Veliaj inspekton urën e Shkozës, apel kryeqytetasve: Qendroni në shtëpi!

537
Sigal

Rreth 1800 punonjës të Bashkisë së Tiranës po punojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit për shmangien e pasojave nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin gjatë paradites dhe mbajtjen nën kontroll të situatës, ndërsa në terren ndodhet edhe vetë kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspektoi sot në mëngjes ndërhyrjet që po kryhen për shmangien e pasojave nga reshjet e shiut në urën e Shkozës, e cila është një nga pikat problematike, ku po punohet me intensitet për zgjerimin e skarpateve në të dy anët e lumit.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi punonjësit e bashkisë, të cilët kanë qenë në gatishmëri dhe janë shpërndarë në të gjithë territorin e Tiranës, për të punuar për përmirësimin e situatës. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të vijojnë të tregohen bashkëpunues. “Falenderoj punonjësit e bashkisë sot, që kanë qenë në të gjithë territorin. Sigurisht, nuk jemi Zoti, nuk e kontrollojmë dot shiun, por besoj se jemi më fatlum se qytetet e tjera, që u goditën më keq nga e gjithë kjo valë rrebeshi. Falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që u treguan mirëkuptues dhe që në pjesën më të madhe kanë evituar udhëtimet e panevojshme. Dua që të vazhdojë ky lloj bashkëpunimi. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi nëse gjërat nuk janë imediate, ose në vendin e tyre të punës. Ndërkohë, është e rëndësishme që, rrugët t’i mbajmë të lira edhe për makinat e emergjencës, makinat e transportit, për eskavatorët dhe të gjithë kamionët që po bëjnë lëvizjen e inerteve. Është shumë e rëndësishme që ta kemi këtë bashkëpunim”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj kërkoi nga qytetarët që për çdo urgjencë të telefonojnë në numrin 112. “Për të gjithë ata që kanë nevojë, numri 112 është numri i urgjencave dhe nëse shikon dikë që ka nevojë në rrugë apo në lagjen e tyre, fillimisht të ndihmojnë ata që janë nevojtarë dhe pastaj le të bëjnë fotografitë, ky është rendi i gjërave. Të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë, me zjarrfikësen, me të gjithë institucionet e emergjencës. Më e keqja për këtë mëngjes ka kaluar, por priten ende shira këtë javë, ndaj i kërkoj të gjithëve bashkëpunim. Për sa kohë që do të vazhdojmë ta menaxhojmë këtë situatë me qetësi, duke kuptuar se nuk kontrollojmë dot shiun, natyrën dhe çfarë na sjell moti, por mund të kontrollojmë një sjellje serioze të një situate që kemi në Tiranë”, shtoi ai.

Veliaj theksoi se situata është nën kontroll dhe se po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Sot fokusin ta mbajmë te puna që po bëhet në terren. Situata është pak më e rëndë në zonat rurale, aty ku edhe përrenjtë, edhe lumenjtë, kanë pasur prurje të jashtëzakonshme, megjithatë situatën e kemi nën kontroll, sidomos pjesa e malësisë së Tiranës ku tashmë më e keqja ka kaluar. Nga 200 shkollat e Tiranës, kemi pasur problematika vetëm në 2 shkolla, kurse institucionet e tjera sociale të bashkisë kanë operuar siç duhet. Ne do monitorojmë situatën, do të bëjmë njoftime të nevojshme nëse do ketë nevojë që në disa zona të caktuara të koordinojmë oraret e mësimit me oraret ku presim shira dhe breshër. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos ata të zonave rurale, të rrinë sa më larg lumenjve. Jemi duke monitoruar situatën edhe në Bovillë. Ju e dini fare mirë që Bovilla është pellgu më i madh ujë-mbledhës i Tiranës. Kjo është edhe arsyeja se pse e kemi në kontroll dhe të bëjmë shkarkime të kontrolluara, pra jo të menjëhershme, për t’u siguruar që as zonat përreth Zall-Herrit nuk kanë përmbytje, por gjithashtu mbi të gjitha për t’u siguruar që depozita kryesore e ujit të Tiranës të jetë në një gjendje të sigurt dhe të mos prekë furnizimin e Tiranës me ujin e pijshëm”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndërtojnë pa leje dhe të mos hedhin mbetje plastike në rrugë, të cilat rrezikojnë që të bllokojnë kanalizimet e qytetit. “Fatmirësisht Lana nuk ka dalë nga shtrati, megjithatë kjo nuk përjashtohet në të ardhmen, duke qenë se është e vetmja vijë ku kullon e gjithë Tirana me 1 milionë banorë dhe me 160 mijë ndërtime pa leje. U bëj thirrje qytetarëve, jo ndërtime pa leje, jo mbetje, sidomos plastikë në rrugë, e cila bllokon kanalizimet. Siç e shikoni, heqim tonelata të tëra mbetje, që nuk janë mbetje që na i ka sjellë Zoti ose një fuqi e mbinatyrshme, por janë mbetje që i kemi hedhur vetë dhe që kanë bllokuar gjithë kanalet dhe gjithë vijat e kullimit në Tiranë. Nëse do të vazhdojë ky bashkëpunim, besoj që do ta kalojmë pa zarar këtë situatë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.