Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Metën, Vasili: Ditë e rëndësishme, ky ishte proces qesharak

176
Sigal

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili komentoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese që lë në detyrë presidentin e Republikës Ilir Meta.

Para se të hynte në seancën e sotme plenare, Vasili tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shuplaka më e madhe që i është dhënë kësaj mazhorance që shpërdoroi parlamentin.

Vasili: Ky vendim ishte shuplaka më e madhe që i është dhënë kësaj mazhorance që shpërdoroi parlamentin, themelin e Republikës. Për hesape të inceneratorëve.

Meqë presidenti ishte pengesë, shkelën me këmbë parlamentin. Sot është një ditë e rëndësishme. Ka qenë procesi më qesharak si nga pikëpamja juridike dhe procedurat. E ktheu parlamentin në një landfill procedurash.

Do të tërhiqni deklaratat që keni bërë?

Vasili: S’ka pasur asnjë deklaratë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Unë kam pasur qëndrime për një problem me mosdhënien e opinionit në lidhje me zgjedhjet.

Po funksionon drejtësia?

Vasili: Shumë e vështirë për të qenë entuziast se vargu i madh i çështjeve që nga inceneratorët dhe si u manipuluan dokumentet. Më vjen keq që SPAK nuk ngrihet në nivelin e institucioneve të mëparshme.

Mbrëmjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta. Gjykata vendosi me 6 vota kundër dhe 1 pro se Meta do të vijojë të jetë president i vendit deri në përfundim të mandatit të tij më 24 korrik 2022.

Gjykata Kushtuese nuk e pranoi kërkesën e Kuvendit me argumentimin se presidenti nuk ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës me deklaratat e tij publike, prandaj nuk është i arsyeshëm shkarkimi i tij.