Veliaj: Piramidën do t’ia rikthejmë qytetit dhe të rinjve; rezultatet e PISA vlerësim për reformat në arsim

514
Sigal

Kryebashkiaku
Veliaj darkë me mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa”, për festat e
fundvitit

 

Kryetari
i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për kalimin
në pronësi të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, e njohur si
Piramida, nga Ministria e Kulturës te bashkia e kryeqytetit. Kjo godinë do të
përdoret si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale e rinore,
promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.

 

Gjatë
një pritjeje me mësues të gjimnazit “Qemal Stafa”, organizuar me rastin e
festave të fundvitit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se pas konsultimit edhe me
arkitektë të huaj ndërkombëtarë, ideja e Bashkisë së
Tiranës është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore, ku Piramida do të jetë
në qendër të aktiviteteve kulturore e rinore në qytet.

 

“Mezi
pres që t’ia rikthejmë qytetit Piramidën. Ideja e Bashkisë, bashkë me
arkitektët e huaj  ndërkombëtarë që kanë
kontribuar, është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore. Ashtu si në
kohën time, kur Piramida ishte në fakt qendra e të rinjve dhe vlonte nga
aktivitetet e shumta, edhe “RinFesti” të cilin sot e quajmë “Tirana Art-Fest”,
bëhej aty, ndaj shpresoj që aty të performojnë edhe kampionët e ardhshëm të
artit e të kulturës të shkollës “Qemal Stafa” ose fituesit e radhës të “Tirana
Art-festit”. Është një lajm i mirë edhe për të gjitha zyshat që merren kryesisht
me artin, kulturën dhe promovojnë super talentet që kemi te ‘Qemal Stafa’”,
theksoi Veliaj.

 

Kryetari
i Bashkisë e cilësoi tepër pozitiv edhe vlerësimin që Programi Ndërkombëtar për
Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA) i bën reformave të ndërmarra në
arsim. Veliaj tha se për herë të parë Shqipëria në 25 vjet bën kapërcimin më
cilësor në rezultatet PISA për vitet e para të gjimnazit.

 

“Duke
qenë se në Tiranë jetojnë një milion banorë, do të thotë se 1/3 e nxënësve të
Shqipërisë janë në Tiranë. Tani e kam kuptuar se sa e vështirë është puna juaj.
Kur je në ministri, bën ligje, pret të shohësh efektin. Kurse kur je mësues ose
kryetar bashkie je porta e parë e çdo situate, çdo krize, çdo problematike.
Shumë prej këtyre gjërave, që njerëzit i shohin si me kuriozitet në televizion,
si dhuna në familje apo problematika të tilla, jam i sigurt që mësuesi i ka
parë para se t’i shohë kamera e televizionit. Jam i sigurt se mësuesi ka një
rol përtej thjesht vënies së notës dhe shpjegimit të mësimit, por edhe të një
“motre” e “vëllai” të madh, të një “nëne e babai” të dubluar”, tha ai. Veliaj u
shpreh se aleatët më të mirë edhe për një Kryetar Bashkia janë mësuesit.

 

“Roli
juaj në Tiranë nuk krahasohet me askënd tjetër. Në sfidat që ka një qytet, nuk
di kush është aleat më i mirë, se sa një mësues për një kryetar bashkie, sepse
aty mësohet ku hidhen mbeturinat, si trajtohet njeriu në humbje apo në fitore.
Të mësojmë të humbasim me dinjitet, por dhe të fitojmë me përulësi, janë disa
nga gjërat e karakterit që fatkeqësisht nuk bruhen në shumicën e familjeve tona
dhe për të cilat kemi shumë nevojë në klasë”, theksoi Veliaj.