Veliaj: “Politikat e bashkisë po japin efekt, më shumë njerëz përdorin transportin publik; Tirana e gjelbër prioritet

448
Strategjia për hartimin e planit për “Tiranën e Gjelbër”, deri në 2030 mbillen 2 mln pemë
Bashkia e Tiranës do të ketë shumë shpejt një plan konkret veprimi mbi mënyrën se si gjelbërohet qyteti në vitet në vijim. Gjatë një takimi me përfaqësues të BERZH-it, ku u bë edhe prezantimi i metodologjisë dhe strategjisë së hartimit të këtij Plani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ky dokument do të ndihmojë në përcaktimin e përparësive të sfidave mjedisore të qytetit dhe projektet konkrete se si këto politika mjedisore do të zhvillohen në terren. Ai vlerësoi faktin se Tirana është qyteti i parë në Ballkan që është përzgjedhur nga BERZH-i për të mbështetur një nismë të tillë, e cila ka si synim shtimin e gjelbërimit në qytet. 
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se kjo mbështetje ka ardhur edhe për shkak të rëndësisë që Bashkia e Tiranës i ka kushtuar gjelbërimit në të gjitha politikat e ndërmarra në këtë një vit e gjysmë, që janë shoqëruar me vendime konkrete. “Sapo kemi kaluar Planin e Përgjithshëm Vendor dhe e dimë ekzaktësisht se çfarë do të ndodhë, por është shumë e rëndësishme që këtë vizion ta përkthejmë në projekte të zbatueshme”, tha Veliaj. Ai u ndal te politikat që kanë të bëjnë me lëvizshmërinë e qytetarëve, duke theksuar se ndërhyrjet e bashkisë kanë sjellë përmirësim dhe kanë kthyer besimin e qytetarëve te transporti publik. “Çmimi i parkimit, përfundimi i terminaleve të autobusëve hyrëse të qytetit, ka bërë që sot të jemi në një situatë ku politikat po japin efekt dhe po kemi mbi 250.000 njerëz që përdorin transportin publik, krahasuar me 170.000 që përdorin transportin privat. Ne do donim që ta fuqizonim këtë trend, të arrinim në një kohë edhe më të shkurtër rezultatet që presim nga politikat tona mjedisore”, tha Veliaj.
Ai shtoi se në Planin e Përgjithshëm Vendor është përcaktuar ruajtja e tokës bujqësore nga ndërtimet dhe pesëfishimi i tokës së gjelbër. “Kemi marrë një vendim politik ku kemi thënë: nuk do t’i “hedhim” shtëpitë kudo nëpër toka bujqësore, siç hidhen zaret në tavëll. Kjo nuk mund të vijojë më sepse është financiarisht e paqëndrueshme, nuk ndërton komunitet. Qytete të tjera i kanë bërë këto gabime në të kaluarën e po kthehen mbrapsht, ndaj kjo është arsyeja pse në PPV kemi vendosur për densitet. Ky është një vendim politik, mbi të cilin do të ndërtojmë projekte konkrete, për planin e veprimit të qyteteve të gjelbra”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se në këtë Plan është parashikuar një zhvillim i kontrolluar i qytetit edhe sa i përket politikave të ndërtimit dhe popullsisë. “Kemi marrë disa vendime për kufizimin e ndërtimit në Tiranë. Trashëguam një plan urbanistik, i cili konceptonte një qytet për 4.5 milionë banorë. Ta quash fantashkencë është pak, ta quash hile është e saktë; një hile për të dhënë leje të caktuara jashtë logjikës së densitetit të qytetit. Sot kemi marrë një vendim politik, që qyteti deri në 2030 do të rritet me 1.5 milionë banorë, do të thotë që edhe kontraktorëve do u kërkojmë për projekte të këtyre përmasave dhe jo gjëra për të justifikuar disa veprime të gabuara”, shtoi Veliaj. 
Ai vuri theksin te vendimi më i rëndësishëm që ka të bëjë me ndërtimin e Pyllit Orbital me 2 milionë pemë. “Është hera e parë që një bashki heq një shumë të konsiderueshme mënjanë vetëm për të nisur një projekt të madh gjelbërimi. Jo vetëm kaq, por dje kemi çuar 2000 kërkesa në të gjithë bizneset kryesore në Tiranë që të sponsorizojnë segmente të caktuara të pyllit orbital dhe ambicia jonë është që në 14-15 vitet e ardhshme, 2 milionë pemë të jenë kthyer në një fashë oksigjenuese për qytetin e Tiranës, por edhe një kufi i qytetit”, theksoi Veliaj. Ai ka theksuar se në Planin e Përgjithshëm Vendor është përcaktuar mbështetja dhe ndërtimi i unazave që nxisin lëvizjen e njerëzve, por jo të makinave.
“Me Ambasadën e Mbretërisë së Hollandës kemi një plan për atë që quhet “Minimum Grid”, rrjeti minimal të biçikletave. Nuk mjafton të kesh dy rrugë të lezetshme me korsi biçikletash në qoftë se këto nuk janë pjesë e një rrjeti, sepse mbasi mbaron rruga e bukur, kthehesh prapë në garë me makinat, duke rrezikuar jetën. Pra, duhet një rrjet minimal, ku lëvizja bëhet e pandërprerë dhe kjo është arsyeja pse tashmë e kemi marrë këtë vendim, kemi buxhetuar një shumë të konsiderueshme për rrjetin minimal, ajo që presim nga konsulenca është se si këtë rrjet minimal ta zgjerojmë në një rrjet të mesëm, maksimal, deri sa qyteti të jetë i aksesueshëm në çdo cep me biçikletë”, tha Veliaj.
Mandej, ai deklaroi se ndryshe nga situata financiare e vështirë ku ndodhej Bashkia e Tiranës dy vite më parë, tashmë financat janë të shëndosha, duke lejuar edhe marrjen e kredive të cilat do të rrisin edhe më tej investimet për qytetarët. “Bashkia është në një situatë të shëndoshë financiare dhe mund të aksesojë për kredi. Do të jem shumë i hapur për të bërë një seleksionim të prioriteteve, se cilat janë projektet më jetike që t’i çojmë së pari për financim. Sigurisht, kjo vjen në një kontekst kur kam kërkuar ndihmën e BERZH-it”, tha ai.
Veliaj komentoi edhe projektligjin për financat vendore, duke kërkuar heqjen e kufizimeve për njësitë vendore në gjetjen e financimeve, ku ato njësi të cilat performojnë më mirë, të kenë mundësi të gjejnë fonde për të rritur numrin investimeve. “Bashkitë që janë të shëndosha nuk duhet të penalizohen prej faktit se qeveria ka një tavan borxhi. Brenda tavanit të borxhit, bashkitë vetë duhet të ketë një minitavan të tyre për të asistuar financat. Për disa bashki, që ecin me marsh të parë, nuk do të duhet që të penalizohen ata që ecin me marsh të pestë. Na duhet kjo liri që të kreditohemi dhe që qytetarët tanë të marrin në një kohë më të shpejtë të mirat materiale”, përfundoi Veliaj.
Sigal