Vlerat e një shoqate në histori

1059
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Shoqata Tërbaçi bën histori
Shoqata Atdhetare Kulturore Tërbaçi, bëri një takim pune të degës së Tiranës, që drejtohet nga kryetar Hasan Hoxha. Qëllimi i mbledhjes ishte organizimi i mëtejshëm i punë për përfundimin e Historikut të Trëbaçit në vitet 1945-2917. Kryetari i shoqatës Tërbaçi me qendër në Vlorë, Bexhet Rrapoj, evidentoi punën e bërë nga grupet e punës dhe shtjelloi në gjerësi të gjtihë strukturën dhe kapitujt e historikut të fshatit Tërbaç. Qëllimi kryesor i historikut është të pasqyrohet gjerësisht puna e bërë në këto vite historike, përpjekjet e të gjithë tërbaçiotëve për të arritur ndërtimin e mirëqenies në fshatin Tërbaç, por dhe kudo ku jetojnë dhe punojnë të gjithë tërbaçiotët. Nëpërmjet këtij historiku bijtë dhe bijat e tij, kudo që banojnë, të njohin këtë pjesë të historisë së prindërve dhe të gjyshërve të tyre dhe të mos e harrojnë origjinën, por kur tu krijohet mundësia të shkojnë në fshat, ta shohin atë dhe të dhe të shohin e të çmallen me njeri-tjetrin. Fshati Tërbaç ka një histori të hershme dhe historiku i Tërbaçit nga Lashtësia dhe deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore është i publikuar me titull “Tërbaçi në rrjedhat e historisë”, botuar nga Shtëpia Botuese TOENA në vitin 1998. Në këtë historik është pasqyruar historia shekullore, aktet heroike të trimave e luftëtarëve për trojet tërbaçiote në shekuj. Aty janë të pasqyruara gjerësisht vendet historike ku janë marrë vendime të rëndësishme në të gjitha etapat e organizimit dhe të zhvillimit shoqëror. Gjerësisht janë pasqyruar luftëtarët për mbrojtjen e trojeve, për liri e pavarësi nga Lulo Abaz Memeti, Shako Xhaka, Lab Aliu, Dulo Koka, Zenel Hodo etj. Kujtohet vajza dhe trimëresha, Miro Tërbaçi që mori hak për vëllanë. Kujtohen Heronjtë e Popullit Hysni Kapo, Halim Xhelo, Haredin Bylyshi, Vebi Hoxha, kujtohen 61 dëshmorët të LANÇ-it që janë krenaria e historisë së tyre. Tërbaçi është vendi i kulturës dhe i punës ndërtimtare. Shifrat flasin se në periudhën 1910-1935 numëronte 10 mësues, ndërsa në periudhën nga 1954-2017 kanë dalë mbi 270 mësues, ku mbi 30 janë me titullin doktor shkencash dhe mbi 30, profesor doktor 12, ku do të veçohet Bardhosh Gaçe një akademik me njohje ndërkombëtare. Nga të të rinjtë veçohet Prof. Dr. Elton Leka Skëndaj, pedagog në një universitet në SHBA dhe Aulona Beqiraj, doktore shkencash dhe drejtore e Institutit të Ullirit.

Tërbaçi i punës ndërtimtare
Tërbaçi është dhe i punës, i bujqësisë dhe i blegtorisë. Duke ju përshtatur kushteve natyrore, duke zhvilluar blegtorinë, e cila gjithmonë ju ka kërkuar tërbaçiotëve sakrifica. Në vazhdim të traditës shekullore, vazhdojnë më tej zhvillimin e blegtorisë mjaft familje si të Ritvan Shirokaj, Luan e Naim Gjondedaj, Adnad Barjamaj, Kastriot Gjokaj, Alush Memeti etj,. të cilët kanë mbi 350 krere, bagëti të imta. Tërbaçiotët merren dhe punojnë, duke shfrytëzuar në maksimum atë pak tokë që kanë. Vitet e fundit duke u nisur nga përvoja disavjeçare zhvillojnë dhe pemëtarinë e vreshtarinë, ku më mirë e kanë kultivuar Xhelo Jahaj, Shyqyri Miftari, Guri Matushi etj. Me interes përvoja e Bledar Salatit që ka mbjellë mbi 500 rrënjë lajthi. Fshati ka një reliev të thyer, për të cilin kërkohen në vijimësi edhe politika mbështetëse e stimuluese si nga shteti, bashkia dhe shoqëria. Për të gjitha këto dhe punën ndërtimtare që është bërë në forcimin e kooperativës, të kësillit popullor, të organeve drejtuese të saj, të organizatave të partisë, të rinisë, të frontit, të gruas, të veteranëve etj., do të gjejnë një vend të dukshëm gjatë shtjellimit të historikut të fshatit.

“Ruani traditën…”
Virtyt i veçantë për të gjithë tërbaçiotët është uniteti, dashuria dhe mirëkuptimi me njeri-tjetrin. Në vazhdimësi i kanë zgjidhur me mirëkuptim çdo konflikt që u është krijuar. Faktet flasin se aty nuk janë trashëguar hasmëri. Ky unitet i tërbaçiotëve është shpjeguar shqip se emri Tërbaç vjen nga “Tër” “Bashkë”. Në të vërtetë emri ka mbi dhjetë shekuj prejardhje sipas studiuesit Dr. Selim Beqiri që daton shumë herët nga vitet 900. Nga kjo trashëgimi, figura tërbaçiote kanë dhënë kontribute për zgjidhje konfliktesh dhe jashtë fshatit si Sinan Abazi, Laze Malo e Laçe Hoxha. Uniteti më solid dhe që mori vlera të reja u shfaq më shumë gjatë LANÇ-it. Për këtë unitet vlen të përmendet biri i Tërbaçit i cili ka luajtur një rol parësor në ruajtje e zakoneve, të traditave dhe të shkueshmërisë së mirë midis fiseve, mëhallëve e vëllazërive të fshatit, ky ishte Hysni Kapo, i cili dhe ata që qëndruan indiferent në luftë dhe nuk u angazhua në të, pas çlirimit, nuk u degraduan, por vijuan punën si të gjithë të tjerët. Ndaj si në monizë dhe sot në demokraci vijon tradita dhe porosia e të parëve që na lanë amanet: “Ruani traditën, respektoni miqësitë, forconi vëllazërinë dhe duajeni njeri-tjetrin”.

Roli i shoqatës për realizimin e misionit
Një vend të veçantë në këto vite të demokracisë po zë dhe roli që ka shoqata për realizimin e misionit të saj, traditat dhe kulturën, patriotizmin dhe dashurinë për njeri-tjetrin, duke organizuar dhe zhvilluar mjaft veprimtari edukuese, kulturore dhe çlodhëse. Gjatë këtyre viteve shoqata ka organizuar mjaft aktivitete përkujtimore për ngjarje, data historike dhe figura të rëndësishme të cilat i kanë shërbyer ruajtjes së vlerave historike. Në kohën e demokracisë ka pasur angazhim të dukshëm nga intelektualë për promovim e zhvillim të vlerave historike e punëtore të Tërbaçit. Veçim bëhet për Dr. Selim Beqiri, prof. dr. Bardhosh Gaçe, Tofik Deda etj, të kanë bërë detyrën si patriot dhe tërbaçiot. Për promovimin e vlerave historike, ngjarjet, figurat e Tërbaçit, punën dhe përpjekjet e çdo tërbaçioti ka qenë dhe shtypi. Shoqata ka shtypin e vet, gazetën “Çika e Tërbaçit”. Vitet e fundit, edhe në saj të organizimit të bordit me kryeredaktor Bardhosh Gaçen, ka vazhduar botimi normalisht dhe me cilësi të mirë. Vlen për t’u përgëzuar dhe puna që bën në vijimësi për gazetën sponsorizuesi dhe bijtë e Tërbaçit Flamur Çela e Hasan Mali, që po japin një kontribut të dukshëm dhe po shtojnë vlera për të gjithë. Përveç gazetës së shoqatës, janë bërë botime dhe në gazeta të pavarura kombëtare, të cilat kanë pasqyruar përpjekjet që bëhen për ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të banorëve të Tërbaçit.

Vlera e folklorit
Puna e bërë nga intelektualë të Tërbaçit, në vite ka lënë gjurmë. Arritje ishte dhe krijimi i grupeve folklorike që në viti 1960, me nismën e Mujo Gjondeden. Organizator dhe krijues i këtyre grupeve ka qenë poeti i apasionuar dhe krijuesi Kujtim Miçi. Këngëtar të këtyre grupeve dhe të vlerësuar kanë qenë Syrja Hodaj, Sinan Hoxhaj, Nebi e Bilbil Xhaka, Ferzilete Barjami, Nazie Dautaj etj. Pjesëmarrje ka qenë e gjerë si burra, djem, vajza dhe gra. Këto grupe me arritjet e tyre i kanë ngritur vlerat Tërbaçit, duke bërë të njohur dhe ndërkombëtarisht me çmimin e fituar në Francë. Grupe kanë kënduar për konkurrim jashtë Tërbaçit, ato nuk kanë munguar të këndojnë edhe për bashkëfshatarët e tyre në vijimësi. Në kohë të reja janë bërë organizime me mundësi nga disa të rinj, me organizator Endri Hodo, djali i këngëtarit të talentuar, Syrja Hodaj. Disa gra, ish-pjesëtare të grupeve të vitit 1976, janë riorganizuar. Kështu nën drejtimin e Albert Habazaj është krijuar dhe funksionon suksesshëm grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit”. Anëtarët e shoqatës diskutuan dhe përcaktuan edhe kohën e përfundimit të botimit të historikut të fshatit Tërbaç për periudhën nga viti 1945-në vitin 2017. E rëndësishme ishte se të gjithë anëtarët u solidarizuan që botimin ta bëjnë duke kontribuar të gjithë anëtarët e shoqatës. Për punë të vlerësuar dhe organizim të mirë në vite, Hasan Hoxha nga Shoqata “Labëria”, u vlerësua me “Mirënjohja e Labërisë”
Sigal