Vdekja e elektriçistit, prangoset drejtuesi i punimeve të OSSH, nën hetim një operator për falsifikim dokumentesh

221
Sigal

Drejtuesi i punimeve të OSSH në Gjirokastër është arrestuar për vdekjen e elektriçistit Gëzim Çabej.

52-vjeçari dyshohet se nuk kreu kontrollin dhe monitorimin e punës së elektricistëve.

Gjithashtu nën hetim është edhe një operator i OSSH në Gjirokastër, pasi dyshohet se falsifikoi dokumente duke ndërhyrë në librin e dispeçerisë.

Ditën e djeshme teksa riparonin një linjë elektrike në lagjen Gërhot, ndërroi jetë Gëzim Çabej dhe u dëmtua një tjetër. Ai u transportua me helikopter në spital, por nuk ia doli.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i punimeve të OSSH-së, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, si dhe procedohet një operator i dispeçerisë së OSSH-së Gjirokastër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin Sh. O., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë drejtues i punimeve të grupit të ngritur nga OSSH Gjirokastër, pasi ditën e djeshme, gjatë riparimit të një linje elektrike në lagjen Gërhot, dyshohet se për shkak të moskryerjes së kontrollit dhe mungesës së monitorimit në punën e elektricistëve, janë dëmtuar dy elektricistë, shtetasit G. C dhe A. T. Shtetasi G.C, ka ndërruar jetë më vonë në spital.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin K. H., 64 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë operator i OSSH Gjirokastër, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente duke ndërhyrë në librin e dispeçerisë së OSSH Gjirokastër.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.