Vrasja e Klodian Rashës / Deklarata e aktivistit: Protestat nuk janë shuar, mund të ketë të tjera në vijim

247
Sigal

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë mjaft e ashpër me qeverinë pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga policia. Përveçse ka mbështetur protestat e të rinjve dhe të miturve ka kërkuar arrestimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se protestat nuk janë shuar, ndërsa ngriti dyshime pse kryeministri Edi Rama e mbrojti Ardi Veliun.

“Nuk mendoj se janë shuar protestat, ka një mllef tek qytetarët. Arsyet janë të shumta, varfëria, problemet me punësimin, arsimin, shëndetësinë. Mendoj se mund të ketë ende në vijim protesta të tilla, që ne mendojmë se janë të paorganizuara. Çdo protesues është opozitar në vetvete. Opozita nuk është monopol i një partie. Kjo është e shëndetshme sepse po të mos ketë opozitë të tillë, do të kemi një pushtet gjithmonë e më shtypës. Çështjen e përgjegjësisë në sensin penal duhet ta vërtetojmë në gjykatë. Ne mendojmë se ka një përgjegjësi direkte. Në mënyrë që të ketë hetim të drejtë, edhe kryepolici duhet të ikë sepse është në zinxhirin komandues. Po ashtu kemi parë një polici agressive, që po tregon muskujt ndaj protestuesve të qetë. Pse qenka më e lehtë të dorëzosh ministrin sesa Drejtorin e Policisë? E dimë perceptimin për kriminalitetin dhe pastrimin e parave në Shqipëri. Të gjitha këto gjëra nuk mendoj se mund të ndodhin pa dijeninë e strukturave të larta të rendit. Drejtori del më i rëndësishëm sesa ministri që hiqet pa problem. Kjo lë të ngrihen dyshime.”

Arbër Zaimi komentoi edhe vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Shqipëri dhe mungesën e kryeministrit Edi Rama në parlament, teksa ajo fliste.

“E shoh si një vogëlsi të zotit Rama, si një inat prej fëmije a adoleshenti sepse kushdo që të jetë presidenti, apo kryeministri i Kosovës, duhet të pritet me të gjitha formalitetet në Shqipëri. Kjo është për të ardhur keq.”

Ai theksoi edhe se ideja për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhdukur.

“Ideja për ndryshimin e kufijeve të Kosovës ështyë një ide e gatuar prej shumë dekadash në Beograd. Vazhdon të shtyhet përpara nga ata kulisa dhe në Shqipëri ka ende politikanë që duan ta shtyjnë përpara këtë ide.”