Veteranët u ngritën në luftë për Atdheun dhe jo për partitë

728
Nga Abaz HOXHA

Edhe unë jam një nga veteranët e Luftës Antifashiste. Nuk e kam përdorur asnjëherë këtë për privilegje dhe nuk kam kërkuar përkrahje nga askush. Unë këtë e kam quajtur gjithmonë si një detyrë karshi Atdheut që do ta kishte bërë kushdo në situatën e pushtimit të Shqipërisë nga ushtritë fashiste. Në luftë u ngrita si patriot,për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe jo për ti shërbyer ndonjë partie. Këtë patriotizëm e kisha trashëguar nga familja ime, babai, gjyshi e më tej. Atë e kisha trashëguar nga traditat shekullore të popullit të fshatit tim, Tragjas, e trashëgova nga Rilindësit nga jehona dhe heroizmat e patriotëve dhe luftëtarëve të shquar për liri e pavarësi të vendit në shekuj të cilat i kisha mësuar nëpër librat e shkollës ose i kisha dëgjuar në bisedat brenda familjes ose nga gojëdhënat. Kur u ngrita në luftë, kur mora pjesë në rezistencën antifashiste dhe më vonë në rreshtat partizane unë isha ende fëmijë dhe nuk merrja vesh kush ishin partitë dhe aq më pak komunizmi ndonëse i kisha bërë 6-7 vjet shkollë në fshatin e lindjes dhe në shkollën tregtare të Vlorës. Pra u ngrita në luftë për të kryer një detyrë patriotike,për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe jo për ti shërbyer ndonjë partie që nuk merrja vesh se ç’ishin. Shumica dërmuese e atyre që u ngritën në rezistencën antifashiste ishin analfabetë. Pra do të ishte absurde të mendoje se ata luftëtarë, patriotë, që kaluan nëpër sakrifica të panumërta gjatë luftës e bënë këtë në emër të ndonjë partie dhe aq më pak të komunizmit. Do të ishte një fyerje e madhe për dëshmorët e lirisë që dhanë jetën për atdheun ti identifikonim se dhanë jetën për ndonjë parti të caktuar. Veteranët e Luftës nuk duhet ta ulin veten në luftën politike dhe të vihen në shërbim të politikanëve të cilët po na përdorin ne vetëm për të na marrë votat në fushatat elektorale. Partia e madhe e veteranit nuk janë partitë e sotme dhe të djeshme, por është Atdheu që qëndron mbi interesat e partive. Nuk duhet ta lejojmë veten të bëhemi vegla të partive të ndryshme dhe sidomos të disa politikanëve sharlatanë që e ndërrojnë gjuhën dhe qëndrimin karshi nesh 20 herë dhe hiqen si mbrojtësit tanë pa pikën e turpit. Ne duhet të bashkohemi nën të vetmin flamur, flamurin kombëtar dhe të mos lejojmë që të na përçajnë partitë, duhet të jemi të bashkuar me njëri tjetrin, jo në dy ose disa organizata veteranësh. Kush e dokumenton se i ka shërbyer atdheut në çdo formë dhe në veçanti me veprimtari të armatosur, pa dallim të pikëpamjeve të tij politike gjatë luftës, ai është veteran. Prandaj nuk duhet të lejojmë të na përçajmë. Duke e pasur këtë status të lartë dhe të nderuar të veteranit ne duhet ta meritojmë edhe sot atë duke dhënë shembullin për bashkimin e vendit në funksion të çështjes më të madhe kombëtare. Duhet të përpiqemi të edukojmë më frymën patriotike brezin e ri, të ardhmen e kombit dhe jo të japim shembullin e përçarjes. Kjo detyrë e jona dhe ky shembull nuk jepet duke i shërbyer verbërisht njërës ose tjetrës parti, por edukimit të brezave me frymën e bashkimit. Këtë figurë morale duhet të shikojë tek ne brezi i ri dhe të ndjekë shembullin tonë. Të mos e ulim dinjitetin tonë për t’i shërbyer me militantizëm të sëmurë njërës ose tjetrës parti. Partitë dhe politikanët duan të na përdorin për qëllimet e tyre kryesisht karrieriste dhe ne kur morëm pushkën nuk e morëm atë për karrierë por sakrifikuam duke qenë të gatshëm të jepnim edhe jetën për çështjen e madhe të Atdheut. Populli dhe në veçanti brezi i ri duhet të shikojë në figurën tonë jo militantin partiak por simbolin e bashkimit dhe vëllazërimit të kombit, pavarësisht se edhe ne mund të kemi pikëpamjet tona politike. Një demagogji e madhe dhe mashtrim është edhe e ashtuquajtura datë e çlirimit të Shqipërisë, a është 28 ose 29 Nëntor. Partitë e majta i mobilizuan totalisht forcat për ta bërë këtë një çështje të madhe kombëtare dhe gati po nxisin një armiqësi dhe, pse jo, edhe një luftë civile duke i vënë njerëzit kundër njëri tjetrit me pretekstin se po shkelen të drejtat e veteranëve të Luftës dhe gjaku i dëshmorëve. Përse mohohet Lufta dhe dëshmorët për një datë krejtësisht të diskutueshme, por edhe në rast se nuk do të ishte kaq e diskutueshme, ku qëndron armiqësia karshi Luftës dhe veteranëve. Të djathtët bëjnë të kundërtën dhe pothuajse mohojnë edhe Luftën duke e justifikuar këtë me pushtetin e pas-luftës. (Për këtë mendoj se ia vlen të bëj një shkrim të veçantë si një veteran Lufte dhe pjesëmarrës në luftën e Tiranës). Partia Socialiste dhe gjithë opozita hiqen si tutorët dhe mbrojtësit e flaktë tanët. Kush u a ka caktuar këtë detyrë, përse duan të përvetësojnë Luftën dhe sakrificat tona. Edhe ata që morën përsipër ta udhëhiqnin këtë Luftë më vonë na lanë në baltë se premtimet e tyre nuk u zbatuan. Na premtuan se do hanim me lugë të florinjtë. Ku e shpunë Shqipërinë, vendin më të varfër dhe më të prapambetur të Evropës. Po sot pasardhësit e tyre çfarë po bëjnë për ne veteranët? Përbetohen dhe iu digjet zemra për veteranët e Luftës dhe dëshmorët. Një demagogji e plotë se janë ata që na kanë braktisur të parët. Le të kujtojmë prononcimet e kryetarit të tyre për veteranët në t’ashtuquajturat “refleksione” në fillimet e lëvizjeve demokratike, i cili gati sa nuk donte t’i zhdukte edhe fizikisht veteranët e Luftës. Dhe tashti atij dhe të gjithëve u digjet zëmra për ne. Deri sa na doni kaq shumë ç’bëtë 12 vjet në pushtet për këta veteranë të Luftës. Statusi i veteranit u dha që në kohën kur qeveriste Partia Demokratike. Statusi ynë është qesharak, është një status sa për të na gënjyer dhe për të na vënë në shërbimin tuaj. Ky status është ai i propozuar nga Ramiz Alia me fjalën në Byronë Politike, t’u japim një copë buke, një pension të vogël që të mos ngrihen dhe t’i kemi nën vete. Kjo parti që ka marrë përsipër të mbrojë të drejtat tona çfarë ka bërë për ne. Vetëm demagogji. Na ka fyer duke na dhënë një pension qesharak, të pa krahasueshëm me asnjë vend. Nuk është fyerje e madhe për ne të na shpërblejnë si veteranë me dy deri tre kile mish në muaj dhe një librezë veterani që nuk vlen për asgjë, se nuk e përfill askush, të vënë në lojë edhe fatorinot e linjave të autobusëve. Veteranët i kanë tradhtuar të parët dhe me kohë ata që hiqen sot si mbrojtësit e flaktë të tyre. Kujtoni fjalimin e Ramiz Alisë në Byronë Politike kur midis të tjerave thotë:….Një shqetësim mund të na krijojnë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës të Veteranëve e Luftës dhe të Punës dhe do t’u japim një mini pension, duke u mbajtur ison…” A ka fyerje më të madhe për ne që kjo e ashtuquajtur “Parti që dikush e quan “Partia jonë” të na tall në këtë mënyrë, duke na denigruar deri në fyerje e duke na trajtuar si shërbëtorë. Ai (Ramizi) iu referohet kryesisht veteranëve intelektualë e le pastaj të tjerët që nuk i vë fare në kandar. Pasuesit e tyre a nuk bënë të njëjtën gjë? Çfarë bënë këta përkrahës të fortë të veteranëve gadi dy dekada në pushtet, përse nuk u kujtuan për këta veteranë që janë në fundin e jetës së tyre dhe tashti mbetën duke lëshuar shigjeta dhe vrer kundër forcave të djathta që po ashtu kane një mospërfillje si për veteranët dhe për Luftën Nacionalçlirimtare duke e lidhur me pushtetin e pas Luftës. Pa krahasojeni njëherë trajtimin e veteranëve të Luftës jo me ata të Algjerisë e Marokut, Gjermanisë, Francës, Anglisë etj, por edhe me vlerësimin e tyre në vendet për rreth si Maqedonia, Serbia, Greqia etj. Nuk ju vjen turp që mbroni veteranët kur keni nevojë për votën e tyre, për t’i përdorur ata për qëllimet tuaja të ndyra, t’i nxisni edhe ata dhe t’i përdorni si mish për top në luftën tuaj për pushtet. Mos harroni se ne, veteranët e Luftës nuk u ngritëm në Luftë në emër të ndonjë partie, por në emër të Atdheut, dhe mos guxoni të na përdorni ne për qëllimet tuaja të ndyra. Çfarë bëtë ju për pensionistët zotërinj socialistë, se partia juaj është në mbrojtje të shtresave në nevojë, kjo është emblema e partive socialiste. Por edhe pensionistët ju doni t’i përdorni vetëm për qëllimet tuaja të ndyra dhe i ndërseni ata kundër një pjese të madhe të popullsisë. Ju ju duhen ata për vota dhe jo se ju digjet zëmra për ta mbasi ndonëse jeni një parti me emër të majtë, ju keni zbatuar një program në mbrojtje dhe përkrahje të biznesmenëve që e kanë vënë pasurinë në mënyrë të dyshimtë. Ju keni zbatuar, jo thjesht kapitalizmin monopolist shtetëror, por kapitalizmin monopolist të një klike pushtetarësh, të cilët janë pasuruar dhe bëjnë një jetë përrallore nëpërmjet të sistemit kleptokrat. Nuk u ha meraku për pensionistët, por keni nevojë për votat e tyre. Mos mendoni se edhe ata do t’i mashtroni gjatë, ata nuk kanë dhëne djersën, mundin, përkushtimin sakrificat dhe gjakun e tyre, jo për ju ose për ndonjë parti, por i kanë shërbyer me devocion në kushte shumë të rënda dhe me sakrifica sublime atdheut, dhe për këtë e meritojnë të trajtohen me nderim të veçantë. Ç’keni bërë ju me pensionet. Shumë zhurmë për asgjë në 12 vjet sundim. Gjoja pensionet janë rritur 8% në vit. Kjo nuk është e vërtetë. Harroni që nuk keni bërë asnjëherë indeksimin e çmimeve. Çmimet janë rritur çdo vit. Me ç’sy e faqe flisni për pensionistët kur u jepni 14000 lekë në muaj që nuk mjaftojnë as për blerjen e ilaçeve? Pra ku janë meritat tuaja në shërbim të pensionistëve. Në të kundërtën ç’bëtë me rrogat dhe jetën tuaj përrallore me numrin e pa mbaruar të celularëve që përdoren kryesisht për qëllime personale që nga shoferët e badigardët e sekretaret e deri në krye të piramidës. U vutë në garë me njëri tjetrin kush të kishte zyrën me pajisjet më luksoze, çdo ministër sa merr karrigen e fillon nga rikonstruksioni i zyrës së tij dhe i ministrisë sepse ka përfitime të mëdha nga tenderët dhe një pjesë e madhe e fondeve shkon në xhepat e tyre kur me dhjetëra mijëra shqiptare marrin bukën dhe ushqimet me lista. Ju zotërinj u ngritët menjëherë kundër kryeparlamentares Zonjës Topalli vetëm se ajo deshte t’ju hiqte makinat luksoze deputetëve që i trashëgonin nga koha e shkëlqimit të tyre në pushtet duke bërë gara marramendëse se kush të kishte makinën më luksoze të blera me parat e popullit të varfër..Të ju vijë turp për këtë që abuzoni me votat e një populli i cili vuan në varfëri dhe ju doni lukse e privilegje. Në një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria të gjithë deputetët me makina luksoze, me badigardë e sekretare (theksoj sekretare dhe jo sekretarë) kur deputetët e vendeve shumë më të fuqishme ekonomikisht nuk i kanë këto privilegje dhe këtë e vërtetoi zonjë Pak. Dhe pastaj flisni dhe përgjëroheni për veteranët dhe pensionistët. Ai që dje i injoronte dhe i përçmonte veteranët e luftës sot kujton se do t’i mashtrojë me kafen e mëngjesit, që edhe ajo ishte vetëm një tallje. Ju digjet zëmra për dëshmorët e kombit. Çfarë keni bërë ju për ta. Le të hedhim një sy varrezave të dëshmorëve. Një katastrofë, të thyer dhe shkatërruar gurët e varrit. Ç’bëtë 12 vjet për këta dëshmorë të kombit, ju e kishit pushtetin në dorë.
Sigal