Veliaj: Merr fund mësimi me dy turne

716
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se falë investimeve të bëra në shkolla do të marrë fund dhe mësimi me dy turne. Ai siguroi se do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e 16 shkollave të reja. “Është një ditë e veçantë, edhe për disa arsye të tjera, është rikthimi i Lindita Nikollës si Ministre e Arsimit, por unë besoj se tani do rikuperojmë edhe kohën e kësaj mungese për të ecur më shpejt që përtej këtyre 4 shkollave, “Hasan Tahsin”, shkollës “Betim Muço”, që do ta hapim shumë shpejt në Kombinat, shkollën “Ardian Klosi” tek Bregu i Lumit dhe Shkolla e re e Baletit, ne të fillojmë edhe 16 shkolla të tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj. Me nisjen e vitit të ri shkollor, Veliaj theksoi se do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve. “Ne do bëjmë gjithçka që kemi në dorë për infrastrukturën. Para pak ditësh u hap Unaza e Re, e cila ka ndihmuar shumë trafikun në atë zonë të Tiranës. Kemi pasur Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake që ka ndihmuar në çdo kryqëzim, për të treguar pak mirëkuptim në një qytet që është i tejngarkuar, që ka shumë trafik, por për të respektuar radhën e gjërave”, u shpreh ai.
Sigal