Veliaj: Uji në Bovillë katër herë më i turbullt nga shirat; do ketë kufizim të furnizimit me ujë të qytetarëve

417
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspekton menaxhimin që po
i bëhet situatës në ujëmbledhësin e Bovillës

Moti i keq me stuhi shiu që përfshiu këtë të martë
Tiranën, përveç problemeve të çastit që shkaktoi në lëvizjen e njerëzve dhe të
mjeteve në kryeqytet, ka sjellë një situatë të vështirë edhe në impiantin e
filtrimit të ujit në Bovillë. Si pasojë e shirave dhe prurjeve të shumta, uji
në ujëmb
ledhësin e Bovillës është turbulluar, çka ka
detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa për kufizimin e furnizimit me uji të
qytetarëve të Tiranës, deri në përmirësimin e situatës dhe vënien në funksion
të plotë të këtij impianti.

 

Situata në Bovillë u ndoq nga afër edhe nga kryetari i
Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se deri në një normalizim të
situatës në këtë impiant do të ketë kufizim të furnizimit me uji të banorëve të
Tiranës. “Po e mbyllim ditën e sotme në Bovillë, ku gjithmonë Bovilla shfaq
problematikat pasi ka kaluar shiu, duke qenë se ujëmbledhësi furnizohet me
përrenj nga e gjithë Malësia e Tiranës. Situata aktualisht është se në
ujëmbledhësin e Bovillës vjen ky lloj uji, i cili ka një turbullirë katër herë
mbi normën maksimale të turbullimit të ujit. Do të thotë se është katër herë
mbi ç’lejon ky impiant dhe çdo rregull i BE-së. E di se për qytetarët, të cilët
do të preken nga furnizimi i kufizuar me ujë, sigurisht që një pjesë e mërzisë
do të jetë me Bashkinë, pse nuk e lejon ujin, por asnjë njeri normal, asnjë
kryetar bashkie, asnjë njeri që duhet të marrë vendime për qytetarët e vet, nuk
do të merrte vendim që të lejonte këtë ujë të kalonte”, tha Veliaj.

 

Ai sqaroi se për shkak të nivelit të lartë të ujit të
turbullt, filtrimi i tij është bërë shumë më i vështirë, çka sjell edhe një
sasi të kufizuar uji të gatshëm për t’u shpërndarë banorëve. “Filtrat tanë
arrijnë që me sasi të kufizuar të filtrojnë ujin e ta bëjnë të pijshëm,
megjithatë duke qenë se turbullira është përtej normales, do të thotë se për 4
herë më shumë ndotje, reduktojmë sasinë e filtrimit. Kjo do të thotë se në
qytetin e Tiranës, në ditët në vijim do të ndihet një kufizim i ujit të
pijshëm. Kjo bëhet vetëm për të garantuar jetën e qytetarëve dhe për të mos
çuar këtë ujë në çezmat e tyre. Besoj se është më mirë që një lajm të keq ta
themi në mënyrë të drejtpëdrejtë, siç është, se sa të bëjmë akrobacira që do të
jenë të pafalshme, ndaj duke nisur nga nata e sotme do të ketë kufizim të ujit
të pijshëm”, shtoi Veliaj.

 

Por ai theksoi se për të gjitha institucionet që japin
shërbime të pandërprera, Bashkia do t’u sigurojë ujin me anë të autoboteve. “Ne
kemi marrë masat që të gjithë institucionet që kanë emergjenca si spitalet,
kopshte e çerdhet, të gjitha institucionet ku duhet të ketë ujë të pastër, kemi
porositur përveç cisternave tona dhe përveç boteve të Ujësjellësit të Tiranës,
kemi kontraktuar disa prej kompanive private të cilat bëjnë furnizim, për t’u
siguruar që nuk kemi mungesa të tilla”, tha kryetari i Bashkisë. Nisur nga kjo
situatë e pazakontë në ujësjellësin e Bovillës, ai ka kërkuar nga qytetarët që
të bëjnë kujdes dhe të mos e shpërndorojnë ujin e pijshëm.

 

“Ju lutem përdoreni ujin me kursim, duke qenë se është i
kufizuar! Nëse duhet që të furnizoheni me ujë gjatë mbrëmjes së sotme, ku do të
ketë një furnizim nga ajo që tashmë është në depo nga paraditja, të sigurohen
që mbushin enët e tyre dhe përgatiten për dy-tre ditë të vështira. Shpresoj që kjo
krizë të përfundojë. Ne masim çdo 30 minuta çështjen e ndotjes së ujit dhe në
momentin e parë që bien turbullirat, do të vazhdojmë me furnizimin me ujë të
plotë”, bëri të ditur Veliaj. Ai siguroi se të gjitha skuadrat e UKT-së dhe të
Bashkisë së Tiranës janë në terren për të siguruar normalizimin e situatës,
edhe në ato pjesë ku si pasojë e prurjeve është dëmtuar rrjeti.

 

“Sot, gjatë reshjeve dhe shumë inerteve që kanë rënë nga
malet, edhe tubacioni alternativ i Shën Mërisë ka pasur dëmtime. Skuadrat tona
janë aty për të bërë gjithë saldimet e meremetimet e nevojshme. Do të punojnë
sot gjatë gjithë natës, deri në të gdhirë, nëse na lejon moti, që edhe këtë ta
korrektojmë dhe të kemi të paktën një burim alternativ”, u shpreh Veliaj. Ai u
kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë, por theksoi se ky ishte vendimi më i
mirë për jetën e tyre.

 

“Jam sigurt se çdo njeri normal, çdo qytetar i Tiranës,
po të ishte në vendin tim, do jepte porosi që ky ujë të mos shkonte në
tubacione, por të kemi kufizime të nevojshme deri sa të stabilizohet kjo
situatë, ndaj edhe kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve duke i garantuar se po
bëjmë maksimumin, si atje poshtë në Tiranë, ku duhet të zhbllokojmë pa fund
kanale, lumenj e përrenj, aty ku po punojnë zjarrfikëset tona për të pompuar
ujin, në shtëpi që mund të jenë përmbytur, aty ku po punojnë stafet tona të
emergjencës për të evakuuar me Policinë Bashkiake”, tha Veliaj.