“Vatra” në krye të Diasporës që refuzon Samitin farsë të qverisë. Ja pse i tha, jo Samitit të Edi Ramës

448
Sigal

Nga Dalip GRECA, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, New York

 

Të enjten, 28 Shkurt 2019, ora 7.00 p.m. filloi Samiti fasadë i Diasporës, organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko nën kujdestarinë e organizatorit real, Kryeministrit aq të përfolur e aq të kontestuar prej shqiptarëve. Ministri i Diasporës, për gati dy vjet, u përpoq shumë që të bënte “babaxhanin” për t’ia mbushë mendjen Diasporës se ky Samit nuk do t’i ngjajë atij të parit, të Ramës, kur përveç fotografisë me Naltmadhninë e Tij – Kryeministrin, nuk ka mbetur asnjë gjurmë pas. Majko bëri të pamundurën për t’u mbushur mendjen emigrantëve që të bëheshin pjesë e Samitit, sepse “kohët paskan ndryshuar” dhe se në krye është ai vetë! Vetëm naivët mund t’i besojnë premtimeve të një qeverie që i ka detyruar shqiptarët të marrin rrugët e Botës dhe çdo ditë zbrazin vendin. Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe mijëra Euro shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër përveçse të tentosh t’i vendosësh një patericëmbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij.

Vetë Ministria që mbanë emrin e Diasporës s’është gjë tjetër veçse një Ministri Fantazmë, që përveç shëtitjeve të Ministrit në SHBA , Kanada e Evropë me paratë e shqiptarëve,në përpjekjet e dëshpëruar për ta çuar në Samit, asgjë tjetër nuk ika ofruar mërgimtarëve.

Të shkosh dhe të shpenzosh paratë e shqiptarëve, që vuajnë për bukën e gojës,është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve shqiptarë.

Është ironike kapja pas Bashkimit folklorik Kombëtar, emërtimit patriotik, që ka zgjedhë qeveria për ta shitur Samitin në Ditën historike të Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës si akt Kombëtar në kohët e reja!!! Është më shumë se sa një Farsë e gjithë kjo komedi. Një qeveri që ka nda e përça shqiptarët në Atdhe si mund të bashkojë mërgimtarët nëpër Botë, një pjesë të të cilëve i ka përzënë ajo vetë duke ua bërë të pamundur jetesën në Vendlindje!?

“VATRA “ndjehet mirë që i doli parashikimi për Samitin e shkuar të Ramës. Ajo e denoncojë atë si fasadë të Kryeministrit siç kishte bërë para atij Samiti edhe me mjekët shqiptarë nëpër Botë; që i mblodhi, u fotografua me ata dhe bëri të kundërtën e këshillave të tyre. Propozimet e mjekëve i mori era, ndërsa shërbimi mjekësor ka shënuar nivelet më të ulëta.

Pavarësisht peshës që përpiqen t’i japin vetes ata që shkuan në SAMIT, Diaspora në SHBA, është në krye të refuzimit të atij Samiti. Katër degët e VATRËS në Florida, dhe jo vetëm degët e “VATRËS” por asnjë shoqatë tjetër me peshë në komunitet nuk shkoi në Samit, ashtu si edhe në Nju Jork, ku me përjashtim të ndonjë përfaqësuesi-shoqërues të ndonjë shoqate lokale, Organizatat serioze nuk e morën mundimin të shkojnë pas qeverisë. E njëjta gjë ndodhi në Michigan kur “VATRA” e refuzoi prerazi, dhe haptazi Ministrin Majko që në ballafaqim me komunitetin, siç refuzoi “VATRA” edhe në Toronto, por jo vetëm “VATRA”, edhe organizatat e tjera të Kanadasë me përjashtim të pjesëmarrësve të Samitit të parë, të tjerët nuk u bënë pjesë e farsës.

Po të nisemi nga ajo çfarë kanë bërë publike organizatorët, në panele do të diskutohet:

  • Të Drejtën e Votës për emigrantët,
  • Zhvillimi ekonomik dhe i qëndrueshëm si dhe
  • Identiteti Shqiptar.

E drejta e votës është e drejtë Kushtetuese që nuk ka nevojë ta tjerrësh në Samite, ndërsa për Identitetin, Shqiptarët në Diasporë i kanë dhënë leksion shtetit shqiptar për më shumë se 100 vjet, pastaj një Kryeministër që shpërfytyron Simbolet Kombëtare nuk mund të japë leksione për identitetin Kombëtar.

Ka një mijë arsye pse “VATRA” i tha-Jo, Samitit të Dytë të Diasporës, por në thelb, arsyet janë po ato të refuzimit të Samitit të parë, janë arsye logjike dhe parimore. Po sjellim të plotë tekstin e refuzimit që i bëri “VATRA” Samitit të parë, pa bërë asnjë ndryshim. Shiheni vetë, nëse i qëndroi kohës parashikimi i “VATRA”.