VIDEO/ Situatë paradoksale në ‘Drejtësinë e Re’, KPA akuzon SPAK dhe Gjykatën e Lartë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit akuzon SPAK-un dhe Gjykatën e Lartë se po zvarrit proceset hetimore dhe gjyqësore të nisura ndaj anëtarëve të saj, duke krijuar një situatë tërësisht paradoksale mes institucioneve të “Drejtësisë së Re”

Albana Shtylla, Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, i njohur ndryshe edhe si shkalla e dytë e vetingut, i ka drejtuar një letër plot kritika strukturave të drejtësisë për vonesa të tejzgjatura në proceset penale ndaj anëtarëve Luan Daci dhe Ardian Hajdari.

Në shkresën që i është adresuar strukturave gjyqësore, por edhe përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë, zonja Shtylla kërkon që kolegëve të saj t’u garantohen të drejtat procedurale, afatet ligjore, transparenca, si edhe efikasiteti për kryerjen e një procesi të drejtë dhe të shpejtë.

Sigal

Letra e Shtyllës dëshmon mes rreshtash se ajo dhe institucioni që drejton kanë dyshime mbi mënyrën se si po vepron Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, por edhe sistemi gjyqësor deri në Gjykatën e Lartë.

Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci është dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim, të konvertuar në shërbim prove nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për “falsifikimin e dokumenteve”, me të cilët aplikoi për një pozicion në institucionet e reja të drejtësisë.

Në bazë të këtij vendimi, Daci duhej shkarkuar nga detyra.

Por, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në një mbledhje të Prillit 2021, vendosi që të presë shqyrtimin e rekursit të Luan Dacit në Gjykatën e Lartë, para se të marrë një vendim përfundimtar për karrierën e tij.

Çështja është në Gjykatën e Lartë, e cila është e bllokuar nga mijëra rekurse, të cilat janë mbledhur gjatë pezullimit të aktivitetit të saj dy-vjeçar, për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Rasti i Dacit është një ndër 30 mijë dosjet që pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë dhe kërkesa e Albana Shtyllës për një proces të shpejtë ndaj anëtarit të KPA-së është një thirrje në eter.

Nga ana tjetër, SPAK-u ka njoftuar në korrik të këtij viti anëtarin tjetër të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari, se po heton një kallëzim ndaj tij, por që ende nuk i ka regjistruar emrin në regjistrin e personave nën hetim.

Sipas kryetares së KPA-së, kjo situatë procedurale e dy prej anëtarëve të institucionit, ndikon në aktivitetin normal të trupës së vetingut.

Shqetësimi i ngritur nga Albana Shtylla për zvarritjen e procedurave në sistemin e drejtësisë për dy persona, anëtarë të KPA-së, është i ngjashëm me atë që kanë çdo qindra qytetarë, të cilët përballen çdo ditë me zyrat e prokurorisë dhe gjykatave gjatë këtyre viteve të fundit.

Reforma në Drejtësi, e miratuar në vitin 2016 dhe e pasuar me një seri ligjesh të reja, synonte lehtësimin e procedurave gjyqësore dhe dhënien e drejtësisë në një kohë sa më të shpejtë për qytetarët.

Por, të paktën në tre vitet e fundit, zvarritjet gjyqësore kanë tejkaluar edhe kohën më të keqe të “Drejtësisë së vjetër”.

Shkarkimi i një numri të madh gjyqtarësh e prokurorësh për shkak të vetingut dhe procedurat e ndërlikuara ligjore kanë krijuar kaos në institucionet e sistemit të drejtësisë.

Ky shqetësim është ngritur edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por që deri më tani nuk është dhënë asnjë zgjidhje, ndërkohë që qytetarët presin me zhgënjim që të fitojnë të drejtën e tyre në dyert e prokurorive dhe gjykatave.

ImageImage