“Veting”-u nis me 57 ish-drejtues lokalë për dosjet e ndarjes së tokave, qirave dhe shitjes së trojeve

1540
Sigal

Gazeta Telegraf/

Auditi i brendshëm i bërë 6 muaj më parë në 61 bashkitë e reja ishte fals,
fshehu abuzimet e ish-kryetarëve dhe komisionarëve vendorë

 

Përparim HALILI

 

Java që kaloi u mbyll me një vendim qeverie, lidhur me hapjen e dosjeve të
tokave bujqësore që u janë dhënë sipas numrit të familjarëve ish-kooperativistëve
dhe punonjësve të ish Ndërmarrjeve Bujqësore (NB), si dhe verifikimit të tokave
e trojeve publike. Procesi i “Veting”-ut, po nis edhe nga ish-drejtuesit e
komunave e bashkive, 20% e të cilëve janë rizgjedhur si kryetarë bashkie në
qershor 2015, ndërsa 45% e të tjerëve janë emëruar prej drejtuesve të 61
bashkive të reja si drejtues të njësive administrative, pra të ish-komunave e
bashkive që u shpërbënë prej organizimit të ri territorial. Gazeta “Telegraf”,
1 javë më parë publikoi faktin, që qeveria do të niste verifikimin e titujve të
pronësisë së tokave bujqësore të ndara me Ligjin 7501 dhe të trojeve e tokave
pronë shtetërore, të cilat janë shitur ose janë dhënë me qira me afat kohor 20,
30 e deri 90-vjeçar, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi administrimin e
pasurive të pushtetit vendor. Sipas burimeve të SHISH, thuhet se 80% e tokave e
trojeve pronë publike të bashkive e komunave, janë bërë pasuri e janë në
përdorim prej ish-drejtuesve të pushtetit lokal dhe prej familjarëve e ortakëve
të tyre në biznese! Ky fenomen ka qenë më flagrant në zonat turistike, në
komunat dhe bashkitë në vijën bregdetare, në komunat dhe bashkitë pranë Tiranës,
pranë qendrave të qyteteve kryesore, pranë zonave kodrinore në periferi të
qyteteve, në zonat malore që frekuentohen, buzë liqeneve artificialë e natyralë,
por edhe troje e toka pranë bashkive e komunave në rrugët nacionale.

 

Nis “Veting”-u me dosjet e 57 ish-drejtuesve të parë të pushtetit lokal

 

Ndoshta nuk është edhe ky proces i “Rilindjes” një akt demagogjie, sa për
t’u krijuar ish-pronarëve shqiptarë të sekuestruar në vitet 1945-‘50 dhe
ndërkombëtarëve, përshtypjen sikur kjo qeveria po vepron seriozisht për zgjidhjen
dhe plotësimin e kushtit, për të drejtën e pronës! Por dihet që është një
realitet tashmë, ka nisur hetimi për zbardhjen e dosjeve që kanë firmosur e
vulosur dhe kanë lënë prapa drejtuesit e komunave e të bashkive dhe komisionet
e tokave në këto njësi vendore, brenda të cilave gjenden edhe vendimet e
kryepleqve. Siç ka njoftuar 8 muaj më parë “Telegraf”, kryeministri Rama ka
urdhëruar drejtuesit e rinj të 61 bashkive, të bëjnë auditimet e brendshme të
dosjeve të tokave e trojeve, për të gjitha komunat dhe bashkitë që janë shkrirë
e janë futur në “hartën” e bashkive të reja. Ky audit i brendshëm, i kryer 6
muaj më parë në 61 bashkitë e reja i është dorëzuar kryeministrit, por ka
rezultuar, se ka qenë një falsitet, që ka marrë në mbrojte ish-kryetarët e
bashkive e të komunave, ish-komisionarët e trojeve e tokave dhe kryepleqtë,
shumica e të cilëve janë edhe në krye të disa bashkive të reja si kryetarë, si
nënkryetarë, si shefa finance, si kryetarë komisionesh të prokurimeve e tokave,
por edhe në krye të njësive administrative e të këshillave bashkiakë! Të parat
që do të zbardhen, pra me të cilat do të nisë “Veting”-u, janë dosjet e ndarjes
së tokave e të trojeve publike, të cilat janë firmosur e vulosur nga 57
ish-drejtues bashkie e komunash, disa prej të cilëve janë ende në detyra si të
zgjedhur e të emëruar deri në qeveri si këshilltarë të kryeministrit, për drejtësinë
e mbarëvajtjes së punëve në pushtetin vendor. “Çudia” është, se në këtë listë
nuk figuron asnjë drejtues aktual i asnjë prej 61 bashkive të reja majtas e
djathtas, të cilët kanë qenë kryebashkiakë e krye-komunarë të pushtetit lokal
në 12 qytetet kryesore të vendit!

 

Ja 57 kryetarët e parë, për të cilët do të verfikohen dosjet e ndarjes së
tokave dhe letrat e pronave publike:

 

 Tiranë

 

Pullumb Çurri, Ndroq                        

Elmi Allmuça, Baldushk                                            

Fatos Rexha, Paskuqan                      

Haki Mustafa, Laprakë          

Ymer Marku, Bërxullë                       

 

Vlorë

 

Ferdinant Aligjoni, Selenicë              

Gëzim Hoxhaj, Vllahinë                                

Përparim Shametaj, Sevaster              

Kanan Shakaj, Novoselë 

 

Shkodër

 

Zef Hila, Bushat

Besnik Brahimi, Bërdicë                    

Martin Lazri, Guri i Zi                                                           

Pashko Ujka, Velipoje

 

Berat

 

Kastriot Rrapaj, Velabisht                 

Flamur Balliu, Vertop            

 

Dibër

 

Razi Rama, Ostren                             

Gazmend Kënga, Martanesh             

Sadik Cena, Qendër Tomin               

 

Mat

 

Skënder Gjuci, Macukull                   

Adrijet Gjeçi, Ulzë                             

Agim Selita, Lis                                 

 

Durrës

 

Sherif Fortuzi, Sukth             

Hil Pal Priska, Katundi Ri                             

 

Krujë

 

Shkëlzen Hoxha, Krujë                      

Xhevahir Bilja, Cudhi            

 

Elbasan

 

Sabri Sollaku, Bradashesh                 

Vasif Mëhilli, Shalës              

Kristaq Shqau, Gjinar                        

 

Fier

 

Xheladin Malaj, Komuna Levan

Gëzim Çaushi, Roskovec                   

Viktor Çervanaku, Frakull                             

Pajtim Gllava, Ruzhdie                                  

Taulant Garxenaj, Zharrëz                 

                       

 

Lushnje

 

Agim Stafa, Bubullimë                      

Shkëlqim Murati, Fier-Shegan           

Neki Arapi, Karbunarë                       

Agim Sema, Krutje    

 

Gjirokastër

 

Shkëlqim Guçe, Picar

 

Përmet

 

Gilberto Jaçe, Përmet

Gentian Muhameti, Sukë       

 

Tepelenë

 

Gëzim Malka, Luftinjë                       

Astrit Dervishi, Krahës,         

 

Devoll

 

Valter Miza, Bashkia Bilisht              

Ylli Cenkolli, Hoçisht            

 

Kolonjë

 

Fatmir Guda, Bashkia Leskovik        

Theodhor Bregu, Qendër Leskovik   

 

Korçë

 

Edmond Themelko, Liqenas  

Alfred Berberi, Pojan

Nexhip Bacelli, Voskopojë    

Flamur Sala, Drenovë            

 

Pogradec

 

Durim Toska, Hudënisht        

Ilia Mani, Velçan

Roshi Tollozhina, Buçimas                

 

Lezhë

 

Arben Doçi, Zejmen  

Ferdinand Ndoj, Kolsh          

           

Pukë

 

Alfred Qafa, Bashkia Fushë Arrëz    

Vasil Muslia, Komuna Fierzë

Sipas ILDKP, vetëm 10% e ish-kryetarëve të komunave kanë deklaruar pasuritë

Pasuritë e kryetarëve të komunave, nuk janë hetuar, nuk
janë investiguar dhe nuk janë kontrolluar as 
nga SHISH, as nga Këshillat e Qarqeve, as nga prefekturat, as nga
tatimorët, as nga qeveria, as nga ministria e pushtetit lokal, as nga shërbimi
i krimit ekonomiko-financiar. Nuk e dimë, se përse është heshtur ndaj këtyre
drejtuesve, të zgjedhur në krye të 308 ish-komunave, të cilët kanë zhvatur
prona dhe kanë gëlltitur miliarda lekë fonde publike, të paguara nga taksat e
shqiptarëve për shërbime social-ekonomike e infrastrukturore ndaj komunitetit.
Por dimë faktin, që në këto 24 vite (pas vitit 1992), shteti ka heshtur ndaj
tyre, edhe pse e ka ditur e ka pasur prova të plota të krimeve të tyre ekonomike-financiare
e infrastrukturore, sidomos me tenderët e investimeve komunitare dhe me tokat,
pyjet, pasuritë ujore e trojet! Një skandal me heshtjen ndaj deklarimit,
kontrollit dhe verifikimit të pasurive të kryetarëve të komunave është fakti, që
në 12 vitet e veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe
Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ky inspektorat ka lejuar me dashje që nga 308 drejtues
të komunave në Shqipëri, të deklaronin pasuritë vetëm 10% e tyre. Ndërsa të
tjerët, jo vetëm nuk kanë bërë deklarimin, por as u është kërkuar deklarim dhe
as janë “shqetësuar” prej Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të
Pasurive (ILDKP), për të zbatuar ligjin, qoftë edhe formalisht. Vetëm 5 muaj më
parë, d m th  10 muaj, pasi ata ikën nga
detyra, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP),
vendosi t’u kërkonte deklarimin e pasurive, duke u dërguar edhe nga 1 gjobë 100
mijë lekëshe në vilat, restorantet, resortet turistike, fabrikat, hotelet e
motelet që ata kanë ngritur me… “pagën” që kanë marrë si kryetarë komunash!

 Ja çfarë “fuqie” ka komisioni i
verifikimit të dosjeve të tokave e trojeve

 

Komisioni i verifikimit të
akteve të marrjes së tokës në pronësi dhe të procesit të ndarjes së saj sipas
ligjit 7501 apo të akteve të shitjeve të bëra prej pushtetit lokal, vlerëson
aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e komunave dhe
bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre. Mbi këtë bazë ligjshmërie,
komisioni merr vendim për rikonfirmimin ose jo të tyre, në këto raste:

 

a) vërtetohet se familja
bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës
në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas
ligjeve të sipërpërmendur;

b) verifikohet se sipërfaqja,
për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i
trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje
me përcaktimet ligjore;

c) janë krijuar në përputhje me
procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur”