Veliaj i jep “Çelësin e qytetit” këngëtares Emeli Sande: Një frymëzim për shumë të rinj

465
Qershia mbi tortë e “Natës së Bardhë” në Tiranë, këngëtarja Emeli Sande, u nderua nga kryebashkiaku Erjon Veliaj me “Çelësin e Qytetit”. Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen këngëtares së njohur, ndërsa tha se ajo është kthyer në frymëzim për shumë të rinj dhe të reja, për t’ia dalë mbanë e për të ecur përpara.
“Ju e dini se dikur prindërit tanë mbanin kopje çelësash në shtëpi sepse prona private nuk lejohej dhe e vetmja gjë që njerëzit quanin pronë ishte shtëpia e tyre. Prandaj, duke bërë një kopje çelësash dhe duke ua dhënë ato miqve, ishte njësoj sikur prindërit thoshin: “Po japim gjithçka kemi”. Ndaj për ne, dhënia e çelësave të shtëpisë, është një moment shumë i rëndësishëm. Në emër të qyteti të Tiranës, unë ju jap “Çelësin e Qytetit”, si një kujtesë për t’u rikthyer sërish dhe gjithmonë do të gjeni një derë të hapur. E vlerësojmë shumë vizitën tuaj, e duam muzikën tuaj dhe mendoj që jeni një frymëzim për shumë të rinj të cilët thonë: Ajo ia doli, edhe unë mund t’ia dal”, theksoi Veliaj.
Këngëtarja britanike Emeli Sande, vlerësoi ftesën për të kënduar në Tiranë, ndërsa theksoi se pa shumë gjëra të bukura në kryeqytetin shqiptar, ku u ndje e mirëpritur.
“Është një nder i madh të jem këtu si një performuese në një event të tillë. Vetëm në kaq pak kohë pashë që ishte shumë bukur dhe u ndjeva e mirëseardhur nga mikpritja”, tha ajo.
Me rastin e “Natës së Bardhë”, Emeli Sande, e cila është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore, performoi disa prej hiteve të saj më të mira, duke elektrizuar publikun e shumtë të pranishëm në koncertin e zhvilluar mbrëmë në sheshin “Skënderbej”.
Sigal