Vidhet me armë një Bankë e nivelit të dytë tek 21 Dhjetori në Tiranë. Dy persona morën paratë dhe u larguan me motor

535
Sigal

Zbardht e gjithë skema që kanë përdorur dy persona për grabitjen e një banke të nivelit të dytë në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet.

Mësohet se ata kanë mbërritur me një motor të vogël para bankës, me kapele në kokë dhe shall, kanë hyrë qetësisht në bankë dhe në atë moment i kanë drejtuar armën punonjësit të sigurisë së bankës.

Grabitësit kanë dashur të përfitojnë nga fakti që para orës 09:00 në bankë nuk ka punonjës, por kur kanë shkuar drejt kasafortës për të kryer grabitjen, diçka nuk ka shkuar sipas parashikimeve të tyre. Ndërsa tentonin ta hapnin, në bankë ka rënë sinjali i alarmit.

Të kapur në befasi, ata kanë lënë edhe pistoletën brenda ambienteve të bankës, kanë marrë një sasi parash që ishin jashtë kasafortës, duke ia mbathur më pas me motorin e parkuar jashtë.

Edhe drejtoresha e bankës konfirmon për News 24 dhe Balkanweb se kasaforta nuk është hapur dhe se grabitësit kanë marrë një sasi parash që ndodheshin jashtë saj, por shuma nuk bëhet ende e ditur.

Policia që ndodhet në vendngjarje ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bankës dhe thotë se është shumë pranë identifikimit të dy grabitësve.