Nga Rrogozhina ku zhvilloi takimin elektoral të radhës, Erion Veliaj, i cili drejton Partinë Socialiste të Qarkut të Tiranës kërkoi votën për Edison Memollën. Ai tha se kandidatët e tjerë nuk kanë lidhje me Rrogozhinën, por e duan atë vetëm për “ekskursion politik”.
“Nga vijnë këta kandidatët e tjerë?! Nisen në mëngjes nga Tirana, bëjnë ekskursion këtu dhe kthehen prapë në Tiranë. Kanë drejtuar lojërat e fatit dhe mendojnë se Rrogozhina është një ruletë. Ne sot duhet t’ju japim një mesazh. Kjo nuk është tavlla jote, kjo nuk është ruleta e Saliut, kjo është Rrogozhina e Partisë Socialiste, e njerëzve të ndershëm, e njerëzve të drejtë, e atyre që duan punën e ta çojnë përpara. Këta që vijnë për ekskursion, 4 vjet zhduken. Ndërkohë ne e kemi ‘shalqi me provë’. Edisoni, jo vetëm që nuk zhduket, por ka qenë këtu përditë e përnatë, ka qenë këtu për çdo siklet e çdo hall, në ditët tona më të vështira ndaj dhe sot që po shndrit ky diell dhe ditët më të mira i kemi përpara, ne do të vazhdojmë të ecim përpara me Edisonin dhe me Partinë Socialiste,”- tha Veliaj.
Lagjja 13, një lagje e re e krijuar në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ishte ndalesa e radhës e kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjatë takimit me banorët e zonës së zhvilluar dhe transformuar vitet e fundit, Veliaj tha se deri pak kohë më parë qytetarët i merrnin shërbimet në Farkë, ndërsa sot çdo shërbim jepet në Njësinë Administrative.




















