Vetëm në Shqipëri ndalohen vizitat e familjarëve në spitalet COVID / Flet mjeku mbi vetëvrasjet

310
Sigal

Teksa këtë të hënë u regjistrua vetëvrasja e pestë në spitalet COVID, mjeku Erion Dasho u shpreh se kjo është një situatë alarmuese. Në një intervistë televizvive mjeku deklaroi se është urgjente që për pacientët të bëhet analiza e riskut të vetëvrasjes.

Në rast se pas analizës pacientët tregojnë shenja që mund të shkojnë drejt vetëvrasjes, për Dashon, ata duhet të trajtohen në kushte të veçanta sigurie.

“Është një tragjedi, kemi shumë persona që humbin jetën, por kur jeta humbet në këtë mënyrë është dyfish e dhimbshme. Nuk mund të anashkalojmë faktin që kjo është humbja e pestë e jetës që vjen në të njëjtën formë dhe është një kambanë alarmi. Kamabnë alarmi për sigurinë e pacientit. Nëse kemi pacientë që zgjedhin vetëflijimin në kushtet e trajtimit spitalor, tregon se shumë elementë të sigurisë spitalore janë anashkaluar. Duhet vlerësuar risku i vetëvrasjes, sidomos kur kemi indikacione, pra kishim një rast të parë. Që nga ajo kohë duhet të ishte kryer analiza e riskut të vetëvrasjes. Nëse ajo tregonte nivele alerti, këta persona trajtohen në kushte të veçanta sigurie. Mendoj se është urgjencë dhe domosdoshmëri që për çdo person që shtrohet duhet të plotësohet edhe ekzaminimi i shëndetit mendor. Kjo duhet të bëhet patjetër.”

60-vjeçari Leonard Skabona u hodh këtë të hënë nga dritarja e dhomës së Sanatoriumit.

Mjeku Dasho deklaroi gjithashtu Shqipëria është vendi i vetëm që ndalon vizitat e familjarëve për të infektuarit që janë të shtruar në spitalet COVID.

“Sa i takon masave të përgjithshme, duke qenë se pacienti trajtohet larg familjes, është domosdoshmëri që të ndryshojë ky përafrim. Qytetari që ka mundësi të hapë derën, të hipë në tarracë, të hidhet nga ballkoni, tregon se shëndeti i tij nuk është dëmtuar aq shumë sa të trajtohet në spitalet COVID, por pranë familjes së tij apo në një spital rajonal. Vetëm në Shqipëri ndodh akoma që pacientët nuk vizitohen nga familjarët. Në Turqi unë kam patur miq të mi dhe atje vizitat e familjarëve në spitalet COVID nuk ndalohen, thjesht kanë një orar të caktuar dhe shtohet niveli i masave mbrojtëse.

Sipas mjekut, ndalimi i vizitave të familjarëve bëhet factor që të ndodhin vetëvrasje.

Sa u takon masave anti-COVID të Komitetit të Ekspertëve, Erion Dasho tha se deri tani nuk është marrë asnjë masë efektive që mund të ketë impakt mbi ecurinë e epidemisë.