Vrasja e 19-vjeçarit nga Elbasani, janë disa pistat, ku po heton policia

429
Sigal

Vrasja e 19-vjeçarit Gazmend Sllami 2 orë pasi kishte marrë një telefonatë në fshatin Gur i Zi të Elbasanit ka lënë pas mister dhe dyshime, ndërsa janë disa pistat, ku po heton policia.

Viktima Gazmend Sllami nuk ishte as bari dhe nuk kishte as ara që të shkonte në kodër. Ky fakt hedh dyshime se i riu ka dalë të takojë dy persona që i ka njohur, prandaj edhe dyshohet se autorët e krimit mund të jenë miq të tij, por jo nga fshati Guri i Zi, por nga fshatrat përreth tij.

Blutë e Elbasanit po hetojnë në shumë pista, ku mes tyre nuk përjashtohet as një sherr mes adoleshentësh. Sakaq, policia ka nisur krehjen e zonës, pasi dyshon se autori ende fshihet mes maleve. Përvec familjarëve, në pyetje janë marrë fqinjë dhe shokë të 19-vjeçarit.

KUSH ISHTE GAZMEND SLLAMI
I riu i vrarë mbrëme me plumb në zemër merrej me bujqësi, pasi nuk kishte mundur të vijonte gjimnazin, për shkak të rezultateve të dobëta dhe largësisë së shtëpisë nga shkolla. Edhe pse me arsim 8-vjeçar në fshat e njohin si një djalë të sjellshëm dhe që nuk konfliktohej me njeri.

Edhe familjarët janë të shokuar nga ngjarja dhe thonë me forcë se djali i tyre nuk kishte asnjë konflikt. Më 11 dhjetor ata prisnin të festonin ditëlindjen e të birit, por mjaftoi një telefonatë mesditën e djeshme që djali i dytë i familjes Sllami të mos kthehej më në shtëpi.

19-vjeçari u gjet i vrarë me çifte nga familjarët e tij, rreth orës 16:00 të pasdites të së shtunës, rreth 200 metra larg banesës së tij në një kodër në fshatin Guri i Zi në Elbasan.