Vizita e Presidentit Meta në Egjipt, jehonë në mediat vendase

488
Sigal

Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës, Ilir Meta në Egjipt është ndjekur më vëmendje të veçantë nga mediat më të mëdha egjiptiane. Sidomos takimi me Presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi, është raportuar gjerësisht, teksa theksi është vënë te tema e bisedës mes dy krerëve të shteteve.

“Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi diskutoi me homologun e tij shqiptar Ilir Meta gjatë takimit të zhvilluar të mërkurën në Kajro mënyrat se si mund të përmirësohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale Egjipt-Shqipëri, – shkruan portali “Ahram Online”, duke shtuar më tej: – Dy presidentët gjithashtu diskutuan edhe për çështje të tjera rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët përfshi luftën ndaj terrorizmit dhe emigracionit”.

Ndërsa, “Egypt Today” në artikullin e publikuar për vizitën e Presidentit të Shqipërisë, e vë theksin te marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve. “Shqipëria synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Egjiptin, duke rritur kështu shkëmbimet bilaterale mes dy vendeve, që vitin e kaluar kapën shifrën 22 milionë dollarë krahasuar me 4 milionë dollarë në vitet 2012 dhe 2013”, shkruan portali në fjalë, duke nënvizuar edhe marrëveshjet dypalëshe që pritet të firmosen e që kanë të bëjnë me fushat e transportit detar, bujqësisë dhe bashkëpunimit ekonomik. Edhe media të tjera online i kanë kushtuar rëndësi vizitës së Presidentit Meta dhe bisedimeve me homologun e tij egjiptian.

Për t’u veçuar edhe një artikull i publikuar nga “Sada Elbalad” që citon deklaratën e kreut të shtetit shqiptar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp dhe konkretisht vlerësimin që Meta shprehu për Abdel Fattah al-Sisi, duke e cilësuar si njeriun që arriti t’i rikthejë Egjiptit shkëlqimin e dikurshëm.

“Meta u shpreh se ka biseduar me Presidentin Al Sisi rreth bashkëpunimit dhe luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit, duke vlerësuar rolin e Egjiptit në rajon e më gjerë,. ndërsa theksoi se dy popujt kanë lidhje të hershme historike”, – shkruan “Sada Elbalad”.