o byrazer, kam ndryshuar nga mjekra… -tha ai dhe befas deklamoi një varg: -“Moj mëze që më tërbove…”

    -“Kapistallin s’ma pranove…” -ia plotësova unë në çast dhe i buzëqesha kënaqësisht, duke sjellë ndërmend poezinë e vëllimit poetik, që më kishte dhuruar në një takim poetësh, para dy vjetësh në Korçë.

    -Ai jam, Ilka, kirurgu që bën vjersha, -tha duke më zgjatur dorën dhe më ftoi të ulem.

    -Po ç’e ke lënë gjithë atë mjekër, mor Ili? -i thashë dhe u ula si me mikun që më kishte lënë mbresa të këndshme me poezitë e bisedat e tij gazmore.