Vendimet e reja të qeverisë për pakicat kombëtare, Sabit Brokaj: Janë të rrezikshme, cenojnë stabilitetin e shoqërisë

457
Sigal

Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, ka komentuar  dy projektvendimet e Ministrisë së Brendshme për pakicat kombëtare mund të çojnë në destabilizimin e shoqërisë shqiptare, ndërsa sjell në vëmendje problematika të shumta të krijuara me vendet fqinje, vetëm nga pretendimet për pikat e tyre kombëtare.Ai  e cilëson veprim të hapur antikombëtar njohjen e pakicave të reja.

Ministria e Brendshme ka propozuar dy projektvendime për njohje të reja pakicash kombëtare, por dhe përdorim të gjuhës së pakicave në emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve shtetërore në ato zona ku ata përbëjnë 20% të popullatës. Ndërkohë që ligji ka përcaktuar 9 pakica kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si i vlerësoni këto propozime?

 

“Që të trajtosh në këtë mënyrë problemin e pakicave, është një veprim i hapur antikombëtar, në kuptimin se dezintegrojmë deri në nivelet më të ulëta shoqërinë shqiptare. Unë nuk e kuptoj pse merren me këtë problem kur për këtë problem nuk ka pasur asnjë trajtim nga Këshilli i Europës, nga Parlamenti Europian, përveç cicmiceve të grekëve të lidhur me minoritetin grek apo lojës që kanë bërë dhe bëjnë me Himarën”-thotë në një intervistë për ”Panorama”.1

Madje, projektvendimi përcaktonte se “nuk synon përafrim me acquis të BEsë”?

Përderisa nuk kërkohet nga BE, ç’është kjo iniciativë që sjell probleme në shoqërinë shqiptare realisht?! Kam në kujtesë një takim me përfaqësues të Parlamentit bullgar në zyrën e Presidentit Rexhep Meidani. Ata kërkonin që të njihej minoriteti bullgar, në veri të Shqipërisë, goranët. Presidenti Meidani i tha që ne e njohim minoritetin bullgar që është në Jug të vendit, në Pustec. Por përfaqësuesit bullgarë këmbëngulën, duke kërkuar njohjen e këtij komuniteti e duke thënë se atje jetojnë 200 mijë bullgarë. Në mënyrë të menjëhershme, Presidenti Meidani e ndërpreu bisedën me ta, duke i thënë: “Nuk ju kuptoj, 200 mijë minoritarë kërkojnë grekët në jug të vendit, 200 mijë kërkoni ju në veri të Shqipërisë, maqedonasit po ashtu, unë nuk e di President i kujt jam?!”. U lexua emocioni negativ i Presidentit Meidani ndaj një pretendimi të tillë absurd. Unë i kuptoj që fqinjët vazhdimisht do të dalin me pretendime edhe të hapura për pakicat e tyre, por nuk e kuptoj pse e merr qeveria iniciativën që t’i sjellë probleme vendit të vet?! Vendet e mëdha, kur njohin pakica, e shohin me shumë shqetësim këtë veprim, sepse i druhen ndonjë cenimi të stabilitetit të vendit. Aq më shumë vende të tilla si Shqipëria, me këto lëvizje dinamike që bën, me çështje të pastabilizuar. Nëse ju kujtohet, vetëm me një çështje të detit që e krijuam ne, sepse ne duhej të përcaktonim kufijtë tokësorë me Greqinë, jo të merreshim me ato detarë, shikoni sa probleme ka sjellë, duke rritur pretendimet dhe orekset e Greqisë. Tani po i sjellim vendit një problem të tillë, vullnetarisht, por kjo nuk është as demokraci dhe as stabilitet, sepse po të ishte i tillë, do kishim kërkesë përafrimi legjislacioni nga Bashkimi Europian ose ndonjë shqetësim për të drejtat e njeriut.

Ju keni qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe një përcaktim i pakicave të reja kombëtare mund të bëhej me ligj, siç është bërë për 9 pakicat e tjera, por jo përmes një projektvendimi, që në shkallën e hierarkisë ligjore nuk mund të dublojë ligjin. A është korrekte?

Sigurisht që këto përcaktohen me ligj. E vërteta është se pakicat kombëtare janë përcaktuar që në kohën e Mbretit Zog, në vitet ’30, dhe kanë qenë ekspertët e OKB-së, të cilët i kanë prekur në terren e duke bërë sondazhe të imtësishme derisa i kanë përcaktuar. Unë nuk e kuptoj se si janë shtuar pakicat në këto vite kur të paktën sistemi komunist i mbylli rreptësisht kufijtë. Çfarë ndodhi në Shqipëri me këto pakica?! Prandaj, e gjykoj se është krejtësisht e pavend që kjo nismë nuk ka bazën ligjore dhe së dyti sjell probleme.

Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike e konsideron të panevojshëm dhe të dëmshëm për interesat kombëtare njohjen e pakicave të reja kombëtare..

Është me shumë vend ky mendim i Institutit, sepse jam i bindur se nuk e ndihmon stabilitetin e shoqërisë shqiptare. Një problem krijuan në Jug, në Finiq me tabelat dygjuhëshe, një monark do të thosha unë nga ata të Agimit të Artë, dhe sa probleme dolën. Sikur ky projektvendim të nisë të zbatohet me Himarën, do të krijojë një situatë shumë konfuze atje, shumë problematike për vite e vite të tëra.

Nëse shohim në një perspektivë 20 apo 30-vjeçare, zbatimi i këtij projektvendimi mund të çojë në një Shqipëri shumëgjuhëshe, me tabela rrugësh dhe institucionesh në shumë gjuhë, e cila mund të na krijojë përshtypjen e jo Shqipërisë që jetojmë sot dhe me pretendime nga më të çuditshmet?

Nuk do jetë e çuditshme të shohim, nëse miratohet ky projektvendim, që të kemi Shqipërinë të ndarë në copa pakicash, të cilat do të kenë pretendime të përfaqësohen në Parlament me deputetët e tyre dhe që të veprojnë jo më në interes të shumicës së popullatës, por në interesat e tyre etnike. Mund të krijojnë lojëra të pista politike, të cilat i kemi pasur vazhdimisht problematike për stabilitetin e vendit. Në perspektivën e së ardhmes, njohja e pakicave të tjera është e rrezikshme për vendin, duke pasur parasysh nivelin e shoqërisë shqiptare, zhvillimin, demokracinë dhe morinë e problemeve ekonomike dhe politike.

Mendoni se një përqindje prej 20% e banorëve të një njësie administrative është e mjaftueshme për të arritur vendosjen e dy gjuhëve në komunikimet me atë komunitet dhe në tabelat e shesheve apo rrugëve?

Unë e mendoj se edhe ajo që u bë dikur në kohën e Berishës për Himarën, ishte krejt e pavend. Përdorimi i gjuhës në emërtimet e rrugëve apo shesheve është gjë tjetër, por të njohësh me ligj këtë popullatë si pakicë kombëtare, nuk ka asnjë karakter demokratik, nuk tregon as civilizim dhe as zhvillim dhe kjo krijon vetëm probleme. Unë nuk e di se sa familje malazeze ka në Shkodër dhe kryeministrat tanë që janë më se demokratë duke ia kaluar edhe Xhefersonit, e njohën dhe krijuan probleme me këtë komunitet. Madje, njohën edhe një pakicë, me sa më kujtohet mua, në Libofshë të Fierit me serbë apo shqiptarë të serbizuar, të cilët erdhën në Shqipëri për të ndihmuar Ahmet Zogun dhe ai i shpërbleu me toka në Myzeqe. Natyrisht, sistemi i pas 1945 nuk mund të merrej me ta dhe mbetën aty. Dhe hajde gjeje se çfarë lidhje kanë serbomalazezët në Myzeqe?!! Pra, kjo gjë krijon probleme me stabilitetin e shoqërisë shqiptare në të ardhmen, nëse kemi parasysh edhe realitetet me fqinjët. Pse pak është bërë me minoritetin grek në Shqipëri, një minoritet shumë solid dhe i qëndrueshëm, por problemet i ka krijuar Vangjeli. Kakaris Vangjeli në Tiranë, tundet Athina dhe i adreson Parlamentit Europian kushte për Shqipëri. Dhe çfarë po bëjmë ne me këtë projektvendim, po mbjellim ca Vangjelë poshtë e përpjetë nëpër Shqipëri që të na ngatërrojnë vazhdimisht. Ka shqiptarë me nënshtetësi dhe kombësi greke sot edhe në Laç, Kukës apo Pukë, që i kanë marrë gjatë viteve të emigracionit. Kur këta të kthehen në Shqipëri, çfarë do të bëhet me këta, do kërkojnë pakicë greke në Laç, Kukës apo Pukë?! Kam frikë se me këtë logjikë, edhe nga Zimbabve do na krijohet ndonjë pakicë kombëtare./ ARISTIR LUMEZI