Vlorë, invalidët “përleshen” me fatorinot e shërbimit urban

526
Sigal

Shoqata e invalidëve, peticion bashkisë: Nuk na njohin kartën e invalidit. Kompania: Lekët e biletës, ose mos hipni në urban

I pazakontë ka qenë konflikti, që ka ndodhur sot në stacionin e shërbimit urban tek xhamia e qytetit, çka ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe njerëzve që rastisën aty. I pazakontë, jo se nuk ka sherre dhe konflikte në Vlorë, por për vetë palët që kanë pasur konflikt. Drejtuesi i autobusit urban dhe fatorinoja, nuk nisnin mjetin pa zbritur në tokë dy invalidë që nuk paguanin biletën. Këtë veprim jo ligjor, antihuman nuk u riparua as me ndërhyrjen e qytetarëve që debatuan duke ju ardhur në krah invalidëve, por edhe për vonesën që po ju krijonte probleme për mos mbërritjen në kohë në destinacion.

Konflikti

Dy qytetarët invalidë, njëri prej tyre paraplegjik, kanë treguar librezën e invalidit, kur fatorinoja u ka kërkuar të presin biletën e urbanit. “Ne nuk duhet të paguajmë, e kemi shërbimin falas”, – janë shprehur ata, teksa ndeshen me këmbënguljen e fatorinos, që nuk e njeh këtë dokument, pasi është kompani private. Të fyer për këtë qëndrim, dy invalidët kanë ngulur këmbë se nuk do të paguajnë biletën dhe as nuk do të zbresin nga urbani, sikurse kishte dhënë “ultimatum” faturino. Ka mjaftuar kjo përplasje, që shoferi të fikë motorin deri sa të zgjidhej problemi, që sipas tij, ose të zbrisnin, ose të paguanin biletën.

Kërkojmë të respektohet ligji dhe të ruajmë dinjitetin

Me të drejtë në debatin e ndezur, invalidët janë shprehur, të mbështetur edhe nga opinioni qytetar, se nuk është problemi se nuk kanë aq qindarka sa për të paguar një biletë urbani, porse ata kanë kërkuar që të respektohet ajo çka është vendosur në rregulloren e shërbimit urban nga bashkia e qytetit, çka do të thotë që invalidët duhet të udhëtojnë falas.

Reagon Shoqata e Invalidëve

Pas këtij incidenti, ka reaguar shoqata e invalidëve, që i ka kërkuar bashkisë së qytetit, të ndërhyjë në kompaninë private përderisa nuk zbaton ligjin dhe nuk respekton këtë kategori shoqërore, që ka aq nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe të vetë komunitetit. Me teserën e invalidit, sipas ligjit, ju krijohen mundësi invalidëve për të lehtësuar sadopak shërbimet financiare edhe për nevoja të tjera dhe aq më pak kur bëhet fjalë për një biletë urbani. Shoqata ka dërguar një peticion kreut të bashkisë, Shpëtim Gjika, ku kërkohet që të ndëshkohet kompania private e shërbimit urban, që duhet të njohë teserën e invalidit dhe të mos fyejnë këtë shtresë në nevojë me veprimet e saj arbitrare, duke u bërë publike nëpër stacionet e shërbimit urban.

Bashkia

Në një konfirmim që ka bërë për gazetën “Telegraf”, njëri nga punonjësit e sektorit të Shërbimeve Publike pranë Bashkisë së Vlorës, është shprehur se, shërbimi urban që varet nga bashkia, e respekton teserën e invalidit dhe të pensionistëve, sipas një urdhri të kryetarit të bashkisë, z. Shpëtim Gjika duke ju mundësuar udhëtimin falas me urbanë, në të gjithë destinacionet. Kjo, do t’i kërkohet edhe kompanisë private të shërbimit të udhëtarëve, që ka një kontratë me bashkinë e qytetit.

Sherre

Por në shërbim urban në qytetin e Vlorës, sherret nuk kanë të sosur. Përplasje ka midis kompanisë private dhe asaj shtetërore që varet nga bashkia e qytetit. Janë të shumta rastet, kur rastisin dy urbanët në të njëjtën kohë në të njëjtin stacion. Ndoshta më pas që njëri nga mjetet, që nuk mundi të marrë pasagjerët, të udhëtojë me shpejtësi, për t’i marrë pasagjerët në stacionin më të afërt. Kjo “garë”  për pasagjerët ka çuar edhe në përplasje fizike mes tyre, duke kërkuar edhe prezencën e forcave të rendit.

Problemi

Rregullatorja e shërbimit urban është bashkia e qytetit dhe nëse ka kaos, përgjegjës është ky institucion. Kjo për faktin se duhet të ndahen linjat e udhëtimit brenda në qytet, të vendosen oraret në mënyrë të tillë, që të mos qëndrojnë në të njëjtën kohë nëpër stacione. Në bashkëpunim me Policinë Rrugore, bashkia duhet të kërkojë shërbimit urban, që të mos ndalojnë jashtë stacioneve për të marrë apo zbritur udhëtarët. Kjo garë është kthyer në një problem më vete që ka penguar trafikun e rrezikuar qytetarët.