Vendimi i ri i KM: Ja si do të organizohet dhe funksionojë Agjencia e Zhvillimit të Territorit

541
Këshilli i ministrave ka miratuar disa ndryshime sa i përket mënyrës se si do të organizohet dhe funksionojë Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Sipas vendimit të ri agjencia kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në këtë kuadër, Agjencia ka përgjegjësi për të: pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit; organizuar mbledhjet e KKT-së; 
përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Gjithashtu sipas vendimit agjencia ka kompetencë dhe përgjegjësi për të organizuar, drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse, në nivel qendror dhe/ose vendor, me qëllim përgatitjen për shqyrtim dhe miratim të dokumenteve në kompetencë të KKT-së, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë, bashkëpunuar me njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera përgjegjëse për çështje të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, që janë në kompetencë të KKT-së; kryer komunikimin me palë të treta, për llogari të KKT-së. Më tej në vendim thuhet se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ndër të tjera ka të drejtën për të komunikuar, shpërndarë dhe botuar, në regjistrin e integruar të territorit, vendimet dhe dokumentet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit; vënë në zbatim vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe monitoruar zbatimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore e institucionet e tjera përgjegjëse; kryer monitorimin e zhvillimeve në territor, nëpërmjet regjistrit të integruar të territorit, përgatitur raportin përkatës dhe informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit; si dhe ofrimin e mbështetjes ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, sipas legjislacionit për planifikimin. 
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË 
1. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Ministrit. 
2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i cili është, njëkohësisht, drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Ministri. 
3. Funksionimi i brendshëm i Agjencisë bëhet sipas rregullores përkatëse, të miratuar me urdhër të Ministrit, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të saj. 
4. Numri i punonjësve të Agjencisë të jetë, gjithsej, 45 veta. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit. 
Sigal