Vangjush Dako:Ndërtesat mbi kolektorë shkak i përmbytjeve të përvitshme

703
Sigal

DURRËS/ Flet Kryebashkiaku Vangjush Dako: “Kanë mbërritur në bashki mbi 200 kërkesa për dëmshpërblim”

Qyteti i Durrësit është një nga zonat që është përmbytur më shumë dhe në mënyre sistematike nga reshjet e shpeshta të shirave që bien. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka thënë se, në përmbytjet e muajit janar, të cilat kanë qenë edhe më të mëdha se në përmbytjet e tjera që kanë ndodhur muaj më parë, janë bërë kërkime për të evidentuar pikat shqetësuese, të cilat krijojnë situatën alarmante, ndërkohë që ka saktësuar se bashkia e ka të pamundur të reagojë për të detyruar shkaktarët të veprojnë në zgjidhjen e problemit. Më tej Dako ka pohuar se një grup i posaçëm po punon në terren për evidentimin e banesave të dala jashtë funksionit, ndërsa deri më tani janë rreth 200 kryefamiljarë që kanë depozituar dokumentacion për tu dëmshpërblyer pasi lagështia në banesa u ka prishur tërësisht objektet elektro-shtëpiake si dhe orendi e pajisje të jetesës së përditshme, deri tek divanet dhe krevatet e fjetjes. Ky numër pritet që të jetë progresiv në ditët e ardhme. Kreu i Bashkisë Durrësit, Vangjush Dako ka qartësuar se, situata e krijuar nga përmbytjet është përgjegjësi institucioneve e strukturave në varësi të qeverisë, duke shtuar se lidhur me situatën e krijuar në periudhë shirash, ngarkon me përgjegjësi Ujësjellës-Kanalizimet sh.a dhe Bordin e Kullimeve, të cilët jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë, por edhe kanë lejuar përkeqësimin e situatës.

Ndërrimet mbi kolektorë

Problemi është i tej rrahur dhe mjaft i vjetër në Durrës. Që më 6 shtator të vitit 2010, Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti ka organizuar një mbledhje urgjente për të paraprirë situatat emergjente që mund të sjellë prishja e motit në periudhën dimërore. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Bordit të Kullimit të Ujërave, Autoritetit Portual, ALUIZNI si dhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. Sipas Alizotit, në një prononcim për “Telegraf” bëhet e ditur se, në të është diskutuar gjendja problematike e kanaleve të ujërave të larta si dhe zgjidhja me kontribut të përbashkët e problemit të vënies në eficencë të mekanizmave të Bordit të Kullimit. Takimi ka marrë në konsideratë ushtrimin e një kontrolli të përbashkët për të filluar direkt nga ndërhyrjet. Sipas Alizotit gjendja është alarmante pasi ka zënie tombinosh, ndërtime mbi kolektor dhe do të shihet me këtë rast, se ku do të ndërhyhet më parë për të zgjidhur situatën, si për të pastruar sektorë të bllokuar ose për të prishur banesa që janë mbi kolektorë. Ai ka bërë me dije se ALUIZNI nuk ka bërë asnjë legalizim në këto sektorë dhe është e prerë që ndërtimet mbi to nuk do të legalizohen,- tha Alizoti. Nisur nga situata që është trashëguar mësohet se ende nuk është deklaruar më nga ajo periudhë se sa ndërtime janë bërë të reja mbi kolektorë, supozohet të kenë qenë në atë periudhë, sipas deklarimeve të ish-kreut të ALUIZNI-t rreth 72 ndërtime, por në realitet nuk ka pasur asnjë shembje nga ndërtimorët. Ndërsa përmbytjet nga bllokimet e kanalizimeve dhe të kolektorëve kanë qenë të vazhdueshme.