Vrasja e Nevila Pjetrit në Itali, autori i dyshuar del sot përpara gjykatës! Dëshmitarët e ngjarjes: Trupi i gruas u hodh si thes me mbeturina në bregun e lumit

116
Sigal

Daniele Bedini, i dyshuari kryesor për dy vrasjet e ndodhura në zonën e Sarzanës, pritet të dalë ditën e sotme para gjykatës së La Spezias.

Ai vijon të jetë në pozita mohuese për sa iu përket akuzave që e lidhin me dy vrasjet e ndodhura pas mesnatës së të shtunës, duke zbardhur e diela, ndërkohë që Policia dhe Prokuroria italiane kanë intensifikuar hetimet mbi ngjarjet që kanë tronditur vendin.

Mediat italiane kanë vazhduar edhe ditën e djeshme t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë profilit të 32- vjeçarit, ndërkohë që ai në lidhje me vrasjen e shqiptares, Nevila Pjetri, ka ngritur alibinë, alibi që e mbështet edhe te dëshmitarë okularë, me të cilët ka qenë në bar në kohën kur është kryer vrasja e Nevilës.

Prokuroria ka identifikuar miqtë e tij dhe pritet që të japin dëshmi në lidhje me praninë e tij në vendin dhe në kohën kur përkon vrasja e Pjetrit. Sipas të dhënave të Policisë dhe të Prokurorisë italiane, bëhet me dije se në fakt i arrestuari i tyre nuk është i akuzuar ende për vrasjen e Camilës, transgjinores që sipas dyshimeve u vra sepse ishte dëshmitare në ekzekutimin brutal të 35- vjeçares nga Shqipëria.

Sipas të dhënave që vijnë nga mediat italiane, bëhet me dije se në pritje të marrjes në pyetje për të vërtetuar arrestimin nga magjistrati hetues, Daniele Bedini ndodhet aktualisht i mbyllur në Burgun e La Spezias, me akuzën e vrasjes me dashje të Nevila Pjetrit.

Ndërsa për krimin e dytë nuk bëhet i ditur asnjë fakt konkret që ta vërë nën akuzë të riun. Në këtë pikë, hetimet e Prokurorisë së La Spezias vazhdojnë për të kuptuar nëse ka lidhje mes dy krimeve. Sipas hetuesve, në fakt, Nevila dhe Camilla janë të dyja të lidhura me botën e prostitucionit në zonë dhe fakti që dy trupat u gjetën në të njëjtën zonë brenda pak orësh, janë elementë për t’u marrë në konsideratë. Hetimet po vazhdojnë me shpejtësi dhe tani fokusohen në orët para dhe pas vrasjes së Nevilës.

Në veçanti, janë ekzaminuar të gjithë objektet që u gjenden në vendin ku u gjet kufoma e Nevilës, si dhe provat dhe gjurmët që u gjenden në mjetin e të dyshuarit kryesor. Sipas hetuesve, bëhet me dije se makina është një nga elementët që ka çuar hetuesit te 32-vjeçari. Madje, makina është treguar nga disa dëshmitarë, dy prej të cilëve kanë parë edhe një person të dielën mbrëma, duke tërhequr zvarrë trupin e 35- vjeçares shqiptare që banonte në Massa.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, bëhet me dje se kanë dëshmuar dy persona të cilët kanë parë mjetin e bardhë dhe një person duke nxjerrë zvarrë trupin e një gruaje të pajetë. Ata kanë lajmëruar Policinë dhe kanë dëshmuar:

“Ne menduam se ishin mbeturina, më pas pashë se ishte një grua e mbuluar në gjak”. Dëshmitari ndodhej me një shok në atë zonë dhe, megjithëse nuk e kanë parë vrasësin për shkak se ishte errësirë, ata kanë treguar se dëgjuan gjithçka.

“Ne e dëgjuam të dilte nga makina, të merrte diçka nga bagazhi, më pas e dëgjova duke goditur dhe më pas e hodhi. Pasi ai u largua, pamë gruan të mbuluar nga gjaku dhe ikëm nga zona për të telefonuar karabinierët”.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet me dije se përveç ushtrimit të dhunës, në trupin e viktimës shqiptare janë shquar edhe dy plagë plumbi në kokë, një mbi vetullën e majtë dhe një pas koke, po në anën e majtë.

Polica dhe prokuroria lokale kanë thirrur në ndihmë ekspertët mjekoligjorë nga Parma, për të mësuar hollësitë e vrasjes, pasi Policia italiane pretendon se gëzhojat e gjetura në mjetin e të dyshuarit i përkasin së njëjtës armë që kishte në përdorim i ati i të arrestuarit.

Ai kishte denoncuar me datë 4 qershor në Policinë lokale se arma që mbante me leje i kishte humbur, armë që ekspertët mendojnë se është marrë nga i biri.

Megjithatë, gjithçka është ende në kuadër dyshimesh, pasi Policia ka në duar edhe tabulatet telefonike të autorit, ndërkohë që një tjetër element mjaft interesant është zbuluar nga Policia: 6 telefonat e dy viktimave janë zhdukur!