Video/ Skandali i inceneratorëve: Tatimet ishin në dijeni dhe ‘lejuan’ transaksionet te të moshuarit

154
Sigal

Administrata tatimore ka qenë në dijeni shumë kohë më parë mbi skandalin gjigant financiar të inceneratorëve, por ka heshtur për të mos prekur interesat e kompanive koncensionare të plehrave, pas të cilave fshihet Klodian Zoto. 

Skandali gjigant financiar, i zbuluar publikisht së fundmi nga Monika Kryemadhi për gjyshërit-bosë të inceneratorëve, dihej shumë kohë më parë nga administrata tatimore. Por institucioni ka heshtur, duke mos lejuar që të prekeshin interesat e kompanive koncesionare të plehrave, të cilat kanë të gjitha një personazh të dukshëm, Klodian Zoto.

Jane në dispozicion një vendim të Gjykatës së Tiranës të vitit 2020, ku disa persona janë dënuar për krijimin e skemës mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Emrat e personave të përfshirë janë në përgjithësi ata që gjenden në skemën e prezantuar së fundmi nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe koha e asaj skeme përkon saktësisht me periudhën e denoncuar nga Kryemadhi.

Në vendimin e gjykatës, i cili është mbështetur kryesisht në hetimet e posaçme të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për llogari të Prokurorisë së Tiranës, flitet për një evazion me vlerë disa miliona euro.

Aty gjenden detaje të shumta teknike, se si pronarë të disa kompanive private kanë përdorur persona në kushte të vështira ekonomike për t’i përdorur në skemën mashtruese për të përfituar qindra milionë lekë të reja.

Në vendimin gjyqësor gjendet edhe emri i 90-vjeçares Haxhire Gurakuqi. Zonja mohoi në një intervistë ekskluzive për “Syri Televizion” që të kishte dijeni për ekzistencën e saj si pronare kompanie. Ajo që nuk përmendet në asnjë rresht të materialit të tatimeve, dhe rrjedhimisht as në vendimin gjyqësor, është fakti se me cilat kompani kanë kryer shitjet fiktive shoqëritë false.

Dokumentet zyrtarë të publikuar nga Monika Kryemadhi treguan se skema e mashtrimit financiar është realizuar me kompanitë koncesionare të inceneratorëve, ku faturat zbulonin se ishin blerë fruta e shitur beton.