Vdekja tragjike e punëtorit nga vinçi, arrestohet përgjegjësi teknik

502
Sigal

Policia e Korçës ka arrestuar dy persona pas vdekjes së 35-vjeçarit Elvis Josifi, teksa ishte duke punuar në një ndërtesë, ditën e djeshme.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga F.P., 67 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit) dhe A.Z., 41 vjeç (me detyrë manovrator).

Sipas policisë dy të arrestuarit akuzohen për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.

Njoftimi i plotë:

Policia arreston në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2020, ku në lagjen nr.9, në një pallat në ndërtim, gjatë punës u aksidentuan dy punëtorë njëri prej të cilëve për pasojë gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

• F.P., 67 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit).
• A.Z., 41 vjeç (me detyrë manovrator).

Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.