Vjedhja e energjisë, në Dibër 27 persona në shërbimi prove…vetëm 2 në gjyq!

498
Aksioni i qeverisë rriti numrin e çështjeve penale në vitin 2016 në Gjykatën e Dibrës, ku 26 persona u dënuan dhe u vendosën nën mbikqyrjen e shërbimit të provës për vjedhjen e energjisë elektrike. Ndërsa për vitin 2017, vetëm dy persona u dërguan në gjyq.
Prej vitit 2014, kur qeveria “Rama” shpalli aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike, Operatori i Shpërndarjes në Burrel ka përmirësuar bilancin dhe ka minimizuar humbjet në rrjet. Megjithatë, fatura e aksionit me shtrirje kombëtare nuk është shlyer ende nga banorët e qarkut të Dibrës, të cilët pasi iu nënshtruan proceseve gjyqësore janë ende në kontakt me shërbimin e provës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Gjykatën e Shkallës së Parë në Dibër tregojnë se vepra penale e “vjedhjes së energjisë…” arriti pikun në vitin 2016, kur 28 dosje penale u dërguan për gjykim. Të dhënat zyrtare tregojnë se 26 persona u gjykuan brenda të njëjtit vit, ndërkohë që dy çështje të tjera u mbartën për vitin 2017.
Neni 137 i Kodit Penal parashikon dënime deri në 3 vjet burg për personat që vjedhin energjinë elektrike apo dëmtojnë matësat e energjisë. Ndërsa kryerja në bashkëpunim e kësaj vepre penale dënohet deri në 5 vjet burg.
Megjithatë, të dhënat nga Gjykata e Dibrës tregojnë se pavarësisht nga kualifikimi i veprës, të gjithë personat e gjykuar në këtë qark janë dënuar njësoj. Nga 28 çështjet e dërguara në Gjykatë, pesë persona janë akuzuar për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim ndërsa 21 të tjerë për vjedhje individuale të energjisë.
Për të dyja akuzat, dënimet kanë qenë të njëjta. Të gjitha dënimet e dhëna me burgim për 26 persona gjatë vitit 2016 janë konvertuar nga dënime me burg, në dënime alternative, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal. Gjykata ka urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke i vënë në provë të pandehurit për një periudhë kohe prej 2 vjet, me kusht që të mbajnë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Për Operatorin lokal të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, operacioni kundër vjedhjes së energjisë i ka dhënë frytet e veta si në shëndoshjen e bilanceve ashtu edhe në uljen e humbjeve në rrjet.
Për vitin 2015, drejtoria rajonale e OSHEE Burrel raporton se ka rritur arkëtimet nga 181.7 milionë të planifikuara në 245.8 milionë lekë për abonentin familjar, ndërsa për atë privat nga 272 milionë në 304 milionë lekë për të gjithë qarkun Dibër. Ritmi i rritjes së arkëtimeve ka vazhduar edhe në vitin 2016, ndonëse në vlera më të ulëta.
Të dhënat e drejtorisë rajonale të OSHEE në Burrel tregojnë se për vitin 2016 janë realizuar 191.7 milionë lekë arkëtime për abonentin familjar dhe rreth 328 milionë arkëtime për abonentin privat.
“Reforma shënoi edhe ulje të ndjeshme të humbjeve të energjisë si pasojë e eleminimit të vjedhjeve të energjisë dhe minimizimit të humbjeve në rrjetin e transmetimit- duke bërë që humbjet të bien në 17 për qind,” thanë burimet zyrtare.
Të dhënat nga Gjykata e Dibrës tregojnë se pas pikut të vitit 2016, numri i çështjeve për vjedhjen e energjisë është ulur sërish në vitin 2017. Në tremujorin e parë të vitit 2017, Prokuroria e Dibrës ka dërguar në gjykatë vetëm 2 persona, ku njëri është dënuar dhe tjetri është ende në proces gjykimi.
Sigal