Vrasja e 34-vjeçarit në Vlorë, zbardhen detaje të reja

674
Sigal

Ditën e sotme në qytetin e Vlorës, është gjetur i pa jetë trupi i 34-vjeçarit Kreshnik Dashi.  Ai u gjet në rrugë dhe fillimisht u raportua se ai kishte humbur jetën për shkak të një arresti kardiak.

Por më vonë u mësua se viktima ishte vrarë.

“Pas hetimeve të mëtejshme, nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34-vjeçarit K.D, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri. 34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe nga ana e Policisë nuk njihet si person me precedent penal”, lajmëruan forcat e rendit.

Burimet thonë se viktima kishte shenja në kokë dhe një plagë me armë zjarri në shpatull.

Dashi kishte lënë punën rreth orës 24 të natës dhe po kthehej në shtëpi. Në afërsi të rrugës ku është gjetur trupi i tij ka munguar gjatë natës energjia elektrike.

Viktima kishte lindur në Lubonjë të Vlorës dhe kishte mbi një dekadë që jetonte në qytetin bregdetar. Ai ishte babai i një fëmije.