Vrasja në ish-Bllok, gjykata jep “detyrim paraqitje” për Ervin Matën

453
Sigal

Gjykata e Tiranës ka caktuar sot “detyrim paraqitje” për Ervin Maten. Pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës mbrëmjen e së enjtes, Ervin Mata u përball sot në Gjykatë me akuzat e ngritura ndaj tij në lidhje me vrasjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut.

Ish- i fejuari i këngëtares Elvana Gjata ishte në kërkim prej 5 muajsh dhe ndaj tij Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, për “Vrasje në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Megjithatë, avokati i tij pritet të kërkojë ndryshimin e kësaj mase, nisur edhe nga fakti se deri tani oficerët e Policisë Gjyqësore ende nuk kanë arritur të përcaktojnë rolin e 31- vjeçarit Mata në ngjarje.

Në dëshminë që ka dhënë në Policinë e Tiranës pas vetëdorëzimit, Ervin Mata është shprehur se është larguar sapo kanë nisur të shtënat dhe nuk e ka parë se kush ka qëlluar.

Ai ka deklaruar përpara hetuesve se nuk është përfshirë në përplasjen me armë, nga e cila mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Edhe tre personat e tjerë që ishin në kërkim dhe u vetëdorëzuan, Geldo Hoti, Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, për të cilët ishte vendosur “arrest me burg”, në mungesë, Gjykata e zbuti masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”.