Vrasja e të riut nga polici/ Gazetari i kronikës së zezë : Pamjet e kamerave të sigurisë janë zhdukur

351
Sigal

I riu Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga pas shpine nga një punonjës i Forcave Shqiponja të Policisë së Tiranës.

Policia ka ndryshuar disa herë version në lidhje me ngjarjen, ndërsa polici i arrestuar është shprehur se kishte pasur frikë, sepse i riu kishte pasur diçka në dorë.

Por gazetari i kronikës së zezë, Driçim Çaka ka hedhur dyshime të mëdha, pasi sipas tij pamjet e kamerave të sigurisë janë fshehur dhe zhdukur pas ngjarjes.

Ai shkruan se i riu, nuk ka pasur asnjë armë.

Postimi i plotë i gazetarit Driçim Çaka:

Policia e Shtetit vrau një djalë të ri të pafajshëm.

Në asnjë moment nuk dallohet në kamerat e sigurisë se ai i drejtoi armën policëve.

Në asnjë moment nuk u pa që ai të sulmonte policët.

Në asnjë sekuencë të kamerave që u fshehën, ai nuk shfaq kërcënim, por vetëm ikën me vrap.

Po po, ikën me vrap nga frika e një gjobe karantine ndoshta…

Edhe nëse kishte pistoletë (duke besuar versionin e Policisë), ai e kishte hedhur shumë më parë, prandaj polici nuk kishte pse ta qëllonte.

Efektivi i Policisë nuk qëlloi në ajër, nuk zbatoi procedurën duke e qëlluan në këmbë.

50 metër ishte larg 25-vjeçari nga dera e banesës. Fati deshi që rruga t’i pritej në mes dhe nga kush: Policia e Shtetit, ata që duhet të na mbrojnë.

Arrestimi I policit është minimalja që duhet bërë. Përgjegjësia është akoma më e madhe…