Votimi me detyrim, një hap larg diktaturës

440
Riza HOXHA

Shqipëria si rrjedhojë e një klase politike pa din e pa iman është zhytur në një situatë kaotike nga e cila vështirë se mund të dalë shpejt. Aq më tepër kur varfëria i ka arritur në ashtin e kockës duke ia çrregulluar gjithë frymëmarrjen. Për zallamahinë ku jemi zhytur askush nuk e mban përgjegjësinë. Aq më pak klasa politike që është shkaktarja kryesore dhe fajtorja e vetme e kësaj situate thuajse pa shteg daljeje për shqiptarët. Është bash, kjo arsyeja, që shqiptarët po i largohen gjithnjë e më shumë kësaj klase politike. Se asaj I mungon krejtësisht morali, këtë e tregon edhe me faktin që gjatë këtyre ditëve të tej nxehta ka nisur përpjekjet për t’iu imponuar popullit përmes detyrimit ligjor për pjesëmarrje në votime. Tamam ashtu si në kohë të diktaturës. Ose më thjesht, duke na çuar vetëm një hap larg diktaturës që e lamë pas vetëm 27 vite më parë. Vetëm sa nuk na thotë: duhet të ngrihemi që me natë për të votuar. Votimi I detyruar përmes ligjit tregon se sa poshtë ka rënë kjo klasë politike. Vota mjafton që është e fshehtë. Nëse bëhet me detyrim, populli mund të votojë masivisht me abstenim që do të tregojë gjithsesi, niveli e pakënaqësisë që populli votues ka për këtë farë klase politike që fatkeqësisht na ka rënë në derë. Në kushtetutë tonë sanksionohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Edhe mospjesëmarrja në votime është një e drejtë që evidenton deri nivelin e pakënaqësisë që votuesi ka për forcën politike, apo për kandidatin që ajo ka paraqitur. Zgjedhjet e fundit evidentuan nivelin e lartë të pakënaqësisë të popullit ndaj kësaj klase politike, që gjithsesi nuk pranon t’i lëshojë vendin të rinjve. Pjesëmarrja e ulët në votime është hapur shprehje e pakënaqësisë të të gjithë popullit ndaj klasës politike. Ka ardhur dita që kjo klasë politike më së fundmi duhet ta kuptojë realitetin dhe të na zhduket nga sytë këmbët. Ky është një realitet tashmë i gjithë pranuar nga shqiptarët. Për gjithë shqiptarët është e qartë se tashmë kemi një administratë publike tërësisht të korruptuar, të gangrenizuar na korrupsioni I pafre, nga abuzimi në çdo detaj të saj. Aq sa është mjaft e vështirë që më ketë klasë politike të mund të ndryshojë gjë në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Sepse që nga viti 2014 nisi të zbatohet një reformë në shërbimin civil ku emërimet do të bëheshin përmes konkurseve. Deri tani është bërë vetëm një vërë në ujë. Sepse vazhdon të jetë mbizotërues klani nepotike familjare që sundon gjithandej. Ku vendin e specialistit e zë gjysmë analfabeti që nuk ka mbaruar as arsimin e mesëm, po në xhep ka më shumë se 2 diploma që i ka blerë në tregun e lirë. Kryesorja është përfaqësues i klanit familjar duke arritur gjithnjë të fitojë konkurset, apo testet që kryhen në mënyrën më hipokrite. Të paktën, askush nuk mund të thotë se kemi një administratë që di t’i shërbejë popullit. Thjesht kemi një administratë groteske që për turp të zotit nuk dihet se kur do të mund të lirohet nga pjesëtarët e familjes, apo ata që i ndërrojnë Partitë si mbreti gratë me të vetmin synim: të mbajnë vendin e punës. Prej të tillë mostrave që u ngjanë tamam mizave të kalit nuk ka arsye të presim ndonjë ndryshim pozitiv të administratë. Po gjithnjë do të kemi një “me nder me thënë, administratë”. Të tillë administratë të mbushur me miza kali e kemi kudo: në pushtetin lokal dhe në atë qendror. Mizat e kalit sot janë e vetmja stoli në të gjithë institucionet, në të gjitha Ministritë, në të gjitha bashkitë, ku gjithandej janë vëllezërit, kushërinjtë, baxhanakët, hallat, tezet, kanatat e kunetërit të deputetit, të kryetarit të Partisë e të bashkisë. Të gjithë këto miza kali nuk dinë tjetër gjë vetëm të përzihen e të llokoçitin punët e të tjerëve, po asnjëherë nuk arrijnë të zgjidhin një punë. Deri tani, ende në të radhë kemi parë ndonjë kompetent në krye të punës. Kryetarët e Partive, apo ushtarët e tyre (deputetët) e dinë situatën, por heshtin. Sepse janë vetë arkitektët e kësaj situate groteske që dalëngadalë po i largon masivisht shqiptarët nga kutia e votimit. Dhe kjo klasë politike ka nisur të trembet. Ndaj si zgjidhje ka gjetur detyrimin me ligj të popullit për t’iu drejtuar kutisë së votimit. Një situatë groteske që vështirë se do të gjejë zgjidhje. Thjesht të pakënaqurve do t’u imponohet shkuarja në kutinë e votimit, po votimi i fshehtëq do të sjellë vetëm grumbullin e zhgarravitjeve. Po jo vota në favor të lloj lloj malukati që na jep si detyrim të votojmë çdo lloj kryetari Partie i përjetshëm. E habitshme është shpejtësia që klasa politike ka analizuar braktisjen e saj nga votuesi që u vërtetua në zgjedhjet e 25 qershorit. Shpejtësia për të gjetur një zgjidhje pa dëmtuar veten e saj. Dhe zgjidhja që propozon duke vendosur në ligj detyrimin për të votuar, është zgjidhja me idiote që mund të gjendet në këtë fillim demokracie në këtë Shqipërinë tonë që sa shkon e po varfërohet. Në frikën që i ka kapur të gjithë nga varfëria dhe frika se mund të largohen nga puna, braktisja e kutisë së votimit është shprehja evidente e pakënaqësisë ndaj kësaj klase politike. Aq sa tashmë shumica e shqiptarëve i thonë: me nder me thënë më mirë m…. se, kjo klasë politike. Janë vetë drejtuesit e kësaj klase politike që ia kanë arritur të jenë të vetmit që na sjellin kandidatët, ndërsa popullit i ka mbetur vetëm të hedhë votën, janë këta kryetarë partish që na i sjellin kandidatët nga të mundin, por jo ata që i njohim dhe që na njohin. Është tamam kjo arsyeja që sot kemi deputetë që ende pa mbaruar arsimin e mesëm kanë në xhep 2 – 3 diploma universiteti. Ndërsa askush nuk na tregon si ia arritën të kenë një pasuri marramendëse me dhjetëra shtëpi banimi, apo pasuri të tjera të paluajtshme të ngritura brenda një kohe të shkurtër. Nuk është vështirë të kontrollohet burimi i të ardhurave të krijuara nga kjo klasë politike. Po korbi, korbit nuk ia nxjerr sytë. Kështu edhe kjo farë klase politike e ka të pamundur të kontrollojë vetveten, pasi e di mjaft mirë nivelin e lartë të përlyerjes në lloj lloj poshtërsish të panumërta. Bile ajo po përpiqet të mbrojë edhe gjyqtarë e prokurorët, shumica e të cilëve janë plazhistë të thekur të Durrësit. Sepse janë ata mbrojtësit e saj. Kështu njëra palë, mbron tjetrën. Ndërsa shumica e shqiptarëve vazhdon të varfërohet pa ndërprerje. Dhe tani, kur kërkon ta braktisë këtë farë klase politike, ajo gjen zgjidhjen me idioteske: votimin e detyruar. Por ky detyrim, vetëm zgjidhje e problemit nuk është. Thjesht, është vetëm një hap drejt diktaturës, të cilën shqiptarët e njohin mjaft mirë.