Vrasja në Elbasan, autori ka qëlluar nga distanca e afërt/ Ja çfarë tregojnë kamerat e sigurisë

309
Sigal

Emiljano Ramazani, 39 vjeç, u ekzekutua pasditen e sotme, ndërsa ndodhej në automjetin e tij.

Autori ka qëlluar nga një distancë e afërt, ndërsa policia gjeti automjetin e djegur dhe dy armë brenda tij.

Referuar burimeve nga grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa në pamje tregohen se në automjetin tip Volkswagen ishin të paktën dy persona.

Njëri prej tyre, sipas burimeve, i moshës 25-30 vjeç ishte i maskuar.

Dyshohet se ka qenë pikërisht ky person që ka qëlluar mbi viktimën. Nga kamerat shihet se atentatori zbret nga makina dhe në rreth 2-3 minuta kryen ekzekutimin e 39-vjeçarit.

Referuar burimeve, autori i dyshuar pasi ka ekzekutuar 39-vjeçarin, është larguar në këmbë rreth 12-15 metra nga vendi i atentatit ku e priste makina.

Më pas mjeti largohet me shpejtësi drejt aksit Elbasan – Papër ku dhe u gjet mjeti i djegur i atentatorëve.

Automjeti rezultoi se ishte me targa të mbivendosura, të raportuara si të vjedhura 10 ditë më parë.

Në ndihmë të policisë lokale kanë shkuar edhe forcat e RENEA dhe FNSH. Dyshimet e para mbi atentatin kanë të bëjnë me të shkuarën e viktimës, i cili është arrestuar nga policia në 2012 dhe 2017 për narkotikë.