VKM-ja që rikthen monopolet e miliardave të tenderave. Legjitimohet prokurimi i drejtpërdrejtë për tenderat.

211
Sigal

Qeveria rikthen monopolet e miliardave e tenderave

Legjitimohet prokurimi i drejtpërdrejtë për fondet publike, ndihmat, shëndetësinë

Pas  vendimit të  qeverisë Rama për krijimin e  drejtorisë që do të merret me menaxhimin e fondeve që vijnë nga BE, ku në krye do flitet se do të jetë Ilir Beqja. Ekspertë të ekonomisë shprehen se shtimi i agjensive dhe ministrive pa portofol mund të ketë qëllim për të fshehur vjedhjet që iu bëhen fondeve. Tashmë është vulosur dhe një tjetër vendim nga ku  miliardat e taksapaguesve  shqiptarë do u jepen me prokurim të drejtpërdrejtë oligarkëve dhe klientëve të përfolur për gllabërimin e tenderave kryesore dhe koncesioneve të mëdha.  Referuar “OPEN DATA” në këtë katër vjeçar janë finalizuar 25 kontrata koncesioni PPP me vlerë Investimi në total 138 037 594 809 Lekë ose 1 113 206 409 Euro. Fitimi i koncesionarëve ka rezultuar se është i garantuar, në mungesë të konkurrencës, që u mundëson kompanive të fiksojnë çmime më të larta, duke mos i shërbyer qëllimit final të ofrimit të së mirës publike me kosto sa më eficiente. Tashmë do jetë edhe më i lehtë ‘gllabërimi’ i tenderave, pasi vendimi i qeverisë lehtëson  procedurat pa konkurrencë.Ekonomia ka probleme të mëdha strukturore, gjë që po evidentohet qartë në mungesën e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, me të gjitha renditjet ndërkombëtare që e nxjerrin Shqipërinë të fundit në Evropë e rajon.

Përmes një vendimi të miratuar më 22 tetor, Qeveria I njeh vetes të drejtën të shmangë procedurat ligjore të zhvillimit të tenderave në emër të interesave thelbësore të shtetit.

Objekt i vendimit është  është përcaktimi i procedurës për lidhjen e kontratave të mallrave, punëve dhe/ose shërbimeve që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit. Ndërkohë që në dokumentin qeveritar specifikohet se qëllimi i këtij vendimi është përdorimi efektiv i fondeve publike dhe i çdo mjeti financiar ose kapital, i të drejtave të lidhura me to, për kryerjen e procedurave që diktohen nga interesat thelbësorë të shtetit.

Vendimi do të zbatohet për të gjitha procedurat e kontraktimit për mallra, punë dhe shërbime të nevojshme për kontratat që diktohen nga interesat thelbësorë të shtetit. Përpara fillimit të aplikimit të kësaj procedure, rast pas rasti, titullari i autoritetit kontraktor, me urdhër, miraton rrethanat e gjendjes në kushtet e interesave thelbësorë të shtetit dhe domosdoshmërinë e aplikimit të kësaj procedure.

Autoriteti kontraktor zgjedh procedurën e drejtpërdrejtë, pra pa konkurrim, në kushtet e një nevoje urgjente për mallra, për ndërtime dhe/ose shërbime, e cila është shkaktuar nga rrethana të jashtëzakonshme jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe koha në dispozicion për zgjidhjen e nevojës urgjente nuk është e mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurave të tjera, të parashikuara në këtë vendim.

Kontratat, që diktohen nga interesat thelbësorë të shtetit pas nënshkrimit të tyre, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontrata do të hyjë në fuqi pas këtij miratimi.

Në vendim parashikohen edhe rastet kur tenderat zhvillohen nën masa të posaçme sigurie, ndërkohë që njeh sit ë ligjshme edhe procedurat kur ofertuesit nuk paraqiten apo tërhiqen dhe në garë mbetet një ofertë e vetme. Këta lloj tenderash parashikohen të shtrihen në blerjen e mallrave, shërbimeve, por edhe të punëve publike, ndërkohë që më të avantazhuarit do të jenë ata që kanë të bëjnë me shëndetësinë.

Ministria përgjegjëse për shëndetësinë mund të lidhë kontrata të posaçme (Managed Entry Agreements ose MEA), me prodhues të një bari, kur prodhuesi është edhe Mbajtës i Autorizimit të Tregtimit të barit, ose me Mbajtësin e Autorizimit të Tregtimit të barit vetëm, në rastin kur prodhuesi nuk është Mbajtës i Autorizimit të Tregtimit për atë bar, në këto raste të veçanta: a) kur bari mund të sigurohet vetëm nga një prodhues/mbajtës i autorizimit të tregtimit, i cili zotëron të drejtat ekskluzive mbi atë bar; b) kur përdorimi i teknologjisë së barit mund të rrisë efikasitetin e trajtimit të pacientëve në spitalet publike dhe kur bari është alternativë e vetme për një sëmundje ose indikacion të caktuar; c) për sasi të garantuara bari, me çmim më të ulët se ai i deklaruar, miratuar nga ministria.