Vrau të dashurin e motrës së martuar, ja dënimi për Esat Canin

370

Prokuroria e Tiranës kërkoi 19 vite burg në total, për të akuzuarit për vdekjen e shtetasit Arben Gjeçi rreth një vit më parë.

Për Esat Canin, i cili dyshohet se për çështje nderi goditi me shufër hekuri për vdekje Gjeçin, u kërkua dënimi me 13 vite burg, ndërsa për motrën e tij, Elida Cani, dhe Defrim Kurtin u kërkua respektivisht nga 3 vite, pasi sipas Prokurorisë, me veprimet e tyre penguan zbardhjen e ngjarjes. Vendimi për të akuzuarit pritet të jepet më 25 shkurt, kur mbrojtja do të lexojë konkluzionet përfundimtare.

Në rast të shpalljes të fajshëm, tre të pandehurit do të përfitojnë ulje të dënimit me 1/3- ën, për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar. Ngjarja e rëndë ndodhi në 24 janar të 2019-ës, ku sipas Prokurorisë, Esat Cani ka vrarë për çështje nderi Arben Gjeçin, i cili kishte një lidhje jashtëmartesore me motrën e tij, Elida Cani.

Sipas dosjes hetimore, ka qenë një udhëtim me furgon në tetor të 2018-ës, që ka bërë që Esat Cani të dyshonte se viktima Arben Gjeçi kishte një lidhje jashtëmartesore me motrën e tij dhe për këtë arsye i ka ruajtur.

Ky vëzhgim ka zgjatur deri në datën 24 janar, kur, pasi kishte lënë punën dhe marrë shufrën e hekurit me vete, ishte pozicionuar pranë banesës së motrës për të parë nëse Gjeçi do ta takonte atë. Në kërkesën për gjykim, Prokuroria ka renditur dëshmi të autorit, motrës së tij, si dhe mënyrën se si bashkëshorti i kësaj të fundit, Dëfrim Kurti, kishte larguar trupin e viktimës nga toka e tij, duke i kërkuar ndihmë të afërmve, të cilëve nuk ua kishte treguar të gjithë situatën.

Trupi i 35-vjeçarit është endur për disa minuta sa në një vend në tjetrin, ndërsa në fund një kushëri i Kurtit e ka futur në banesë, ku e kanë mbajtur ngrohtë deri sa të vinte i vëllai i Gjeçit, i cili e ka marrë dhe transportuar për në spital me një makinë të lartë. Edhe vetë 20-vjeçarja në dëshminë e dhënë ka pranuar lidhjen me viktimën, ndërsa ka treguar për takimin e pasdites së 24 janarit.

“Kam dëgjuar zhurmë, goditje”, ka thënë ajo, ndërsa ka shpjeguar për hetuesit se nuk e kishte parë personin që qëlloi. Në momentin që ka shkuar të shikonte, ishte vetëm trupi i gjakosur i Arben Gjeçit, i cili sipas saj përpëlitej dhe nuk thoshte asnjë fjalë.

DËSHMIA E VËLLAIT

Më datë 24.01.2019, rreth orës 18:00, kam dalë nga shtëpia dhe i kam thënë babait se po iki në punë si zakonisht. Ndërkohë kam zbritur te lokali i lagjes dhe aty kam parë furgonin e Arben Gjeçit, por Arbenin nuk e pashë. Ndërkohë, pa hyrë brenda në lokal kam telefonuar dhëndrin tim, Dëfrim Kurti, dhe e kam pyetur se ku ishte.

Ai më tha se ishte te lokali. Unë i thashë të vinte te lokali tjetër, te Fredi. Në këtë kohë, unë kam shkuar te puna ime dhe i kam kërkuar përgjegjësit tim leje, duke i nxjerrë arsye se kisha babanë sëmurë dhe për këtë më duhej leje. Megjithëse përgjegjësi nuk më dha leje, unë sërish u largova. Në këtë kohë kam shkuar në shtëpinë time, në oborr kam marrë një shufër hekuri 50- 60 centimetra, e cila në fund ishte shtypur. Këtë hekur e përdor babai dhe unë për të çarë gurë.

Pasi mora hekurin, shkova pas shtëpisë së motrës dhe kam ndenjur te porta e kashtores. Në këtë moment kam parë te dera, ku depërtonte drita, një hije që lëvizi. Në këtë kohë u hap dera dhe doli te porta, e identifikova, ishte Arben Gjeçi, më pa mua dhe filloi të qeshte me ironi. Unë në këtë moment, ngaqë ai ishte i gjatë, i kam bërë dy hapa mbrapa dhe e kam goditur me hekur mbas koke dy-tri herë.

Si u largua trupi i viktimës nga vendi i ngjarjes

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Dëfrim Kurti, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, ka larguar trupin e Gjeçit nga vendi ku është goditur dhe ka njoftuar se e ka gjetur në rrugë të plagosur. “Shtetasi Dëfrim Kurti e ka transportuar viktimën larg shtëpisë dhe ka marrë në telefon shtetasin I.K., duke i thënë se ka gjetur dikë të shtirë në rrugë që lëshon zhurma dhe ka frikë t’i afrohet. Shtetasi I.K. ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka thirrur të vëllanë të shkonte atje, pasi ishte lajmëruar nga Dëfrimi se ka gjetur një person të plagosur dhe se ai ishte shtetasi Arben Gjeçi, i cili ishte fshatar i tyre dhe njëkohësisht shofer i linjës së furgonave të zonës. Pasi janë takuar të tre, kanë shkuar matanë përroit dhe kanë parë të shtrirë shtetasin Arben Gjeçi, i cili rënkonte, por nuk fliste”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.