Vritet oficeri i policisë në Lezhë, pjesë e patrullës që kontrollonte kultivimin e kanabisit

174
Sigal

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur vendin ditën e sotme.

Një oficer policie, është vrarë me armë zjarri në Lezhë. Viktimë ka mbetur efektivi Saimir Hoxha, 44 vjeç, në zonën e Ishull Lezhë.

Mësohet se ky oficer, ishte pjesë e patrullës së Policisë që kontrollonin për kultivimin e kanabisit në zonën e Lezhës.

Nuk dihen ende rrethanat e plota të vrasjes së tij.  Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj.

Detaje nga policia:

Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit  për të bërë të mundur  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.