Sigal

TIRANË- Plot 500 efektivë të forcave të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e Ridvan Zykajt, 24-vjeçarit që vrau 8 persona pasditen e djeshme në fshatin Resulaj të Selenicës, të gjithë anëtarë të një familjeje, mes tyre dy të mitur. Burime zyrtare bëjnë me dije se operacioni është drejtuar dhe koordinuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili ka qenë edhe vetë në terren.

Forcat e policisë ishin të reparteve FNSH, Delta, RENEA, policia e Vlorës, Orikumit, stacioni i Selencisë, Policia e Shtetit etj. Mësohet se gjatë operacionit janë përdorur kamera termike, dylbi nate, dylbi dite dhe qen gjurmimi. Po kështu nga ana e drejtuesve të operacionit janë porositur komandantët e grupeve që të bëjnë kujdes sepse autori ishte i armatosur. Policia ka përdorur edhe metoda përgjimi por autori e ka mbyllur telefonin pas orës 23:30.

Burimet thanë se kontrolli është bërë me dy skalione. Një grup ka qenë me perimetër të gjerë, shumë larg vendit të ngjarjes dhe grupi i dytë ka nisur kontrollin nga shtëpia ku ndodhi ngjarja drejt grupit tjetër, duke formuar kështu një rreth dhe më pas duke e mbyllur deri në kapjen e tij. Terreni ishte i hapur dhe ishte e vështirë të kapej se mund të qëllonte. Forcat e policisë të veshura me kamuflazh janë zvarritur deri sa u afruan me kujdes, pasi autori duke qenë i armatosur mund të hapte zjarr.

KAPJA
Ridvan Zykaj është konstatuar me dylbi rreth orës 5 të mëngjesit. Nga policia i është bërë thirrje, “Dorëzohu hidh armën” dhe nuk ka pasur rezistencë nga ana e 24-vjeçarit. Ai ka qenë i fshehur mes shkurreve në periferi të Selenicës, ka hedhur armën dhe është dorëzuar.

Nuk ka folur asnjë fjalë dhe krejt i qetë ka pranuar arrestimin. Po kështu nuk ka shfaqur shenja pendese. Ndërkohë që u përfol se mund të kishte qenë i dehur, burime nga grupi i arrestimit bënë me dije se 24-vjeçari nuk kishte shenja të konsumimit të alkoolit.