Viti i ri shkollor, Policia plan të veçantë masash

514
Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash të veçantë më rastin e vitit të ri shkollor, duke synuar garantimin e rendit e qetësisë publike dhe zhvillimin normal të mësimit. Krahas planit prej pesë pikash, janë planifikuar masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve dhe rritjen e sigurisë në shkollat e sistemit parauniversitar dhe 9-vjeçare. Për ditën e parë të shkollës datë 14 shtator 2015, është hartuar një plan i posacëm masash, ku përveç strukturave të rendit dhe qarkullimit rrugor, janë ngarkuar me detyra specifike edhe strukturat Kundër Krimit të Organizuar dhe atyre Kundër Krimeve ndaj Personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme etj. Drejtuesit dhe shërbimet e Policisë në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, përgjatë vitit, do të rrisin më tej bashkëpunimin edhe me drejtuesit e stafin pedagogjik të shkollave, Drejtoritë Rajonale Arsimore të qytetit dhe qarkut Tiranë, duke patrulluar me shpesh pranë shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, si dhe në vendet e akomodimit të tyre, sipas juridiksionit që ato mbulojnë.
Sigal