Veliaj: Qytetarët të jenë korrektë me faturat e ujit, po reduktojmë përdorimin e qeseve

527
Shumë shpejt, problemi i një mijë banorëve në rrugën “Xhavit Shyqyri Demneri”, në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tiranë, do të marrë zgjidhje. Bashkia e Tiranës ka nisur një investim të rëndësishëm për rikonstruksionin e kolektorit dhe rrjetit të kanalizimeve, i cili prej kohësh ishte amortizuar si pasojë e mbushjes dhe bllokimit me materiale inerte.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj, administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, inspektoi punimet e nisura dhe theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur para qytetarëve. “Ndihem shumë mirë sot që kthehemi dhe u shtrëngojmë dorën qytetarëve me një premtim të mbajtur. Kjo ka qenë ndoshta këneta më e madhe urbane në një qytet si Tirana. Them kënetë e madhe urbane sepse reshja e parë e shiut e kthente këtë mëhallë në një “govatë”, ku baltovina, mushkonjat dhe problematikat që shkaktonte uji i ndenjur ishte shqetësimi kryesor i banorëve. Për herë të parë, kemi jo vetëm kanale të ujërave të zeza, por edhe kanale të ujërave të bardha, si dhe një ujësjellës të ri për një zonë e cila është 7-8 fishuar si popullsi pas fillimit të viteve ’90”, u shpreh Veliaj.

Duke garantuar se Bashkia e Tiranës do të bëjë përpjekjet maksimale për përmirësimin e infrastrukturës, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë korrekt me pagesat e ujit. “Bashkia dhe Ujësjellësi po bëjnë përpjekje maksimale, por kjo kërkon edhe pak bashkëpunim nga qytetarët. Vetëm kur Bashkia është në krye të punëve dhe qytetarët janë të përgjegjshëm, mund të kemi një qytet model, siç ka filluar të sillet Tirana sot. Tirana ka sot çmimin më të ulët të ujit nga të gjitha qytetet e bashkitë e mëdha, por unë besoj se po merr shërbimin më të lartë e cilësor. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë korrektë me faturat e ujit. Siç duket, ne kemi investuar pothuajse në çdo lagje. Në një vit kemi pasur 103 investime në Ujësjellës, sa ç’nuk ishin bërë në 25 vitet e fundit”, tha Veliaj, ndërsa u kërkoi qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm për të mos bllokuar kanalet me mbetje.

Kreu i Bashkisë përshëndeti qytetarët për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Veliaj theksoi se nisma ka gjetur përkrahje, duke sjellë një ulje të përdorimit të qeseve me 60%. “Qytetarët e kanë dhënë një kontribut të qenësishëm, duke reduktuar përdorimin e qeseve plastike. Pas vendosjes së një pagese simbolike për qeset, na rezulton se në ditët e para ato janë reduktuar me 55-60%. Shumë shpejt edhe Këshilli Bashkiak do të marrë vendime të cilat do të ndalojnë totalisht përdorimin, sidomos të qeseve ultra të holla, që nuk degradohen dhe që janë problematika kryesore në çështje të kanalizimeve”, tha ai.

Krahas përpjekjes për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike, kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave në koshat e posaçëm të vendosur në të gjithë kryeqytetin. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët jo vetëm t’i reduktojnë maksimalisht qeset plastike, por edhe të përdorin siç duhet koshat e mbeturinave. Sot në pjesën më të madhe të Tiranës kemi kosha të mbyllur, të cilët duan vetëm pak mund që qesja e plehrave të futet poshtë valvulës”, deklaroi Veliaj.

Deputeti i PS, Besnik Baraj u shpreh se me këtë shpejtësi që po punohet, Bashkia e Tiranës ka ngjallur shpresë tek të gjithë qytetarët. “Tre muaj më parë ishim këtu dhe një grup banorësh na shfaqën ankimet e tyre në lidhje me situatën shumë të rëndë që krijohet këtu në rast reshjesh. Dhe ja sot, pas 3 muajsh, premtimin e dhënë, kryetari i Bashkisë po e bën realitet. Praktikisht kjo zonë, nuk do të jetë më një zonë që përmbytet. Me këtë shpejtësi që po punon Bashkia, ka ngjallur shpresë jo vetëm te këta banorë, po kudo dhe jam i bindur se Bashkia po përballon me shumë sukses sfidat e këtij qyteti me problematika të shumëfishta”, tha Baraj. Investimi që po kryhet në këtë segment do të jetë totalisht një ndërmarrje e standardeve më të larta, ku janë parashikuar sasitë e reshjeve që mund të bien për 10 vitet e ardhshme.
Sigal