Vdekja e Rrapo Hekalit, sipas këngëve historike

4452
Nga Gëzim Zilja

Më 3 Nëntor 1839, në pallatin e Trëndafilave (Gjylhane) të Stambollit në një ceremoni madhështore, u lexua dekreti i Tanzimatit, (Hatti-Sherif-i Gjylhanes, Dekreti i Shenjtë i Gjylhanes) për riorganizimin e perandorisë turke. Reforma, sidomos për mbledhjen e taksave dhe rekrutimin ushtarak nuk u prit mirë, në tokat ku jetonin shqiptarët. Rezistenca ndaj vënies në jetë të këtyre reformave do të ishte e madhe. Në Jug të Shqipërisë, ndodhën një sërë kryengritjesh të udhëhequar nga shumë kapedanë, ku spikatën Zenel Gjonleka, Tafil Buzi, Hodo Aliu, Rrapo Hekali etj. 

Forcat e Mallakastrës, që kundërshtuan Tanzimatin, udhëhiqeshin nga Rrapo Hekali. Ai organizoi në fshatin Hekal një mbledhje me fshatarët e Aranitasit, Klosit, Kalenjës dhe Cakranit për t’i pritur me luftë, fuqitë e Hysni Pashës, i dërguar nga Porta e Lartë si zbatues i reformave. Ja si vjen figura e Rrapos dhe trimave që e shoqëronin: Ra tërmeti u tund mali/thonë vjen Rrapo Hekali/ Ç’janë ata që shkojnë zallit /Trimat e Rrapo Hekalit/ Sokëllin Rrapo Hekali/Sokëllin sa tundet mali/Tundet mali, tundet fusha/Rrapua me dyqind mushka…/As u trembe as u tute/Plumbat të binin mbi supe. Urrejtja e kryengritësve kundër turqve dhe sundimtarëve shqiptarë (vrionasve) të lidhur me ta, nuk kishte kufi. Vargjet e mëposhtme të vendosura në gojën e Rrapo Hekalit, të padëgjuara më parë, lajmërojnë hatanë, që do të ndodhte më pas: Primë o Isuf beu primë/Në të zënça s’ke të mirë/gjaknë kam për ta pirë/në dorë do ta marrë mëlçinë/veshjen me dy fije brinjë/ Se u’ jam Rrapo xhelati/ ta marrë kokënë nga ati (hipur mbi kalë). Dhe më tej: Isuf be, Isuf Berati/Copë-copë t’u bë shtati/gjak t’u mbulua surrati/Ç’të bëri Gjolekë labi/të griu posi kasapi/Hodoja e Rrapo Hekali/Në Mesojë mu te rrapi.

Në ndihmë të kryengritësve të Mallakastrës të udhëhequr nga Rrapo e Hamit Hekali, do të vinin forcat e Labërisë, të udhëhequra nga kapedanët Zenel Gjonleka nga Kuçi Vlorës, Tafil Buzi, nga Buzi i Tepelenës, Abdyl bej Koka, nga Gjirokastra, Tahir Çapari nga Margëllëçi i Çamërisë, Sulo Kallapodhi nga Delvina etj. Ja si jepet kushtrimi për luftëtarët e lumit të Vlorës dhe më tej: Del o lum i Vlorës-o/dil se do të dalëm-o/të mëdhej, e të vegjël-o/Të pjekur në Povël-o (Vend ku kalon lumi i Povlës, pranë Poçemit, Mallakastër, Fier) /Kemi hall me Virjon-o/Na kërkon xhelepet-o/tym e havajetet-o/Tym e havajete s’ka/ është vendi fukara.

Ishte nga rastet e rralla, kur forcat shqiptare të Mallakastrës, Myzeqesë dhe Lumit të Vlorës, u bashkuan nën një komandë për të luftuar armikun e përhershëm: Në Sinjë u mblodh hordhia/seç u mblodhë pleqësia/pleqtë e Kuçit gjithë vanë/u mbush Sinja me nizamë/topat rrebeshirë vanë/Shtatë vilajete janë/Gjolekën e vunë të parë/të dytë Rrapo Hekalë.

U zhvilluan disa përpjekje të armatosura midis forcave kryengritëse dhe ushtrisë turke. Beteja më e ashpër u zhvillua në Greshicë dhe përfundoi me fitoren e kryengritësve.

Isuf be, o Isuf be/Nga Berati kur dolle’/në Greshicë ardhe e re/ kërkoje çupa meze/Rrapo Hekali ku je?/Ku je o Rrapo Hekali?/se Greshicës iu vu zjarri/Moj Greshica maja maja/ të rreh topi e kumbaraja/Për tre ditë u bë hataja/Dolli zonja në bedenë/Del e pyet për Isuf Benë/Në qaf’ të Sinjës ta prenë/Isuf benë me dy të tjerë.

Këngët për Rrapo Hekalin dhe trimëritë e tij vazhdojnë. Me vargje të pakta, por të ngarkuara plot emocione dhe mesazhe që do të transmetoheshin brez pas brezi: Në Berat bëre hatanë/ luftove, me pashallarë/ me pashallarë luftove/ata flisnin, e ti s’dëgjoje/Turçe dije, por nuk doje/ Me terxhymanë bisedoje. Dy vargjet e fundit janë vënë në gojën e disa luftëtarëve si Hodo Aliu, Dervish Ali Dukati, Tartar Memushi nga Bolena e ndonjë tjetër. Ato të mrekullojnë dhe të krijojnë lehtësisht përfytyrimin e një tabloje gjithë ngjyra, në Qafën e Sinjës, me Rrapo Hekalin mbi kalë, bashkë me luftëtarë të tjerë, që gjykon dhe jep vendimin mbi fatin e robërve, të ulur në gjunjë, në këmbët e atit (kalit). Edhe pse e dinte gjuhën turke, ai i zhvilloi bisedimet me terxhyman (përkthyes). Përbuzja për armikun nuk ka kufi. Rrapo Hekali, do të ketë një fund të hidhur. Kënga vjen nga larg si kuje e dhimbje për luftëtarin, por edhe si mallkim për besëprerët:

Shtëpia në Zhupalat (lagje e fshatit Kutë, pranë Fratarit, në Krahinën e Mallakastrës)./Me avlli me dy kat’/të rraft’ zjarri në hajat(konak)/që turp dhe namuz nuk pat’/Rapon si e dorëzuat?/Kumandantinë me at.

Aty e zunë Rrapo Hekalin, me 35 kryengritës më fund të dhjetorit të vitit 1847 (mars 1948?). Rrëfimet thonë se të zotët e shtëpisë e pritën mirë dhe e morën në besë. Në mesnatë ia behu asqeri. I zoti i shtëpisë u kishte marrë armët sipas zakonit. Rrapua që të dorëzohej, kërkoi t’i plotësonin tri kushte: të mblidhej i zoti i shtëpisë me vëllezërit e fëmijët në konak si garanci, të mos e keqpërdorin (dhunojnë) dhe ta çonin të armatosur atje ku donin. Ai e mbyti me duar konakpritësin, e pabesë, një farë Ymer Jaho. Me duart e lira dhe koburen në brez, iu dorëzua ushtarëve turq, bashkë me të vëllanë Hamitin dhe dy djemtë e tij, Selfon dhe Musanë. E veshën me uniformë turke, që populli i krahinës, gjatë transportit të mos e diktonte, e revoltohej. Gjatë rrugës: Bejlereshatë i thanë/ O Rrapo more rrufjanë/ Ç’faj të patë/Ata pashallarët tanë/Mora hak për fukaranë/Ua preva kokat me radhë. Ndryshe nga shumë kryengritës të tjerë si Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica etj, që sulltani i fali, internoi ose i caktoi guvernatorë në humbëtirat e Perandorisë, Rrapo Hekali u zhduk dhe për të nuk u dëgjua më. Kënga thotë: Çeli gjethi, ryri prilli/S’këndon qyqja dhe birlbili/Rrapon e ngriti veziri/E shpuri nga Manastiri/As e vrau as e farkoi/Veçse me helm e helmoi. Kur u kthye Hamiti, me të dy djemtë nga internimi, nuk besonte se i vëllai kishte vdekur dhe kërkoi të informohej për fatin e Rrapos. Madje do të jepte si këmbim njërin nga djemtë e tij: Hamiti dërgoi kartë/Të kthenet Rrapua në Hekalë/U bëj kurban një djalë/ja Selfon, ja Musanë. Kryengritja e madhe e vitit 1847, e udhëhequr nga Zenel Gjoleka dhe Rrapo Hekali, shënoi etapën e fundit të rezistencës kundër reformave të Tanzimatit në Jug të Shqipërisë. 
Sigal