Vrasësi i kambistit del me leje nga burgu, ajo që bën kur kthehet e fundos fare

563

I dënuari për vrasje me paramendim, kthehet me lëndë narkotike në burg në përfundim të daljes me leje për tri ditë. 

Sigal

Dilaver Adushaj, 31 vjeç, banues në Roskovec të Fierit, është kthyer dje në Burgun e Elbasanit në Kosovë të Madhe, pasi kishte kaluar tri ditë me familjarët në shtëpinë e tij.

Por, nga kontrolli në sendet e tij personale që kishte marrë me vete, të riut iu gjet një sasi e vogël kanabis sativa. Kjo bëri që specialistët e Seksionit Kundër Narkotikeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ta vënë në pranga në kushtet e flagrancës.

31- vjeçari nga Roskoveci është dënuar për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, pasi në vitin 2011 vrau me thikë Etem Spahiun, i cili punonte si kambist dhe aktualisht vuan dënimin në burgun që ndodhet në Kosovë të Madhe.

Në prill të vitit 2012, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e dënoi atë me 18 vite heqje lirie, pasi u shpall fajtor për akuzën e “vrasjes me paramendim”. Tashmë, përveç dënimit që ka marrë për vrasje, asaj do t’i shtohet dhe dënimi që pritet të marrë për dy akuzat që do të rëndojnë mbi të, “prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”.

Adushajt, gjatë kontrollit para se të hynte në ambientet e burgut, iu gjet një sasi prej 40 gramësh kanabis sativa, të cilën sipas dëshmisë së tij e kishte për përdorim personal. Lëndën narkotike, në formën e cigares, i riu e kishte fshehur në qesen me ushqime që kishte marrë nga familjarët në përfundim të lejes triditore.

Pas arrestimit, materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme. Në fund të muajit gusht, të vitit 2011, Dilaver Adushaj, në atë kohë 25 vjeç, vrau me thikë në qendër të qytetit të Fierit Etem Spahiun.

Pak minuta më pas, me thikën që kreu vrasjen e 55-vjeçarit Spahiu ai kërcënoi me vetëvrasje. Pas një orë negociatash dhe pasi në vendin e rrethuar nga policia mbërriti dhe vëllai i autorit, Adushaj u bind që të dorëzohej. Policia e Fierit më pas sqaroi se ngjarja kishte ndodhur për shkak të një konflikti banal mes viktimës dhe autorit.