Vepror Hasani: Korçë moj, a s’më thua ç’u bë me fatin e prodhuesve të frutave

416
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Përgjigjja: Çdo behar prodhimin e hedhim në lumë dhe ai i çon në det

Korçë moj, a nuk më thua çfarë u bë me fatin e prodhuesve të mollës? Korça kishte qenë legjenda e këtij prodhimi. Kur thoshe “mollë Korçe”, ndjeje vërtet aromën e mollës së shijshme, të  pakrahasueshme me ndonjë mollë tjetër në vend. Por vitet e fundit ndodhi më e pabesueshmja. Prodhuesit e mollës i thanë lamtumirë prodhimit të saj, sepse gjithë mundi i tyre shkonte kot: prodhimi nuk shitej, të ardhurat për familjen nuk siguroheshin, ndërsa mjerimi rritej. Ndër të parët që braktisën prodhimin e mollës ishin banorët e Dvoranit në rrethin e Korçës, më të njohurit në Shqipëri për këtë treg. Por pse ndodhi kështu? Përveçse nuk kishte treg shitjeje, subvencioni për prodhimin e mollëve nuk qe i mjaftueshëm, molla e importuar vinte më e lirë në krahasim me mollën e rajonit të Korçës,  prodhimi i shitur nuk mbulonte as shpenzimet. Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, banorët e fshatit në fjalë, u detyruan ta hidhnin prodhimin në lumë, ose ta dhuronin në kisha dhe xhami për njerëzit e varfër pa futur asnjë qindarkë në xhep. Kështu ndodhi edhe me vitet në vijim. Të lodhuar nga puna pa fitim, pa treg të sigurtë dhe pa ndihmë nga institucionet përgjegjëse, u detyruan t’i thonë “jo” prodhimit të mollës. Pas banorëve të Dvoranit, molla u braktis edhe nga banorët e fshatrave të tjerë.

Në kolaps edhe Devolli

Ashtu si prodhuesit e mollës të rrethit Korçë, edhe fermerët e rrethit Devoll u gjendën në të njëjtin hall. Shitjet u bënë gjithnjë e më të pakta, ndërsa çmimi i shitjes gjithnjë në zbritje, e krahasuar kjo me çmimin e mollës që vinte nga jashtë. (Çmimi i shitjes së mollës për fermerët e Devollit dhe të Korçës tashmë ishte përgjysmuar). Madje ata nuk arrinin të kuptonin pse ndodhte kështu, sepse  për prodhimin e këtij fruti tregohej i njëjti kujdes me atë të kolegëve të vendeve fqinj, përdornin të njëjtat preparate dhe të njëjtën teknologji për punimin të tokës, ujitjes dhe e proceseve të tjera si eksperincë e marrë nga vendet më të suksesshme, por ndërsa molla e prodhuesve të vendeve fqinj tregtohej normalisht, molla e prodhuesve të  Devollit dhe të Korçës mbetej stok. Për më tepër, as prodhuesit e mollës, as tregtarët e saj dhe as ruajtësit e frutave në dhoma frigoriferike, nuk dinin me çfarë çmimi do të shitej dhe do të blihej molla, pasi gjithçka ishte e pasigurtë. Kjo pasiguri i kishte shoqëruar edhe përgjatë viteve të kaluara.

I keq fati edhe për frutat e tjera

E njëjta gjë ndodhi edhe me qershinë, me kumbullën dhe pemët e tjera frutore. E thënë ndryshe, frutikultura u vu në vështirësi serioze. Për këtë arsye dikush prej fermerëve shkuli mollët për të mbjellë, lajthi, një tjetër shkuli mollët për të mbjellë arra, një i tretë shkuli mollët për të  mbjellë një pemë të tjera frutore e kështu me radhë. Që të gjithë e kishin me mollën për të cilën nuk kishte treg. Sipërfaqja e  mbjellë me mollë në qarkun e Korçës  zinte më shumë se 4.500 ha, prodhimi i përvitshëm i saj shkonte në 60,000 tonë, numri i familjeve që jetonin me këtë veprimtari ishte mjaft i madh. Ndaj falimenti i kultivuesve të mollës mund të konsiderohej pa asnjë mëdyshje katastrofë për shumë familje. Kjo gjë nisi të thuhet me zë të lartë jo vetëm nga fermerët e Korçës por edhe ata të Devollit, pasi këto dy rrethe ishin prodhuesit më të mëdhenj të mollës. Gjithashtu fermerët bënë përpjekje edhe për ndërrimin e kultivarëve. U mbollën sipërfaqet të tjera me kultivarë të rinj molle, si “fuxhi”, “gala”, “golden” etj, kurse nga kultivarët e hershëm e pëlqyer mbeti “starkinga” e ndonjë tjetër, por sipas fermerëve asistenca e ofruar nuk ishte mjaftueshme, po kështu edhe subvencionet për daljen nga gjendja ku ndodheshin fermerët nuk ishin në masën e duhur. Krejt ndryshe ndodhte me prodhuesite vendeve fqinje, te ndihmuar nga qeveritë e tyre, kishin mundësi të luanin më mirë rolin e tregtarit.

Korça vetëm me një frigorifer bashkëkohor

Gjithashtu, edhe gjatë viteve të fundit ambientet frigoriferike të qarkut e Korçë për ruajtjen e mollës, nuk përmbushin standardet bashkëkohore, pasi pronarët e tyre nuk investonin në këtë drejtim, sepse toleroheshin nga ata që ishin përgjegjës për kërkimin e standardeve në mjedise të tilla. Frigoriferët, ishin dhe mbeten të paaftë në mbajtjen nën kontroll atmosferën e ambientit me qëllim që molla apo edhe çdo frut tjetër të ruuhej për një kohë sa më të gjatë, pa humbur vlerat dhe cilësinë, me synimin për të qenë e kërkuar dhe e pelqyeshme në treg. Burimet zyrtare bënin të ditur se në qarkun e Korçës ekzistonte vetëm një frigorifer i standardeve bashkëkohore. Dhe ishte kjo arsyeja që vetëm një e treta e mollëve shkonte për konsum si mollë e cilësisë parë, kurse pjesa tjetër shkonte për lëngje frutash dhe produkte industriale. E thënë ndryshe, gjithë mundi i kultivuesve të mollëve dhe frutave të tjera shkonte humbur, ndërsa fermerit i duhej të jetonte në varfëri të plotë. Si mund të tregtohej në tregje të huaja, kur ruajtja e mollës bëhej në kushte të tilla, Megjithatë edhe pse dhomat frigoriferike nuk përmbushin standardet, ato sërish  nuk ishin të afta të mbanin më shumë se 20% të prodhimit. Dhe përveç frigoriferëve, Korçës i mungonte dhe i mungon edhe industria rajonale e përpunimit të frutave, gjë që nuk duhej lejuar të ndodhte kështu.

Falimentimi i sigurtë

Përballë realitetit të përshkruar më sipër, fermerëve u duhej të shpenzonin për punimin e tokës, krasitjen, plehërimin, ujitjen me pika, mbulimin me rrjetë që të mos dëmtoheshin nga breshëri, spërkatjen, pagesat për mbledhjen e mollëve, transportin etj. Familjet e fermerëve e kalonin dhe vijojnë ta kalojnë gjithë vitin pranë parcelave me mollë, kujdesen për gjithçka që malli i tyre të përmbushë kërkesat e blerësit. Kujdesen që molla të marrë ngjyrën e plotë të kultivarit që i përket, që farat të kenë ngjyrën kafe, që madhësia e mollës të jetë e duhura etj. Gjithashtu kontrollojnë përmbajtjen e sheqerit, të cilin e masin nëpërmjet një tretësire të përgatitur me jodur kalimi në masën 1%. Por gjithë përkushtimi i tyre mbetet pa shpërblim.“I vetmi frigorifer që nuk na kthen kurrë mbarpa,-  na thonë kultivuesit e mollëve, –  e ka emrin “Lumi”, i hedhim atje, dhe ai i çon në det…”.