Urgjencat dentare trajtohen në QSUT, ja orari i shërbimit

648
Sigal

Si masë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, që prej 12 marsit, ditë kur të gjitha klinikat dentare në vend ulën qepenat, në klinikën stomatologjike universitare janë trajtuar mesatarisht 150 pacientë, mes tyre dhe fëmijë. Drejtori Anis Thodhorjani, në një intervistë për RTV Ora, shprehet se shërbimi jepet brenda fashës që lejohet qarkullimi, me masa të shtuara sigurie.

”Shërbimi jepet prej orës 7 të mëngjesit deri në orën 13 të drekës. Çdo mjek stomatolog që trajton një pacient të përditshëm ka masat mbrojtëse, si kitet e operacionit, duke filluar përparësja sterile, skafandra, maska kirurgjikale dhe veshjet dentare”.

Kurse stomatologia Eneida Prifti, thotë se nevojat gjatë ditëve të pandemisë kanë qenë nga më të ndryshmet. ”Gjatë gjitha ditëve ka pasur trajtime të fëmijëve, sepse janë mosha që i ndërrohen dhe dhëmbët. Një pjesë e prindërve me idenë që dhëmbët e qumështit i lënë dhe krijojnë probleme. Problematika më e madhe janë dhëmbët që kërkojnë heqjen e nervit”.

Nga ana tjetër, Prifti ka disa këshilla për të gjithë ata që do të kenë probleme dentare në ditët në vijim. ”Nëse dhimbjet e dhëmbëve janë për disa netë patjetër që duhet të drejtohen pranë klinikës universitare. Ato që nuk japin probleme nuk kanë pse të ngacmohen, mund të presin në një kohë të dytë”.