Vitet tutje, ti tëhu

822
Sigal

Nderim përkujtimor për dëshmorin Shaqir Hekuran Saliasi-

Dëshmorët nuk i harron as shpirti i nënës që i lindi e as shpirti i kombit për të cilin ata flijuan jetën e tyre. Le të vrapojnë vitet tutje, emri dhe vepra e tyre afrohet gjithnjë e më afër brezave që dinë t’i respektojnë. Në këtë shkrim të shkurtër do të përkujtojmë dëshmorin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare Shaqir Saliasi. Shaqiri u lind më 13.04.1911 në fshatin Valë të Skraparit. Nuk i pati mundësitë që të shkollohej për arsye të varfërisë, ndaj mbeti në fshat duke u marrë me bujqësi e blegtori. I ati Hekurani, dhe e ëma Këzja i edukuan atij frymën patriotike duke i treguar për heroizmat dhe luftërat e paraardhësve sidomos të atdhetarit Riza Vala. Vetë Rizai i fliste për vuajtjet që kish shkaktuar regjimi i Ahmet Zogut. Tashmë Shaqiri kish krijuar një mendësi se nuk duhej të rrinte duarkryq. Erdhi rasti dhe vullnetarisht strehoi disa prej luftëtarëve të lëvizjes së Fierit të vitit 1935. Mirëpo spiunët, si gjithnjë që kanë qenë  njerëzit më të urryer, bënë punë e tyre dhe xhandarët e lidhën Shaqirin me tel në një pemë afër shtëpisë së Rizait duke e torturuar pa mëshirë. Nga goja e Shaqirit nuk doli asnjë fjalë. Vite më vonë veterani Mete Tarellari në çdo bisedë që bënte tregonte vazhdimisht për trimërinë, zgjuarsinë dhe tiparet e veçanta të atij djaloshi dhe se si ai u lidh me idealet dhe formacionet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Në fillim të qershorit 1942 Shaqiri u rreshtua në njësitin luftarak të fshatit Valë që drejtohej nga Rizai. Më 23 të po atij muaji u regjistrua në batalionin “Riza Cerova”. Ishte luftimi i ashpër i Qafës së Kiçokut midis forcave partizane me ato fashiste italiane ku shokët vunë re trimërinë dhe guximin e djalit nga Vala. Më pas, nga mezi i muajit janar u krijua Grupi i Tretë i Skraparit, një formacion luftarak partizan i asaj kohe, ku Shaqiri u bë pjesëmarrës dhe ngarkua me detyrën e komandantit të skuadrës. Në luftimet legjendë të Tendës së Qypit, në janar 1944, Shaqiri ishte ndër të parët në sakrifica në veprimet sulmuese të ashpra deri në përleshje trup me trup me nazistët gjermanë. Prej këtyre aksioneve luftarake ai doli më i pjekur  dhe më i formuar nga të gjitha anët, fizike, morale dhe luftarake. Ditë me vonë, në Qafë Dardhë, në zonën e Tomorricës, u zhvilluan luftime të hidhura midis forcave balliste me ato partizane. Shaqir Saliasi ishte në krye të skuadrës pozicionuar për sulm. Tradhtarët e kishin pikasur kur ai ishte duke udhëzuar luftëtarët e skuadrës dhe e qëlluan. Ai u plagos rëndë por nuk donte që ta linte pozicionin. Me urdhër të komandës eprore, shokët mundën ta tërhiqnin nga fusha e luftimit dhe e dërguan me shpejtësi në fshatin Vërzhezhë për ta kuruar. Aty,me gjithë ndihmën e dhënë, pas tre ditësh, si rezultat i plagës së thellë e dëmtimeve të shkaktuara në trup,ai nuk mundi të jetonte më. Kështu më 10 shkurt 1944 Shaqir Hekuran Saliasi dha jetën për lirinë e atdheut. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Skraparit, nr.17.datë 27.02.1978 ai u shpall dëshmor i atdheut dhe eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Skraparit në Çorovodë. Emri i tij është shkruar në librin “Dëshmorët janë memoria e një kombi që jeton” botim i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Nuk është vendi të bëhet as politikë e as propagandë, por të thuhet e saktë, me zë të lartë e pa u tutur: Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të tjerët që ranë, për idealet e larta në mbrojtje të atdheut- e theksojmë-në mbrojtje të atdheut, në vitet vijues deri në ditët tona, duhet të mbahen të gjallë ndër shekuj. Kjo nuk është retorikë nostalgjikësh siç duan të thonë disa individë që mbinë pas vitit 1990 e po vegjetojnë ende midis nesh,që duan të baltosin gjakun e tyre dhe tërë sakrificat e këtij populli për liri, por është detyrë historike, është nder,krenari dhe domosdoshmëri kombëtare. Ata,dëshmorët dritërrezatues, ndjehen se janë midis nesh vetëm kur për ta ruhen objektet e ndërtuara në përkujtim të tyre, po ashtu edhe me aktivitete sa më të larmishme ku kujtohen, me foto, me këngë, me shkrime, me libra, me të gjitha mundësitë e pakufishme që ka krijuar teknologjia mediatike.

Rushit Kuçi

Ilmi Qazimi