Viziton për herë të parë Shqipërinë, ministrja gjermane e Evropës do të takohet sot me Edi Ramën

193
Sigal

Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann, viziton sot për herë të parë Shqipërinë. Në Shqipëri, ministrja e re gjermane do të takohet sot me kryeministrin Edi Rama dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).

Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Shqipërisë në rajon si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme gjermane, Lührmann u shpreh para nisjes për çeljen e negociatave.

“Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja”, citohet në njoftimin e lartëpërmendur të ketë thënë ministrja të dielën në mbrëmje në Berlin. Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Politikania e gjelbër dje ishte në Shkup ku zhvilloi disa takime. Gjatë vizitës së saj në Shkup Lührmann u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiq, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita në ditën e parë të punës së qeverisë së sapoformuar, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse paraqet edhe afirmim të mbështetjes gjermane për europerspektivën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ka theksuar kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski shprehu falënderim që qeveria e sapozgjedhur e Gjermanisë e udhëhequr nga kancelari Olaf Sholc, zgjerimin e BE me Ballkanin Perëndimor e vendosi lart në programin e koalicionit e veçanërisht që ka theksuar nevojën për të hapur pa vonesë kapitujt e para negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si hap të ardhshëm i zgjerimit të BE-së ndaj rajonit.