Vizat për në Amerikë, politikanët frikësohen pas deklaratës së DASH për refuzimi vizash ndaj shtetarëve të korruptuar

521
Zyrtarët shqiptarë, të frikësuar nga vizitat në SHBA
Deklarimi i Departamentit të Shtetit tremb qeveritarët dhe pushtetarët. Bien kërkesat për vizë amerikane nga dyshimi për refuzim
Ambasada amerikane në Tiranë është shndërruar në javët e fundit në një territor frike për zyrtarët shqiptarë. Burime diplomatike shprehen se ka pasur një rënie të ndjeshme të kërkesave për të marrë viza amerikane nga frika se ato mund t’u refuzohen për dyshime të lidhjeve me krimin apo akuzat për korrupsion. Për rrjedhojë, qeveritarë dhe pushtetarë të ndryshëm kanë preferuar të evitojnë edhe ftesat për të marrë pjesë në vizita apo konferenca të ndryshme, në mënyrë që të shmangin përballjen me zyrën konsullore amerikane. E vetmja vizitë e konfirmuar e një zyrtari të lartë të shtetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara është ajo e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Shefja e Ministrisë së Mbrojtjes pritet të jetë në Pentagon në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe ato në kuadër të NATO-s. Frika e zyrtarëve shqiptarë është konfirmuar edhe dy ditë më parë, kur Shtetet e Bashkuara deklaruan se mund të bllokojnë udhëheqësit e korruptuar të vendeve të Ballkanit nga pjesëmarrja në takime të rëndësishme ndërkombëtare në Uashington dhe Evropë. Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, u shpreh se Perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre. “Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”, tha zyrtari i lartë amerikan. Prej disa javësh, deklaratat e politikës amerikane në Tiranë janë fokusuar te lidhja e krimit me politikën. Ambasadori Lu foli për disa klane dhe familje mafioze që veprojnë në Shqipëri, ndërsa vetëm pak ditë më parë përmendi emrat e disa ish-deputetëve, si shembull të lidhjeve politikë-krim. 
Ngjela: SHBA do të eliminojë korrupsionin shqiptar
Politikani Spartak Ngjela u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë marrë në dorë eliminimin e korrupsionit shqiptar. “Erdhën hetuesit ndërkombëtarë. Shihni si janë trembur krerët vjedhës të Shqipërisë. Ka filluar hetimi intensiv i pasurive dhe fakteve që janë mbledhur nga aferat korruptive të mbi 30 qeveritarëve të rëndësishëm në dhjetë vjetët e fundit. Po flasin përçart qeveritarët e korruptuar; kanë nxjerrë përkrahësit injorantë t’i kundërvihen ambasadorit amerikan; kurse kryeministri aktual kërkon të zbojë frikën nga vetja me brekushe otomane”, tha Ngjela. Sipas tij, nuk do të shpëtojë asnjë nga ata që është i korruptuar. “Ambasadori i SHBA-së dhe BE-së duhet të vijojnë me ekspozimin e fakteve kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipërinë e sotme. Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i vjedhur nga krerët dhe një vend i shitur te fqinjët po prej tyre; por dhe një vend i shpëtuar nga rasti. Të katër shtetet që kemi përreth janë ngritur mbi territore shqiptare dhe mbi gjenocidin për shfarosjen e shqiptarëve. Këtu ka filluar historikisht vjedhja e shqiptarëve nga krerët e tyre dhe shitja e interesit kombëtar nga këta krerë”, nënvizoi Ngjela. Sipas tij, nuk bën përjashtim as krerët që erdhën pas rrëzimit të komunizmit. “Një qeverisje e pamoralshme, nëse diskreditohet më fakte, krijon historinë e re të moralitetit qeverisës. Ky është momenti parësor historik i kësaj kohe: SHBA dhe BE kanë marrë në dorë eliminimin e korrupsionit shtetëror dhe krimit të organizuar. Pse pikërisht këta? Historia e solli që Perëndimi dhe sidomos politika amerikane ta mbështesnin interesin e tyre te shqiptarët. Përveç Amerikës dhe Gjermanisë, në këtë histori mbi njëqind vjeçare, të gjithë të tjerët kanë qënë kundër shqiptarëve. Tani janë të gjithë pro, dhe me shqiptarët, përveç Rusisë dhe krerëve shqiptarë që drejtojnë dhe vjedhin shqiptarët”, tha Ngjela. Sipas tij, të gjithë do të hetohen e do të dorëzojnë pa përjashtim gjënë e vjedhur. “Koha historike e të drejtave të shqiptarëve të bashkuar ka ardhur”, u shpreh Ngjela.
Sigal