Vlera e importeve farmaceutike arrin rekord në dhjetor prej pandemisë, 25 milionë euro

410
Sigal

Vlera e importeve e produkteve farmaceutike shënoi rekord historik gjatë muajit dhjetor si pasojë e kërkesës së nxitur nga pandemia Covid -19.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë dhjetorit 2020 u importuan mbi 3 miliardë lekë produkte farmaceutike ose 25 milionë euro me një rritje 19 për qind me dhjetorin e vitit të kaluar.

Vlera e importeve në dhjetorin e vitit 2020 ishte me larta krahasuar me të njëjtin muaj që nga viti 1990.

Pavarësisht se vlera e importeve u rrit, sasia e tyre rezultoi me ulje të lehtë. Kjo tendencë, sipas kompanive të mëdha të tregut, lidhet me faktin se për nevojat pandemike po importohen disa produkte me çmim të lartë.

Në total gjatë vitit 2020 importet e produkteve farmaceutike shënuan një vlerë prej 25 miliardë lekësh ose 205 milionë euro me një rritje rreth 4 për qind në raport me një vit më parë.

Në mars- prill, pas karantinës, kompanitë farmaceutike nxituan të importonin, teksa situata ishte e pasigurt, duke krijuar edhe stoqe.

Kjo çoi në rënien e importeve në muajt në vijim, duke u rritur sërish më pas ndjeshëm në tre muaj e fundit të vitit 2020, si rrjedhojë e shtimit të kërkesës pas rritjes së rasteve të Covid-19. Burimet nga tregu pohojnë se tendenca e importit të produkteve që lidhen me pandeminë do të jetë e lartë edhe tre muajt e parë të vitit.

Përfaqësuesit e zinxhirit të tregut farmaceutik që nga depot deri të shitjet me pakicë pohojnë se vala e dytë e virusit sidomos përshkallëzimi në nëntor ka nxitur konsumin e shumë medikamenteve.

Mjekët dhe farmacistët pohojnë se pandemia ka rritur shitjet e një bazë të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin grupin e suplementeve, vitaminave, antibiotikëve, kortizonikëve, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozet, antinflamatorët, antidepresante, antiulceroze etj dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.

Të dhënat mbi tregtinë me pakicë tregojnë se sektori i farmaceutikës shitjet më të mëdha i realizon në periudhën e dimrit sidomos në muajt, dhjetor, janar dhe shkurt. Ftohja e motit ndikon në përkeqësimin e barrës së sëmundjeve. Temperaturat e ulëta ulin imunitetin e për rrjedhojë rëndojnë sëmundjet kronike dhe e bëjnë më agresiv koronavirusin. Për këto arsye instituti i Shëndetit Publik kanë parashikuar një situatë të rënduar gjatë dimrit.

Të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë nga INSTAT që nga viti 2005 tregojnë se shitjet e medikamenteve janë përafërsisht 30% më të larta në periudhën e dimrit teksa rënia më e madhe shënohet në muajt e verës. Ky cikël lidhet me ndryshimin e motit dhe shtimin e virozave, të cilat nxisin shitjet.