Vlora, festoi fitoren e Kombëtares me varka te Sheshi i Flamurit

636
Gjithë vendi ynë, dje në 12 tetor u gdhi nën rrebeshin e shiut të parë të stinës së vjeshtës, i cili vazhdoi të binte edhe gjatë gjithë ditës. Mirëpo, shumë qytete u mbuluan nga sipërfaqe të mëdha të ujit, ku përrenjtë e rrëmbyer, që u formuan nëpër rrugët e qyteteve, shkaktuan dëme të mëdha në pronat e qytetarëve. Një qytetar 50 vjeçar, Luan Qarri, i ndodhur në makinën e tij në rrugëtim, në Radhimë të Vlorës, u rrëmbye nga uji dhe humbi jetën. Shumë rrugë nacionale, (të ndërtuara sipas pretendimeve, me standarde bashkëkohore) u bllokuan nga rënia e gurëve, ndërkohë që shumë rrugë të tjera, brenda qyteteve, por edhe jashtë tyre, u bënë të pakalueshme. Nuk është rastësi, dhe as hera e parë, që një shi i vjeshtës, të shkaktojë përmbytje të qyteteve dhe kaotizëm të përgjithshëm në gjithë vendin. Politika kujtohet vetëm kur ndodh katastrofa e përmbytjeve, që të ngrejë shtabe të urgjencës dhe të emergjencës, ndërkohë, që kohën tjetër, jo vetëm që nuk merr asnjë masë për të parashikuar të tilla katastrofa dhe t’i shmangë, por me papërgjegjësinë bëhet shkaku kryesor i ndodhisë të përmbytjeve, derisa nuk kryen si duhet dhe brenda standardeve punimet kulluese, qoftë edhe në rrugët kryesore të qyteteve të mëdha, por më së shumti, fondet e përdorura për këtë qëllim janë shpërdoruar. Katastrofa të përmbytjeve edhe brenda qyteteve, kanë ndodhur disa herë, por, asnjëherë, askush nga drejtuesit vendorë dhe të pushtetit qendror nuk është venë përpara përgjegjësisë përse dhe kush është përgjegjës, kush janë ata që kanë spekuluar me fondet, kush ka shpërdoruar ato. 

Ironia, qytetarët vlonjatë festojnë fitoren e Kombëtares me …varka!

Dje Kombëtarja e Shqipërisë arriti të shkruajë histori, duke fituar në Armeni 3-0, por edhe duke u kualifikuar njëkohësisht, për herë të parë në finalet e Kampionatit Europian Francë 2016. Dhe ironia është se qytetarët vlonjatë, të entuziazmuar nga krenaria e madhe kombëtare, festuan këtë fitore historike te Sheshi i Flamurit dhe rrugëve të Vlorës me …varka, pasi gjithë qyteti ishte i (për)mbytur nga shiu. Vlora është edhe zona elektorale e kryeministrit Rama dhe e superdeputetit Kokëdhima, të cilët dje nuk u dukën fare në qytetin e Vlorës, për të dëftuar nga afër solidaritet me qytetarët, të cilët i votuan në 2013, por edhe për të parë nga afër dëmet dhe për të organizuar ata vetë edhe masat urgjente të shpëtimit, por edhe për të dhënë kurajë dhe ndihmë të qytetarët vlonjatë. Një qytetar (Luan Qarri) u mbyt afër një ure te rruga e Rradhimës, pasi rryma e ujit rrëmbeu makinën e tij. Reshjet e dendura që zgjatën për disa minuta shkaktuan probleme në rrugë ku lartësia e ujit arriti në disa centimetra. Situata më e vështirë u krijua në zonën e Skelës dhe në zonat periferike, ku uji ka hyrë në disa biznese. Për orë me radhë qarkullimi ishte mjaft i vështirë, ndërsa situata paraqitet problematike në të gjithë qytetin pasi niveli i ujit është rritur ndjeshëm. Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të dendura është përmbytur kati i parë i bibliotekës Shefqet Musaraj, si dhe makina e parkingje nëntokësore. Po ashtu bëhet me dije se dhe Pediatria është përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut. Më problematike është zona e Skelës, por dhe dhjetëra e dhjetëra akse rrugore janë kthyer të pakalueshëm për shkak të prezencës së ujit. Shkak për situatën e djeshme në Vlorë janë bërë mosfunksionimi i dy pompave të hidrovoreve. Në rast se këto dy pompa do të funksiononin, situata në Vlorë nuk do të ishte e këtyre përmasave. Dje në Vlorë u shkaktuan përmbytje në pjesën më të madhe të qytetit. Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet: 24 Maji, Pavarësia 5 Tetori. U evakuuan 20 familje me rreth 50 persona nga shtëpitë që janë përmbytur në këto lagje, ku 3 prej tyre u dërguan në Spitalin Rajonal për trajtim mjekësor. Disa prej segmenteve që lidhin qytetin e Vlorës me Fierin, Orikumin dhe fshatrat përreth u bënë të pakalueshme, si rezultat i inerteve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm. U raportua edhe për qindra krerë bagëtish të ngordhura nga përmbytja.

Fieri nën ujë

Por stuhia me reshje shiu gjatë orëve të natës ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në Fier. Lumi Gjanica ka dalë nga shtrati duke vërshuar rrugëve të qytetit. Si pasojë, lagja ‘1Maji’ është përmbytur, ku niveli i ujit ka arritur lartësinë 2 metra. Lumi vijon prurje të mëdha, ndërsa rreziku pritet të rritet dhe në orët në vijim, pasi reshjet do të rinisin. Në Fier u bë edhe evakuimi i banorëve të sëmurë drejt zonave të sigurta. Lumi i Gjanicës ka dalë në unazë dhe ka ndërprerë qarkullimin rrugor duke bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve drejt Vlorës. 550 ndërtesa të përmbytura në Fier, si dhe 150 lokale. Ndërkohë janë evakuuar 60 familje nga banesat e tyre për shkak se rrezikonin. Situata paraqitet kritike kryesisht në lagjen “1 Maji” , tek ura me shkallë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, tek lagjja “Liri” dhe “Sheq i madh”. Mëngjesi i djeshëm ka gjetur qindra biznese e banesa që ndodheshin në katet e para të përmbytura nën ujë. Reshjet e shiut po kthehen dhe pritet sërish përsëritja e situatës.

Edhe rrugët e Elbasanit të përmbytura

Përveç Jugut të vendit, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Elbasan. Sipas raportimeve nga terreni, disa rrugë të këtij qyteti janë totalisht nën ujë. Bëhet fjalë për “Rrugën Rinia” dhe “Rrugën e Re”. Për shkak të sasisë së madhe të reshjeve, kolektorët nuk përthithin dot sasinë e madhe të reshjeve. Si pasojë e reshje të rëna në këtë qark gjatë të ditës së djeshme dhe në vazhdim, ka pasur një devijim të rrugës aktuale të Aksit rrugor Elbasan-Gramsh, në aksin e vjetër Elbasan-Tregan-Gramsh. Për pasojë pati bllokim të qarkullimit të automjeteve në këtë segment rrugor.

Bllokohet aksi rrugor Korçë-Ersekë

Në aksin nacional Ersekë-Korçë ka pasur bllokime të rrugës nga inertet po punohet për hapjen e normalizimin e situatës. Në bashkinë Ersekë raportohet se janë mbytur një sasi e konsiderueshme e bagëtish. Moti i keq ka goditur dhe Ersekën, ku për shkak të reshjeve të shiut dhe inerteve ka dalë jashtë funksionimit ujësjellësi. Për pasojë qindra qytetarë aktualisht janë pa ujë të pijshëm. Kreu i Bashkisë bën të ditur se do të ndërhyhet për largimin e inerteve. Raportohet se rreth 500 dele janë mbytur në Ersekë përgjatë kullotave në pjesën e poshtme të malit të Gramozit. Delet e ngordhura janë shpërndarë përgjatë rrjedhës së lumit që ka vërshuar duke dalë dhe nga shtrati. Gjithashtu, uji ka marrë me vete dhe një autobus dhe e ka çuar poshtë rrjedhës, fatmirësisht pa dëme në njerëz. Erseka përveç ndërprerjes së energjisë nga stuhia me erë dhe shi, dëme janë shkaktuar dhe në rrugë ku inertet kanë bllokuar rrugën. Aksi Banjë -Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli. 
600 banorë të Picarit, Golemit e Kolonjës të izoluar
Rreth 600 banorë të fshatrave të ish-komunës Picar janë izoluar për gati 10 orë si pasojë e shembjes së urës që lidh tre fshatrat Picar-Golem- Kolonjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit si rezultat i reshjeve të dendura ,të cilat po mbizotërojnë në jug të vendit gjatë 24 orëve të fundit. Në qarkun e Gjirokastrës situata paraqitet problematike edhe në akset rurale të 7 bashkive të këtij qarku, konkretisht në segmentet ku lidhen zonat Sopik- Skore (Gjirokastër), Frashër-Piskovë- Ballaban (Përmet), Tepelenë- Progonat- Benç dhe në kthesën e Memaliaj. Gjithashtu e vështirë ka qenë lëvizja në orët e para të mëngjesit në segmentin kryesor të qytetit të Gjirokastrës si dhe në disa nga lagjet e saj.
LUSHNJË
Gjendja nuk paraqitet e mirë as në Lushnje. Në zonat e Myzeqesë problem është ndërprerja e energjisë elektrike, ndërsa jashtë funksionit kanë dalë disa kanale kulluese. 
SKRAPAR
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Skrapar, ku rrugët janë përmbytur, ndërsa është dëmtuar ujësjellësi dhe sistemi i kanalizimeve. Po ashtu raportohet se vërshimi i ujërave ka dëmtuar një këmbë të urës së Kasabashit, ndërsa muri rrethues i shkollës “Zylyftar Veleshnja” është shembur.
DURRËS
Reshjet e shiut kanë shkaktuar mesditën e sotme përmbytje dhe në Durrës. Uji ka arritur në trotuare dhe është bërë i pamundur qarkullimi brenda në qytet. më rrezik përbëjnë pusetat e hapura dhe në zonat ku ndërtohen kabllo elektrike që mund të kenë mbetur zbuluar të cilat kthehen në rrezik për qytetarët. Problematike është dhe zona e tregut të qytetit, ku tregtarët shprehen se malli u është dëmtuar duke hyrë në magazina. 
LEZHË
Por hartës së përmbytjeve u është shtuar dhe qyteti i Lezhës. Si çdo stinë shirash, Lezha nuk bëri përjashtim as këtë vit nga përmbytjet. Disa lagje në këtë qytet si ajo ‘Skanderbeg’ e zona e spitalit janë prej mesditës nën ujë. Shkak për përmbytjet është bërë mospastrimi i kanaleve kulluese. 
Politika bën lojën e kungulleshave me fatkeqësinë e përmbytjeve
E ndërsa shumë qytete në vend janë skicuar në hartën e përmbytjeve si pasojë e reshjeve të shiut të rëna me intensitet, opozita dhe maxhoranca bëjnë lojën e kungulleshave, për t’i hedhur palës kundërshtare fajin, por që askush nga ata nuk doli dhe të shkonte në krah dhe në ndihmë qytetarëve të përmbytur, për t’u dhënë kurajë, ndihmë dhe shpresë se nesër nuk do jenë më në mëshirën e shiut. Kryetari i PD, Lulzim Basha reagon nga kolltuku i rrjetit social, pasi, siç duket, ka frikë se mos laget, që të dalë e të shikojë përmbytjet në qytete dhe të jetë pranë qytetarëve, ngaqë ka harruar çadrën në zyrë. Nga rrjeti social, kryetari i PD i përcjell ngushëllime familjes së Luan Qarrit, i cili u mbyt, dhe njëkohësisht i bën thirrje qeverisë që të marrë masa për të shmangur viktima të tjera në njerëz, duke theksuar se jeta e qytetarëve është prioritet absolut. Kryetari i PD, duke qenë se vet e ka të pamundur të lëvizë nga kolltuku, i kërkon qeverisë “Të veprohet me shpejtësi dhe të zbresin në terren me të gjitha forcat dhe mjetet, aty ku bashkëqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera”. Por Basha harron që 8 vjetët e qeverisjes së PD, ku edhe ai ishte ministër, nuk u bë asgjë për të përmirësuar veprat e kullimit, qoftë brenda qyteteve, por edhe për akset nacionale të rrugëve, për të cilat Basha ishte edhe ministër i Transporteve. 

Rama reagon: Vajmedet PD që bën politikë me shiun

Edhe pse zona e tij elektorale, Vlora u përmbyt, kryeministri nuk e pa të arsyeshme që të shkonte e të ndodhej mes votuesve të tij, për t’u dhënë nga afër ndihmën, por veçse, reagoi, po nga kolltuku i rrjeteve sociale, për t’iu kundërpërgjigjur kryetarit të PD, Lulzim Bashës. Sipas kryeministrit, PD është bërë për të qarë hallin dhe bën politikë me fenomenin natyror, shiun. ‪“‎Vajmedet PD‬ që bën politike dhe me shiun e që u qan hallin njerëzve nga streha e SHQUP-it për qeverinë e keqe që nuk kufizon prurjet e shiut!”, shkruan Rama në rrjetet sociale, pasi ishte tepër i zënë me ndeshjen e Kombëtares dhe nuk gjeti kohë, të dilte në terren.
Loja e kungulleshave, Basha vazhdon reagimin e radhës
Pas reagimit në rrjetet sociale, të kryeministrit Rama, Basha ka kërkuar edhe njëherë mobilizimin e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë të përmbyturve në Vlorë e në Fier.

Ministri Panariti: Të jemi gati, situata do përkeqësohet

Ministri Panariti ka qenë i vetmi zyrtar i lartë i qeverisë që ka shkuar në Lushnjë, duke parë nga afër pasojat e përmbytjeve, duke pohuar, paskëtaj, se situata do të shkojë drejt përkeqësimit në ditët në vijim, si pasojë e reshjeve që pritet të intensifikohen. Shqipëria ashtu si dhe Holanda pritet të jenë dy vendet që do të goditen nga reshjet më të dendura të këtij sezoni. Tani kemi hyrë në sezonin e reshjeve dhe intensiteti i shirave në ditët në vazhdim pritet të shtohet. Prandaj na duhet të marrim të gjitha masat e mundshme. Situata në teren nuk është aspak e mirë dhe mund të përkeqësohet”,- ka thënë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai ka vijuar më tej duke thënë: “Duhet të marrim masa që të furnizojmë pa ndërprerje me energji elektrike hidrovorët, gjë që nuk ka ndodhur në 24 orët e fundit. Duhet të mobilizohemi të gjithë për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme të reshjeve. Të shfrytëzojmë ditët në vijim që nuk do të ketë reshje për të garantuar furnizimin me energjinë elektrike dhe për të mobilizuar të gjitha strukturat e emergjencave civile që të minimizojnë dëmet.

Sigal

Petraq BARJAMI