Vjedhjet në minoritet, reagon partia “MEGA”

579
Sigal

Për vite me radhë minoriteti nën sulmin banditesk të hajdutëve. Emergjente shërbimi policor në zonë

Përsëri një tjetër rast vjedhjeje, e mbetur në tentativë është regjistruar në fshatrat minoritare dhe pikërisht në fshatin Krane të Komunës Mesopotam të rrethit Delvinë, mbrëmjen e së mërkurës. Por ajo që ka revoltuar më shumë banorët e këtij fshati, është fakti se Kraneja brenda 10 ditëve të fundit ka rënë pre e vjedhjeve të pasurisë dhe banesave katër herë rresht dhe askush nuk vihet në prangat e policisë, ndaj ata kanë reaguar ashpër në një tubim mesditën e së enjtes në qendër të fshatit, ku kërkohen masa sigurie nga forcat e rendit dhe institucionet shtetërore përgjegjëse për sigurinë publike. Rasti i fundit, i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, pas orëve të mesnatës, kohë kur banorët e fshatit janë larguar nga qendra pas një festimi fetar. Por pikërisht, pas mbarimit të festës dhe largimit të banorëve nëpër banesa, banda hajdute ka menduar se është rasti i volitshëm për të realizuar vjedhjen e radhës. Dhe këtë radhë ka qenë dyqani i Thoma Davellës, në qendër të fshatit pranë oborrit të kishës, ku u zhvillua festa. Mesa duket rezultati i vjedhjeve të para, i ka bërë hajdutët të guximshëm deri sa t’i drejtohen qendrës së fshatit. Por këtë herë u ka prirë fati i keq. Djali i pronarit të dyqanit, Vangjel Davella, papritmas është kthyer drejt dyqanit për të marrë diçka që kish harruar, por ka parë se dyqani është hapur dhe tre persona po nxirrnin mallin dhe orenditë e pajisjet elektrike të dyqanit përjashta. U ka folur dhe është përleshur me ta fizikisht, por raporti numerik i ka shkaktuar fraktura dhe plagë në kokë dhe trup, por jashtë rrezikut për jetën. Momentet e përleshjes kanë zgjuar tek bashkëfshatarët kureshtjen se çfarë po ndodh në kishën e fshatit dhe janë drejtuar drejt sajë. Ky moment ka frikësuar tre personat protagonistë të vjedhjes së radhës dhe janë larguar me shpejtësi, por ky moment ka qenë gjithashtu edhe fatlumë për Vangjel Davellën, pasi largimi i grabitësve ka mundësuar edhe shpëtimin e jetës së tij, pasi vazhdimi i dhunës me mjete hekuri mund t’i rrezikonte seriozisht jetën. Policia e Delvinës, menjëherë pas marrjes së njoftimit, ka mbërritur në vendngjarje dhe po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe autorëve të ngjarjes.

Reagimi për “Telegraf”

Por ajo që theksuam që në fillim, banorët janë detyruar të mbajnë një tubim me kërkesat e tyre për siguri dhe rend publik. Lidhur me këtë ngjarje, partia e minoritetit grek në Shqipëri, MEGA, ka reaguar me një prononcim për gazetën “Telegraf”. MEGA, thekson se, për vite me radhë banorët e minoritetit po përballen me një situatë shqetësuese, si vjedhja e banesave e shoqëruar edhe me dhunë fizike ndaj banorëve, që kryesisht janë të moshës së tretë. Dhe ndodhin për vit dhe megjithatë asnjë i dyshuar nuk është shoqëruar nga policia, apo të zbulohet ndonjë autor i ngjarjes. Pikërisht ndaj këtij problemi edhe kryeministrit Berisha i është bërë prezente situata në zonat e minoritetit, shumica e tyre ndodhen edhe buzë rrugës Krane-Qafë- Botë që favorizon bandat hajdute dhe është marrë premtimi i krijimit të një pike policore në këtë zonë, por mbeti premtim. Ndaj, partia MEGA, i përsërit kërkesën qeverisë së re të zotit Rama, që ta marrë në konsideratë këtë kërkesë të MEGA-s për stabilizimin e situatës në fshatrat e minoritetit etnik grek dhe krijimin e një poste policore në qendër të zonës, Livadhja, ku të ketë të rekrutuar edhe punonjës policie nga minoriteti”, përfundon prononcimi i MEGA-s, për gazetën “Telegraf”, lidhur me situatën problematike të rendit dhe sigurisë në zonat minoritare, si me vjedhje e grabitje, ku nuk mungon dhuna, ashtu edhe fenomenit të zjarrvënies, ku këto zona janë më të prekurat.